Pas dy barazimeve radhazi Franca është rikthyer tek fitorja në grupin D kualifikues të Botërorit 2022. “Gjelat” kënduan sërish pasi mposhtën 2-0 Finlandën një nga rivalët direkt dhe shkëputën në klasifikim. Sfidën e vendosi dygolëshi shumë i bukur i Antoine Griezmann ndërsa transalpinët kryesojnë me 12 pikë 7 më shumë se vendi i dytë.
Holanda hakmerret dhe turpëron Turqinë duke u ngjitur në krye të grupit G me 13 pikë po aq sa edhe Norvegjia. Tulipanët luajtën tenis me Turqinë duke e mposhtur 6-1 ku shkëlqeu me tre gola Memphis Depay ndërsa nga një gol e shtuan Klasen, Til dhe Malen.Fitore jetike për Holandën për të siguruar vendin e parë dhe biletën direkte për në Katar.
Gianni De Biasi nuk bën dot më mrekulli ndaj Portugalisë. Luzitanët edhe pse pa Ronaldon e mposhtën Azerbajxhanin e trajnerit italian 3-0 dhe marrin të vetëm kreun e grupit A me 13 pikë dy më shumë se Serbia. Golat u shënuan nga Bernardo Silva, Andre Silva dhe Diogo Jota.
Në grupin F Danimarka di vetëm të fitojë dhe thuajse e ka siguruar bilëtën për në fazën finale të Botërorit. Danezët bënë goleadë mbrëmë ndaj Izraelit rivalit më të afërt duke e mposhtur 5-0. Skocia mban vendin e dytë në grup pasi fitoi 1-0 ndaj Austrisë.
Pas 6 ndeshjeve të para kualifikuese Kroacia dhe Rusia bashkëkryesojnë grupin H me nga 13 pikë. Kroacia likuidoi Slloveninë duke e mposhtur 3-0 në Split me golat e Livajas, Pasalic dhe Vlasic. Rusia kaloi lehtësisht 2-0 Maltën./ Përgatiti Andi Kapxhiu