Hetimet për vrasjen e shqiptarit Erjon Pelivani nga kunati i tij në Greqi në janar të 2024-ës, kanë marrë kthesë të frikshme. Vajza 19-vjeçare ka pranuar se i falsifikoi mesazhet ku vëllai i njerkës e shantazhonte me publikimin e fotove intime pasi kishte abuzuar seksualisht me të. Mbi këto mesazhe të rreme, babai i saj i mori jetën padrejtësisht kunatit.
Një zhvillim dramatik merr në Gjykatën e Larisës vrasja e Erjon Pelivanit nga kunati i tij shqiptar në Greqi me akuzën se i kishte përdhunuar vajzën.
Në një dëshmi të re në gjykatë, 19-vjeçarja ka pranuar se mesazhet që i tregoi babait të saj, Fatmir Tarellari, ishin të pavërteta. Ajo pranon se ka falsifikuar apo montuar tekstin e mesazheve që shkëmbente në fakt me të dashurin e saj, për të bindur babanë e saj se vëllai i njerkës së saj e shantazhonte me publikimin e fotove intime, pasi kishte abuzuar seksualisht me të që prej moshës 9-vjeçare
Më 9 janar 2024, Erjon Pelivani u vra nga burri i motrës së tij, Fatmir Tarellari nga Poliçani, i cili në gjaknxehtësi pasi kishte lexuar mesazhet në telefonin e të bijës dhe në kurthin e fjalëve të 19-vjeçares, e qëlloi me pushkë gjuetie.
Tarellari u njoftua nga pronarja e banesës ku jetonte e bija se nuk ishte paguar qiraja, edhe pse 51-vjeçari ia kishte dërguar rregullisht paratë. Nën presion se ku i kishte shpenzuar paratë e babait, 19-vjeçarja sajoi se ia kishte dhënë lekët Erjon Pelivanit për të mos i publikuar foto intime te saj.
“Më vjen keq për atë që ndodhi” tha në gjyq autori Fatmir Tarellari duke shtuar se kur mësoi për abuzimin ishte në gjendje shoku. Gjyqi do të vijojë me dëshmi dhe të tjera detaje që priten nga hetimet.
Komente
