Florian Taçi, ish-drejtor i Kadastrës Gjirokastër

Kronikë

Ktheu zyrën në fole falsifikimi, Apeli i ul 2 vite burg ish-drejtorit të Kadastrës Gjirokastër! Florian Taçi përfiton gjykim të shkurtuar, 4 vite ish-vartësit, lirohet tjetri (VENDIMI)

30 Korrik, 09:47| Përditesimi: 30 Korrik, 11:29

  • Share

Gjirokastër- Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka shpallur fajtor me formë të prerë Florian Taçin, ish-drejtorin e Kadastrës së Gjirokastrës, por duke bërë një ndryshim nga shkalla e parë, teksa i ka zbritur dy vite dënim.

Nga 6 vite burg që ishte dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës, ish-zyrtari është dënuar me 4 vite për dy vepra penale, atë të mashtrimit dhe falsifikimit. Ndërsa Apeli i dha pafajësinë për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", që Prokuroria e kishte përfshirë në dosje.

Kryesuesja e seancës gjyqësore Valdete Hoxha ka vendosur lënien në fuqi të vendimit për dënimin e zyrtarit socialist Florian Taçit, duke ndryshuar vetëm masën e dënimit që kishte dhënë kohë më parë Gjykata e Faktit në Gjirokastër, e cila i kishte akorduar 6 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, pasi Taçi pranoi që kishte konsumuar veprat penale dhe shkaktuar në dëm të qytetarëve dhe shtetit. Apeli ka dhënë 4 vite burg.

Dhe duke parë se Taçi pati kërkuar gjykim të shkurtuar, do të vuajë dënimin me 2.8 vjet. Prej kësaj zbritet dhe koha e vuajtur në shtëpi të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës, ku i mbetet më shumë se 1 vit e gjysmë që të vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Pritet nga momenti në moment urdhër-ekzekutimi nga prokurori i çështjes që Florian Taç të vuajë dënimin e ngelur.

Ndërsa u la në fuqi dënimi për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në aferat e paligjshme Alban Memisha me 4 vite burg, po për falsifikim dhe mashtrim, por që do të vuajë 2.5 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa shpallet i pafajshëm dhe lihet i lirë nga akuza Julian Nakuçi, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër kishte dhënë vendimin për detyrim paraqitje me 8 muaj për 'falsifikim dokumentesh'.

Florian Taçi, ish-kreu i Kadastrës në Gjirokastër dhe Alban Memisha punonjës në këtë institucion, u arrestuan në flagrancë në një aksion blic më 28 Shkurt të vitit 2024 pasi u gjetën duke përpiluar tapi të falsifikuara në zyrën e ish-zyrtarit socialist, pranë Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Taçi kishte akses të plotë në serverin qëndror të Kadastrës së Shqipërisë, nga ku penetronte me dëshmitë e pronësive duke u dhënë prona me vula dixhitale personave të tjerë.

Taçi akuzohet për falsifikim, mashtrim dhe shpërdorim i detyrës, ndërsa u arrestua më 28 Shkurt të këtij viti dhe më pas u la në arrest shtëpiak nga Apeli në muajin Mars, ku qëndroi sipas vendimit që tashmë do i llogaritet pas formës së prerë. Shkalla e parë dha verdiktin më 4 dhjetor 2024, ndërsa tani pritet ekzekutimi i tij.

Vendimi i Apelit të Tiranës:

“Lënien në fuqi të vendimit nr. 21-2024-2082/267, datë 04.12.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për të pandehurin Flotjan Taçi dhe Alban Memisha në lidhje me fajësinë dhe dënimin me burgim për veprat penale të "Mashtrimit" të parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe "Falsifikimi i dokumenteve të parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, si dhe disponimi për provat materiale.-

Ndryshimin e ketij vendimi për pjesën tjetër si vijon:

Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Florian Taçi për veprën penale "Shpërdorim detyre" parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.- Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Julian Nakuci për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve" të parashikuar nga 186/2 i Kodit Penal.- Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimëve të caktuar për të pandehurin Florjan Taçi duke dhënë një dënim të vetëm prej 4 (katër) vjet burgim.

- Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit Proçedurës Penale i zbritet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehurin Florjan Taçi me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. Shpenzimet proçeduriale u ngarkohen të pandehurëve Florjan Taçi dhe Alban Memisha solidarisht

- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër draftit të Kodit Penal, si iu duket?