Gjykata e Lartë ka zbardhur sot (18 mars) të plotë vendimin për të rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e PD.
Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedurial.
"Kolegji çmon të theksojë se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit, është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj, është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural. Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuara tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)", thuhet në vendim.
Sipas saj rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, "Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm".
Gjykata e Lartë ka vënë në dukje se në procesin e regjistrimit të statutit dhe vendimeve të një partie politike, gjyqtarët kanë të drejtë të kontrollojnë vetëm vlefshmerinë e procedurave të ndjekura, duke nisur nga njoftimet për mbledhjen e forumeve, tek kuorumi dhe zbatimi i statutit. Por sipas gjykatës në këtë proces nuk mund të ketë palë, duke rrëzuar kështu ankimimin e Enkelejd Alibeajt në Apel.
“Gjykata zhvillon një gjykim në të cilin, nuk ekziston konflikti mes palëve kundërshtare, por për shkak të natyrës së çështjes apo cilësive të kërkuesit të parashikuara nga ligji, gjykata vlerëson thjesht përputhshmërinë e akteve, veprimeve juridike apo fakteve me qëllim që tu japi atyre efekte juridike.”
Nga ana tjetër Gjykata e Lartë rrëzon arsyetimin e Apelit se Gjyqtari Agron Zhukri nuk mund të shqyrtonte çështjen organeve drejtuese të Partisë Demokratike.
"Gjykata e Apelit, në dhunim të parimeve procedurale (që do analizohen më poshtë) ka marrë në konsideratë, duke trajtuar dhe e konsideruar si shkak për prishje të vendimit, njëanshmërinë e supozuar të Gjyqtarit Agron Zhukri, për të cilin nuk kishte asnjë ankim të paraqitur nga pala ankuese Deputeti Alibeaj. Pra, në të njëjtin proces Gjykata e Apelit ka shkelur parimin e barazisë para ligjit referuar nenit 18 të Kushtetutës dhe nenit 1/1 të KPC-së, duke bërë një trajtim diskriminues të palës kërkuese në kuptim të nenit 14 të KEDNJ-së".
Sipas Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi, nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë.
"Kolegji vlerëson se, në kushtet kur gjykata e apelit ka legjitimuar dhe ka pranuar të marrë në shqyrtim ankimin e paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj sipas autorizimit të lëshuar nga kryetari z.Lulëzim Basha, nuk ka pasur asnjë shkak të arsyeshëm ligjor që të kthente shqyrtimin e çështjes për rigjykim, duke i lënë detyrë gjykatës së shkallës së parë që të verifikojë dhe të konkludojë se kush e përfaqësëson ligjërisht subjektin politik PDSH. Me disponimin e kthimit të çështjes për rigjykim në shkallë të parë, si dhe me detyrat e lëna për zbatim, gjykata e apelit ka ndryshuar natyrën (ritin) e gjykimit të mosmarrëveshjes, pra nga një gjykim gracioz me palë kërkuese, në një gjykim kontencioz me palë kundërshtare. Në këtë rast, gjykata ka krijuar një çështje të re, e cila, nga pikëpamja procedurale ka devijuar tërësisht nga çështja që është shqyrtuar në shkallë të parë."
"Kolegji, vlerëson që pavarësisht faktit se sa ka arsyetuar më sipër në këtë vendim janë argumente të mjaftueshme ligjore për të justifikuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, për efekt të rëndësisë jurisprudenciale, e vlerëson të arsyeshme që të ndalet dhe të analizojë se edhe shkaqet e tjera që Gjykata e Apelit ka cituar në vendimmarrjen e saj, kur ka vlerësuar cenimin e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e kësaj çështje për rigjykim, me një tjetër trupë gjykuese", thuhet ndër të tjera në vendim.
Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit të cilën Gjykata e Lartë e detyron që me një trupë të re gjykuese, të marrë vet ajo vendimin se kujt i takon vula e partisë. Kështu, Apeli do duhet të shprehet për vendimin e Zhukrit që njohu Berishën kryetar, i cili nëse rrëzohet, do ia linte përfundimisht PD-në Bashës.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)