Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, ishte një nga të ftuarat sot në emisionin ‘Studio Live”. Ajo u shpreh e bindur se PD do i fitojë zgjedhjet e 11 majit dhe nuk i beson sondazhit, duke e quajtur jo realist.
Por pranoi se opozita ka problematika brenda saj që duhen zgjidhur brenda këtyre 4 muajve dhe që të shkohet në zgjedhje në mënyrë të unifikuar, për të maksimalizuar votën dhe për të fituar pushtetin pas 12 vitesh.
“Nuk na rezulton kjo shifër, se të thuash se Rama do marrë 80 mandate, do të thotë se Rama ka bërë gjithçka mirë, kur kemi nivelin e krimit, masakrën zgjedhore dhe vetë socialistët nuk e besojnë. Madje edhe intelektualët socialistë më kanë thënë se do votojnë alternativat dhe jo PS. Unë jam e bindur se PD do vijë në pushtet, kam bindjen e brendshme. Patjetër që ka gjëra për të rregulluar dhe përmirësuar, për të zbritur në terren me qytetarët. Ka një kauzë më të madhe se partia, Shqipëria është në rrezik. Nuk do bie asnjëherë në debatin e brendshëm me njerëz që kam qenë bashkëpunëtore. Luftën s’e kemi as me Bashën dhe as me Shehajn apo ndonjë tjetër dhe unë nuk do bie kurrë pre e debateve të brendshme, po për ta çuar Shqipërinë para”, u shpreh ajo.
Në lidhje me shifrat e sondazheve që ka vetë opozita në krahasim me ato të publikuara në Report TV, ajo shprehet se PD do fitojë.
“Unë mendoj se Rama i ka keq sondazhet dhe ka shqetësim të madh. Sondazhi është i paguar. Ne kemi të dhëna e sondazhe të tjera. Rama e tregon panikun dhe frikën dhe e sheh që njerëzit e tij të afërt do jenë shumë shpejt atje ku e meritojnë, Balla, Veliaj etj. Jo vetëm kaq por po detyrojnë administratën për të siguruar 10 vota për punonjës administrate me listë. Rama nuk do ia çonte diasporës njeriun që nxjerrin përgjimet me bandat kriminale. Unë jam pro bashkimit, me front të gjerë opozitar për të ardhur në pushtet”, shprehet për ‘Report TV’.
E pyetur për kallëzimin që PD i ka bërë për anëtaren e Kushtetueses, Marsida Xhaferrllari për bashkëjetesën me deputetin Enkelejd Alibeaj ajo shprehet se duhet ta kishte deklaruar si një funksionare e drejtësisë.
“Për zonjën Xhaferrllari në Kushtetuese duhet bërë transparencë dhe ajo nuk e ka bërë, duhet ta deklaronte, ne nuk jemi kundër bashkëjetesës (me Alibeajn), por duhet ta kishte deklaruar”, u shpreh ajo.
Kuçanaj kontestoi një nga mendimet e të pranishmëve se Berisha duhet të sillej si qingj e të tërhiqej apo dorëhiqej nga PD.
“Mendoj se Berisha është qendrestari i vetëm që ka mbetur, i vetmi që i del Ramës përballë, nuk është as ujk as qingj”, përfundoi ajo.
Lajmi kryesor:
Debati në ‘Studio Live’/ Haklaj: Rama mban peng Berishën, PD do i kalojë Argitës! Saliu shiti Salianjin te amnistia, sepse i doli me hu te selia më 2021
A.Q/ReportTv.al