Fotografimi i një nishani apo shenje në lëkurë mund të jetë hapi i parë drejt diagnostikimit të kancerit të lëkurës. Risia absolute vjen falë një aplikacioni të inteligjencës artificiale, i cili analizon imazhin dhe të “bën diagnozën” e parë nëse mund të ketë shenja të sëmundjes. Por kujdes, mjekët e thonë që në fillim, diagnoza përfundimtare duhet të jepet gjithmonë nga një specialist.
“Mund të jenë edhe ne duar të individit, te vet pacientit mjafton vetëm një download-im i thjeshtë. Janë edhe në duar të vetë mjekëve, por në fund të ditës kërkohet vula klinike. Pra duhet ta konfirmojë edhe një mjekë që ti me vërtet mund të vuash nga një patologji e caktuar, sidomos atyre kancerit të lëkurës që janë me problematike e më pas të vazhdohet me protokollet qe ndiqet në të tilla raste”, shprehet dermatologia Erjona Shehu.
Por a mundët që aplikacione të tilla të jenë edhe në përdorim të vetë bluzave të bardha?
“Është shumë shpejt akoma. Edhe vet inteligjenca artificiale është duke u rritur. Pavarësisht se ka më shumë se një dekadë që përdoret në dermatologji është në rritje e sipër. Do presim edhe do aplikohet patjetër”, shprehet Shehu.
Për mjeken dermatologu, Erjona Shehu zhvillimi i teknologjisë është gjithmonë i mirë nëse përdoret në mënyrën e duhur, teksa kujdesi ndaj abuzuesve duhet të jetë maksimal
“Marrin përsipër se për hir të klikimeve, qartë për përfitime financiare, të vetëquhen “influencer” edhe të keqndikojnë në shëndetin e grup popullatës që i shërben të rinjve edhe adoleshentëve. Dëmtojnë shumë pacientët me këshillat apo pseudo këshillat që ato japin kështu që te themi se kohët moderne përfshirë ndoshta edhe inteligjencën artificiale kanë sjell në vetvete rritjen e numrit të individëve që vijnë të dermatologu”, thekson Shehu.
Megjithatë ekspertët besojnë se kombinimi i inteligjencës artificiale me ekspertizën e mjekëve mund të jetë një hap i rëndësishëm në parandalimin të kancerit të lëkurës.
“Pacientëve u jepet mundësia të parandalojnë, të kapin në kohë problematika shumë akute të cilat mund të jenë më vonë shumë të rënda nëse neglizhohen. Por çdo pacient ka problem ndryshe, çdo pacientë është ndryshe nga një tjetër, që do të thotë ne u sugjerojmë mos përçapen lartë e poshtë për të gjetur informacione online, por duhet të shkojnë atje kur duhet të marrin përgjigje konkrete. Megjithatë ndërthurja e inteligjencës artificiale me inteligjencën natyrale që jemi ne, krijon feedback maksimal”, thotë Ermand Meternika, inxhinier i Bio-mjekësisë.
Ditë më parë, kompania britanike e teknologjisë “Skin Analytics” mori miratimin nga organet rregullatore për aplikacionin “DERM”, i cili përdoret për zbulimin e kancerit të lëkurës. Ky aplikacion lejon përdoruesit të fotografojnë një zonë të dyshimtë të lëkurës dhe të marrin një analizë paraprake, thuajse të menjëhershme.
Komente
