Politikë

Kthupi: Situatë absurde, Berisha refuzoi votimin elektronik, tani ankohet për vjedhje! Baçi: PD-ja gaboi! Deda: Me këtë Kod e kanë të vështirë

5 Qershor, 22:37| Përditesimi: 5 Qershor, 22:44

  • Share

Emisioni ‘Frontline’ në Report Tv analizoi sot situatën paszgjedhore dhe politike, ku ankimimet kanë kaluar në një fazë të re si nga kandidatët ashtu edhe nga PD-ADSHM, me rrëzime në disa raste dhe në krahun tjetër nisma e KAS për rinumërim të të gjitha kutive të qarkut të Tiranës.

Të ftuar të moderatores Marsela Karapanço kanë qenë deputeti i “Djathtas 1912” Rezart Kthupi, gazetarët Agim Baçi dhe Reldar Deda, si dhe kandidatja e PD-së në qarkun e Durrësit, Ilirjana Kuçana, e cila ka ankimuar dhe akuzon për vjedhje votash brenda partisë në dëm të saj dhe në favor ish-prokurorit të shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.

Deputeti aktual i Kuvendit, kandiat i “Djathtas për Zhvillim”, Rezar Kthupi, e cilësoi situatën ku ndodhet Partia Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit si në kufijtë e absurdit.

“Duket si situatë në kufijtë e absurdit. Edhe pretendimet e Berishës për transparencë nuk qëndruan, pasi nuk i përfaqësoi kandidatët e tij në ankimime. Komisionerë dhe numërues janë përfaqësues të partive politike. Absurdi tani është se kemi kandidat të partive politike që ankohen për rezultatin dhe partitë e tyre nuk i përfaqësojnë në ankimim. Tani na dalin dy partitë e mëdha që kanë nga dy komisionerë, PD e PS dhe na deformojnë procesin aty ku nuk duhet ta bënin. Dhe teksa ruajnë njëri-tjetrin, bëjnë edhe këtë deformim, pra bëjnë marrëveshje për vjedhje. PD ishte partia që e kundërshtoi vetë numërimin elektronik, edhe pse e kishte në tavolinë propozimin”, tha ai.

Kurse gazetari Agim Baçi ngriti pyetjen pse çështjet nuk u ngritën nga përfaqësuesit e PD-së para zgjedhjeve, që të mos ndodhnin situatat aktuale të pas 11 majit me kontestime dhe vjedhje votash brenda partisë.

Ai i qëndroi mendimit se në qarqet ku opozita pretendonte ndërhyrje të bandave e kishte mundësinë për procesin e votimit elektronik dhe e refuzoi.

“Unë ndaj idenë që nuk mund të jenë ca të nënës dhe ca të njerkës, ku ca luftojnë dhe të tjerë jo. Kushdo që kërkon dinjitetin e votës së vetë unë e vlerësoj. Por unë mendoj se PD duhet të ishte e para që kërkonte votimin elektronik, për më tepër kur ishte çështja e bandave apo pushtetit. Situatën e njohim pothuajse, sidomos në Elbasan, Tiranë dhe Durrës, ku me numërim elektronik mund të shmangej. Ky diskutim duhej bërë që në fillim, para zgjedhjeve, që me listat, dhe jo tani. Zonja Kuçana ka të drejtë, por duhet të bëhej më parë, edhe pse ka paradokse kjo situatë edhe për vetë PD-në brenda nga ky proces. Mendoj se devijimi i votave brenda partisë ka qenë më shumë në krahun tjetër se te PD, por forca e kauzës së PD-së bie nëse kjo del e zbuluar. Për kauzën që ka PD-ja, kjo gjë nuk e ndihmon. Por për dinjitet duhet të bëhet transparenca, për të parë se sa është votuar. Zoti Berisha me SMS po e zgjidh, por me vulë nuk po e bën këtë mbështetjen për transparencë. Madje është paradoks sepse PD i nxori gështenjat me dorën e KAS-it për ankimimet e kandidatëve”, tha ai.

Gazetari Reldar Deda nënvizoi:

“Me këtë Kod Elektoral e shoh shumë të vështirë që PD të vijë ndonjëherë në pushtet. Sidomos me këto numra dhe me reformat që i duhen, e ka të vështirë ta arrijë. E vetmja mënyrë është në tavolinë, sepse PD i është larguar të gjitha proceseve dhe reformave ndër vite, ka qenë shumë larg”.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?