Nëse sheh skena politikanësh/esh në mega-vila prej padrinosh, me megafesta e shampanjë vërtetë si në ato filma të shndërruar tashmë në kult, me ndërhyrje estetike më të shumta edhe se të një Dive Hollivudi, të rrethuar e ndërthurur me eksponentë të krimit të organizuar, ku është kufiri mes krimit të organizuar dhe politikanëve të organizuar? Nëse politikanë/politikane kanë njerëz të besuar eksponentë të krimit të organizuar, ku është kufiri mes tyre dhe cilët në të vërtetë kërcënojnë?
Nëse media të caktuara punojnë fort për të përzier letrat duke lenë të kuptojnë se jemi të gjithë njësoj: Dumani, njësoj si Llalla, Kraja njësoj si Gjin Gjoni, ku qëndron kufiri mes legalitetit dhe krimit të organizuar? Ku qëndron ndryshimi mes një shtëpie të blerë me sakrificat dhe ëndrrat e një pune e të një familje dhe vilave dhe pasurive të bëra me kriminalitet të organizuar dhe korrupsion?
A jemi në gjendje ta bëjmë diferencën, dallimin pas 30 viteve përzierje të qëllimshme? Prokurorët sot kërcënohen nga krimi i organizuar, që ka ekzistuar që në ditët e para të demokracisë, me trafikimet e qënieve njerëzore, me Piramidat, trafikun e drogës dhe armëve, apo nga politika që po preket për herë të parë nga embrioni i Drejtësisë dhe po organizohet? Sa e gjatë është lista e bandave dhe e krimit të organizuar të goditur në vite, që nga bandat e Korçës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Shijakut, Fierit, Tiranës etj. që nga Zani Çaushi, te Lul Berisha, nga 5 dyqanet te Çapajt, Vis Martinaj etj. dhe kur ka nisur goditja e politikanëve nga drejtësia e re? Atëherë nga kush po kërcënohen sot prokurorët?
As nuk e kishim menduar ndonjëherë se një vend i vogël si Shqipëria mund të prodhonte në këto vite kaq shumë “oligarkë rusë” dhe shumica vijnë nga politika e të gjithë ngjyrave, përzier bukur me media e showbiz. Cili prej tyre është i lumtur të shohë t’i sekuestrohet luksi i tejskajshëm dhe imuniteti bashkë me të?