TIRANË- Pas kaosit të rikthyer, deputeti Flamur Noka përjashtohet me 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Partia Socialiste iu kthye ‘skenarit’ të vjetër, ku kërkoi përjashtimin e 5 protagonistëve. Por, ndëshkim u mor vetëm për Nokën, ndërsa Sekretariati i Etikës fali Gazment Bardhin, Ervin Salianjin, Luan Baçin dhe Edi Palokën.
Flamur Noka ishte protagonisti i zellshëm i kaosit, i cili që në nisje të seancës plenare mbante foltoren e Kuvendit të bllokuar, pas kërkesës për rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar të PD. Më tej, Noka përdori fjalë ofenduese ndaj kryeparlamentares, Lindita Nikolla, duke e cilësuar si turp të Kuvendit, apo duke e cilësuar si përfaqësuese të narko shtetit.
Më tej Noka u përplas edhe me anëtarë të kabinetit qeveritar, ndërsa në një moment nuk lejoi deputetin socialit Nasip Naço që të mbajë fjalën duke i marrë mikrofonin, ndërsa shtyu edhe punonjësin e Gardës.
“Deputeti Flamur Noka që në nisje pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke mbajtur të bllokuar foltoren dhe mikrofonin. Deputeti ka përdorur disa herë fjalë të rënda fyese e kërcënuese ndaj Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të cilët mbajtën fjalën e tyre nga vendi për shkak të bllokimit të foltores.
Gjithashtu Noka i ndërpreu fjalën deputetit të Partisë Socialiste z. Nasip Naço dhe u konfliktua me punonjësin e sigurisë i cili ishte aty pranë. Kryetarja e Kuvendit i tërhoqi disa herë vëmendjen z. Noka për sjelljen e tij duke i kërkuar që të riktheheshin në normalitet, por sjelljet e tij vijuan të jenë të njëjta, duke detyruar Kryetaren t'i japë masë disiplinore "përjashtim nga seanca plenare", thuhet në kërkesë.
Kaosi në seancën plenare të 6 qershorit erdhi pas kërkesës së Bardhit për rikthimin e sali Berishës në grup parlamentar, por Kuvendi nuk e pranoi me argumentin se duhet të ketë një vendim partie.
Kliko këtu për te parë dokumentine plotë