‘Kthehu në Shqipëri’, Mendonte se roja e sigurimit ishte shqiptar, arrestohet 49-vjeçari britanik për racizëm

14 Gusht 2023, 17:59| Përditesimi: 14 Gusht 2023, 20:25

  • Share

Një 49-vjeçar nga Cheltenham është dënuar me tre muaj burg për abuzim racor ndaj një roje sigurie të dyqanit John Lewis, i cili gabimisht mendonte se ishte me origjinë shqiptare.

Prokurori Simon Goodman i tha Gjykatës Gloucester Crown të ​​premten më 11 gusht se Desmond Thompson kishte hyrë në dyqan më 4 nëntor të vitit të kaluar dhe po shikonte rreth departamentit të parfumerisë së dyqanit, por oficerët e sigurisë i panë si të dyshimta lëvizjet e tij.

Goodman tha se Thompson po vëzhgohej si një hajdut dyqanesh, dhe u pikas nga oficerët e sigurisë në dyqan, raportojnë mediat e huaja.

“Kur ai pa se e njohën u soll në mënyrë agresive ndaj një oficeri dhe filloi ta shante atë. Thompson vazhdoi ta shante oficerin, pasi besonte se ishte shqiptar. Ai i tha se duhet të kthehej në shtëpi në Shqipëri. Ai e kërcënoi se do ta shkatërronte dyqanin dhe i tha oficerit se ai dhe bashkatdhetarët e tij kishin ardhur këtu dhe u kishin marrë punët”, tha prokurori Goodman.

“Roja i sigurimit i tha Thompson-it se ai në fakt ishte me origjinë polake dhe jo shqiptar. Thompson u përgjigj: “Epo, ti sërish nuk je anglez, apo jo shoku?’.

“Më pas Thompson filloi të tundte krahët ndërsa u shoqërua në derën e përparme, gjë që tërhoqi vëmendjen e një oficeri policie. Veprimet e tij filluan gjithashtu të shqetësonin klientët e dyqanit.”

Avokatja e Thompson, Caitlin Evans, tha në mbrojtje të klientit se ai ishte penduar për veprimet e tij.

“Ai është shumë i penduar për veprimet e tij”, tha Evans.

Gjithashtu gjykatësi Rupert Lowe tha: “Ju keni 182 dënime të mëparshme. Tre prej tyre janë për vepra të rënda racore. Për shkak të precedentit tuaj të mëparshëm penal, ju do të kryeni një paraburgim prej tre muajsh”.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?