Kthyen bodrumin e një lokali në ‘shtëpi bari’ në Bushnesh të Kurbinit, arrestohen 7 persona, mes tyre 4 elektricistë të OSHEE-së! Sekuestrohen 58 kg kanabis e 506 bimë narkotike (VIDEO)

24 Dhjetor 2021, 08:52| Përditesimi: 24 Dhjetor 2021, 09:17

  • Share

LEZHË- 7 persona janë vënë në pranga të policisë pas një operacioni anti-kanabis të koduar ‘Bushneshi’, mes policisë së Krujës dhe të Lezhës. Lek Allamani, 54 vjeç, Taulant Baroka, 27-vjeç dhe Gimi Hida 43-vjeç janë arrestuar, pasi kishin përshtatur katin e parë të një banese, ku kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Report Tv siguroi dje pamjet ekskluzive të bimëve narkotike të gjetura në bodrumin e lokalit, ku duken me qindra bimë të mbjella në vazo, ndërsa për rritjen e tyre, bodrumi është pajisur me llamba të fuqishme.

Gjithashtu janë arrestuar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", shtetasit: Xhemal Danieli, 58 vjeç, banues në Bushnesh, më detyrë elektricist, Xhevalin Kaca, 56 vjeç, banues në Mamurras, me detyrë elektricist, Bib Gjergj, 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, me detyrë përgjegjës në OSHEE Kurbin dhe Alfred Fufi, 53 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE, pasi dyshohet se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në transformatorin elektrik me pjesën e jashtme që furnizonte me energji ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 506 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo dhe 58 kilogramë e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa.

Në këtë ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për bimët narkotike etj.

Të arrestuar në kuadër të operacionit "Bushneshi", akuzohen për veprat penale  "Kultivimi të bimëve narkotike " ,"Prodhimi dhe shitja e narkotikëve " dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ".

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?