Ku të dëgjojmë e sqarohemi, ku?

9 Mars 2022, 20:29| Përditesimi: 9 Mars 2022, 20:35

  • Share

Përveçse disa testime të parëndësishme, zgjedhjet lokale të 6 marsit nuk patën vlera, përveçse ato të një njoftimi, pas të cilës nuk duhet humbur përqendrimi nga çështjet e ditës. Por jo! Gazetari dhe qejfliu i “konvikteve të refugjatëve” të luftës, plot dy net radhazi merret me këto zgjedhje. Bashkë me të ftuarit e vet, e ka futur shikuesin e ekranit në gjënë më të padobishme e më të mërzitshme në botën e sotme: Shqipëria dhe zgjedhjet lokale.

Një  grua, gazetarja Meçe në opinionin e të martës, duke nxjerrë konkluzione nga zgjedhjet në Lushnjë, ku “në formë proteste hidhen në rrugë produkte bujqësore dhe sot aty votohet masivisht për socialistët”, parashikon se Shqipëria ndodhet përpara një revolucioni shoqëror”. Kaq, është e bollshme për të kuptuar një herë e mirë se në këtë botë gjithçka mund dhe do të ndryshojë. Mundet edhe të “zhduket” bota nga faqja e dheut. Por një gjë jo, bunkeri i padepërtueshëm i një pjese të gazetarisë shqiptare e veçanërisht “Opinion”-et e saj.

Europa dhe Bota po tronditet deri në palcë nga frika e një konflikti atomik e mbarë botëror. Energjia e saj edhe se mungon, prapë po “groposet” nga lufta e konkurrencës midis dy regjimeve. Po vihet në pikëpyetje buka e përditshme. Miliona njerëz lenë vatrat e në acar të dimrit strehohen në rastin më të mirë nëpër çadra e kapanone. E prapë asgjë e sigurt, asgjë nuk kuptojmë dhe asgjë të prekshme në horizont.

Çfarë duhet të bëjmë, a duhet të kursejmë, duhet të shikojmë apo sistemojmë strehimet nëntokësore, garazhet, katet përdhese, periferitë, luginat e kodrinat, gjithçka të mundshme që rekomandojnë ekspertët? A duhet të bëhen përpjekje për një lloj mobilizimi ushtarak minimal, të paktën për të mësuar se si të mbrohemi nga rreziku i sulmeve ajrore? Ore, në fund të fundit çfarë duhet të bëjmë? Të dëgjojmë këto lloj emisionesh, të cilat përveçse janë tepër qesharake nga forma, në përmbajtje janë tronditëse dhe ë kundërshtim me interesat e vendit?

Të paktën, një gjë të sqarojmë. A jemi vend anëtar i NATO-s? Në se po, çfarë dhe si mund ta rezonojmë pulsin e jetës tonë me atë të kësaj aleance? Të flasësh tani se si dhe kush nga drejtuesit e Partisë Demokratike ka dalë kundër Bashës, pse ai ka humbur zgjedhjet në Rrogozhinë apo në Vorë, çfarë tha Gjekmarkaj “burrënori”e pse dha dorëheqjen zonja Açkaj, si reagoi zonja Duma e pse nuk ka dalë në skenë zoti Bardhi etj? Kjo është më tepër se e turpshme, është tragjikomedi në kurriz të vendit.

Të reklamosh se sa i zoti është “doktori”, që edhe pse plak arriti të fitonte vendin e dytë dhe bëri të mundur fitoren absolute të qytetit të Shkodrës, pa e patur parasysh se po flet për një person “non grata”, me motivin e një armiku të deklaruar ndaj demokracisë dhe sigurisë të shtetit të madh Amerikan, andej nga sot i ka hedhur sytë gjithë bota, performanca e të cilit vendos përfundimisht për paqen apo për luftën, kjo është një fatkeqësi e plotë për ne. Sepse nuk mund të jemi aq naiv e të besojmë se një qytet si Shkodra që udhëhoqi në të kaluarën luftën ndaj komunizmit, sot të frymëzohet nga një ish “komunist”, që qelbi dhe përvëloi një vend të tërë, që degradoi sistemin demokratik në të kundërtën e tij, që e ka asgjësuar totalisht e përfundimisht jo vetëm opozitën shqiptare, por që ka qenë fara e keqe që ka kalbur krejt sistemin politik në vend. Nuk mund të arijmë të besojmë se një qytet si Shkodra, të mund të gëzojë e festojë faktin që votoi radhitjen e vet në pozicionin e një qyteti në krye të të cilit këtej e tutje do të valëvitet flamuri anti amerikan “non grata”. Çfarë ka ndodhur në Shkodër kështu?

Çfarë ndodh me ne? Jemi një shtet i marrë fund e përpëlitemi kot nën injorancën e pamerituar të një grushti të ashtuquajtur intelektualë, që na manipulojnë moralisht e na sakatojnë politikisht për hir të interesave të tyre mafioze, apo jemi një popull i tradhtuar, fundi i të cilit fillon e vjen ashtu si pa e kuptuar, me zgjedhje demokratike si këto tonat, kur matanë nesh demokracinë sot e kanë veshur me uniformë ushtarake dhe ku popujt e Europës po jetojnë ankthin e çizmes të ushtarit të egër rus e të një populli si ai i Ukrainës, që jo më tepër se 1500 kilometra larg nesh betohet “ja vdekje ja liri”? Ku ti dëgjojmë e diskutojmë këto shqetësime, këto dilema jetësore? Ku?

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?