Partia e Lirisë, përmes së zëdhënëses së saj, Jasmira Memelli, ka reaguar në lidhje me sigurinë ushqimore në vendin tonë, teksa hedh akuza ndaj qeverisë se ka dështuar për të garantuar sigurinë e ushqimeve që konsumojnë shqiptarët.
Sipas PL, tre shtet europiane si Kroacia, Sllovenia dhe Polonia, kanë kthyer mbrapsht , speca, domate dhe pjeshkë, pasi rezultuan me përmbajtje të lartë të pesticideve që rrezikonin seriozisht jetën e konsumatorëve.
“Imagjinoni çfarë ndodh këtu, në Shqipëri, ku kontrollet janë pothuajse inekzistente dhe ku qytetarët tanë nuk kanë as mundësinë e as luksin që kanë vendet e tjera për t’i dërguar ushqimet në analiza laboratorike”, thekson Memelli.
Ndërsa në fund, zëdhënësja e PL-së akuzon qeverinë se në vend që të mbrojë shëndetin e shqiptarëve, ajo mbyll sytë. Ndërsa po ashtu, ajo deklaroi se edhe fermat e brendshme nuk kanë mbështjetje nga qeveria për prodhimin e ushqimeve të sigurta.
Deklarata e plotë:
Sot, shëndeti i shqiptarëve ndodhet nën një kërcënim serioz dhe të përditshëm. Ky kërcënim nuk vjen nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por nga dështimi i plotë i qeverisë për të garantuar kontrollin e ushqimeve që konsumojnë qytetarët tanë.
Qeveria ka braktisur një nga detyrimet themelore të saj, të sigurojë që çdo produkt që hyn në treg, në market, në dyqan apo në tregjet tona të jetë i shëndetshëm dhe i sigurt për konsum. Sot, qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë garanci për atë që blejnë e vendosin në tryezat e fëmijëve të tyre.
Kjo nuk është vetëm një çështje brenda vendit. Është një alarm që tashmë ka kaluar kufijtë. Vetëm muajt e fundit, tre shtete të huaja si Kroacia, Sllovenia dhe Polonia kanë kthyer mbrapsht tre produkte të prodhuara në Shqipëri, speca, domate dhe pjeshkë, pasi rezultuan me përmbajtje të lartë të pesticideve që rrezikonin seriozisht jetën e konsumatorëve. Imagjinoni çfarë ndodh këtu, në Shqipëri, ku kontrollet janë pothuajse inekzistente dhe ku qytetarët tanë nuk kanë as mundësinë e as luksin që kanë vendet e tjera për t’i dërguar ushqimet në analiza laboratorike.
Ky është turp kombëtar dhe një goditje e rëndë jo vetëm për shëndetin tonë, por edhe për imazhin dhe ekonominë shqiptare. Kur produktet tona kthehen mbrapsht nga tregjet e huaja si të rrezikshme, kjo do të thotë se shqiptarëve u shiten çdo ditë produkte që nuk i pranon askush tjetër.
Mungesa e kontrolleve, korrupsioni në inspektorate dhe politikat e dështuara të kësaj qeverie kanë hapur dyert për një kaos të plotë në sigurinë ushqimore. Produktet e importuara hyjnë pa asnjë kontroll serioz. Fermat e brendshme dhe prodhuesit vendas nuk kanë mbështetje nga kjo qeveri për të prodhuar ushqime të sigurta. Tregjet janë kthyer në hapësira ku shiten produkte që shpesh rrezikojnë jetën e qtytetarëve.
Në vend që të mbrojë shëndetin e qytetarëve, qeveria ka zgjedhur të mbyllë sytë, duke i lënë shqiptarët të pambrojtur përballë rrezikut. Në vend që të garantojë siguri, ajo ka zgjedhur të favorizojë interesat e një grushti oligarkësh dhe importuesish të mëdhenj, të cilët pasurohen duke helmuar shqiptarët.
Ky është dështim i pastër dhe prova më e qartë e papërgjegjshmërisë së një pushteti që ka braktisur detyrimin më minimal, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të popullit të vet.
Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për qytetarët, jo një pushtet që i sakrifikon për interesa klienteliste. Është koha që të thirret përgjegjësia, që të ketë transparencë dhe që të ndërpritet menjëherë ky mashtrim i rrezikshëm që po i kushton shumë shëndetit dhe jetës së çdo familjeje shqiptare.
Faleminderit!
Komente
