Kandidatja demokrate për qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit, Ilirjana Kuçana, është e bindur se vota brenda PD-së është trafikuar dhe përveç saj ka edhe shumë kandidatë të tjerë të opozitës të dëmtuar nga ky proces.
Për këtë qëllim ajo u shpreh sot në “Studio Live” të Report TV, se kërkon jo vetëm rinumërim të pjesshëm për Durrësin siç vendosi KAS-i, por hapjen totale të tyre, për të zbuluar të gjitha shkeljet dhe devijimin e votës dhe leximit drejt të saj.
Nëse kërkesat e saj nuk merren parasysh, Kuçana paralajmëroi se jo vetëm do i publikojë pamjet e shkeljeve nga filmimet për kutitë që nuk do rinumërohen, por do e çojë këtë çështje deri në Gjykatën Kushtetuese dhe Strasburg, pasi 'beteja është për votën e lexuar drejtë dhe transparencë dhe jo personale'.
E pyetur nga moderatori Arbër Hitaj për situatën paszgjedhore, Kuçana u përgjigj se PD ka nevojë për reflektim dhe analizë të thellë, reformim dhe hapje më të madhe të partisë, teksa shfajësoi nga të gjithë vetëm kryetarin Sali Berisha, për të cilin tha se është kundër dorëheqjes së tij apo largimit, sepse vetëm ai mund t’i rrijë përballë Edi Ramës.
“Mendoj se Durrësi duhet të ishte hapur për të gjitha kutitë. Kërkesa jonë u rrëzua në KAS, por beteja jonë dhe imja do vazhdojë. Do ankohemi deri në Gjykatën Kushtetuese, dhe aty mendoj se do marrim të drejtë dhe do japin vendim të drejtë. Duam rinumërim të të gjithë kutive në Durrës. Ndryshe do shkojmë deri në Strasburg për këtë çështje. Deri tani është pranuar një hapje e pjesshme”, u shpreh Kuçana.
Ajo mendon se provat që do gjenden gjatë rinumërimit të pjesshëm të vendosur nga KAS, do shërbejnë edhe për të bërë kërkesën e dytë që të rihapen të gjitha, kurse qëllimi nuk është beteja personale sipas kandidates, por transparenca dhe e drejta legjitime për votën e lirë.
Ajo tregoi edhe një rast kur i janë devijuar 5 vota, ku e ka kapur vetë në flagrancë duke qenë prezente dhe dyshon se si ky rast mund të ketë shumë të tjerë.
“Kemi rreth 540 qendra votimi në Durrës, ndaj kërkojmë hapjen e të gjithave. Kjo bëhet për transparencë, që vota të lexohet drejt, betejë për legjitimitet jo luftë personale. Dua që çdo votë e Ilirjana Kuçanës të lexohet drejt. Ka ndodhur në prezencën time, më kanë hequr 5 vota në sy, ia kanë dhënë një kandidati tjetër brenda PD-së. U kam dhënë mundësinë komisionerëve për të korrigjuar gabimin dhe është rregulluar në procesverbal. Gjithë beteja duhet bërë për votën e lirë. Bëhet një betejë për votën dhe demokracinë dhe ata që na kritikojnë tani, do na kuptojnë më pas. Unë këtë betejë do e çoj deri në fund këtë betejë”, tha ajo për Report Tv.
Kuçana thekson se mendimin e saj ia ka thënë edhe kryetarit Sali Berisha, se bëhej betejë për drejtësi dhe se votat brenda partisë ishin trafikuar dhe ka shumë kandidatë të dëmtuar nga ky devijim.
“Nuk e kam shkëputur asnjëherë mendimin tim me zotin Berisha, ia kam thënë vendimin tim për këtë betejë, nuk ka qenë kundër kësaj beteje time. Berisha ëshë në krah të kandidatëve dhe kësaj beteje për transparencë. Unë di t’ju them se vota ime dhe e kandidatëve të tjerë u është devijuar apo trafikuar vota. Ju do ta shikoni, jo vetëm mua dhe zotit Kalaja u janë devijuar votat, por edhe kandidatëve të tjerë. Pasi të hapen këto kuti dhe të shikohet se çfarë ka ndodhur, ne do kërkojmë edhe hapjen e kutive të tjera. Koha do na japi të drejtë në këtë betejë, votat tona janë trafikuar, sikur një votë të jetë, e dua atë votë në emrin tim”, shpjegoi kandidatja.
Nëse kishte urdhër nga lart për këtë devijim vote ajo nuk di ta thotë, por nëse veprimet janë kriminale nga ana e komisionerëve, kjo i takon drejtësisë që të bëjë punën e saj. Madje këmbëngul se betejën e saj për drejtësi vote do e çojë deri në fund, edhe nëse kërkesa për hapjen totale i rrëzohet më tej.
Dhe këtë do e bëjë nëpërmjet shfaqjes së filmimeve që do gjejë nga verifikimet.
“Nuk di të them nëse ka pasur klane apo janë dhënë porosi, por cilido të jetë prej tyre, ata për çdo veprim rrezikojnë, kushdoqoftë ai, nuk duhet ta shkelin ligjin. Shumë prej numëruesve e dinë se e vërteta do të dalë. Nuk jam prokurori apo gjykatë, nuk flas në emër të drejtësisë, por unë do e bëj me transparencë me pamje filmike, edhe nëse KAS nuk do e marrë parasysh kërkesën. Në Facebook do nxjerr pamje të filmimeve të rasteve të trafikimit të votës. Ndaj KAS duhet të marrë vendim për transparencën dhe leximin e drejtë të votës”, u shpreh Kuçana.
Kandidatja i qëndron tezës se kishte edhe farsë elektorale më 11 maj dhe ndikim të pushtetit, sikurse në rastin e qarkut të Durrësit ku u përdorën edhe bandat kriminale. Kuçana theksoi se PD ka nevojë për një reformë dhe reflektim të thellë, analizë dhe prurje të reja, me hapje të partisë.
“Ne jemi në një fazë ku do demaskojmë farsën zgjedhore. Kjo ka të bëjë pikërisht me këtë, qoftë brenda apo jashtë partisë. Edhe ata do ekuptojnë mëvonë. PD do ketë analizë të brendshme për zgjedhjet e 11 majit. Duhet të ketë një reflektim të thellë për PD dhe në PD.para kemi zgjedhjet lokale, patjetër duhet të ketë reflektim, ristrukturim, përfaqësim me njerëz dinjitozë. Kur reflektohet dhe reformohet, mbahen edhe përgjegjësi. Të gjithë që kemi përgjegjësi, nuk përjashtoj as veten time. Rama dhe pushteti i tij ka kapur me forcë çdo pushtet në vend”, nënvizoi ajo për “Studio Live”.
Por a duhet të jetë edhe Berisha që si kryetar duhet të mbajë përgjegjësi dhe të respektojë statutin me “nenin Basha”? Kuçana ndau mendimin që përgjegjësi në PD duhet të mbanin të gjithë përveç atij, pasi sipas saj berisha e ka mbajtur i vetëm partinë dhe vetëm ai mund të përballet me Ramën.
“Berisha është kryetar i PD, nëse pjesa tjetër do bënte sa gjysma e tij, PD do kishte dalë edhe më mirë. Problemi i PD nuk është Sali Berisha, ai i ka kaluar të gjitha pushtetet. Nuk nis përgjegjësia në PD prej atij, ai është aty për misionin. Ai është i vetmi për mendimin tim që mund t’i dalë përballë Edi Ramës. Ishte një masakër zgjedhore dhe elektorale. Por patjetër duhet edhe reflektimi, analiza, hapja e PD-së, të ketë përfaqësim edhe me prurje të reja. Unë mendoj se hapja e PD nuk është bërë sa duhet, të hapet edhe më shumë, që të ketë edhe elektoralin gri dhe të tjerët”, përfundoi kandidatja demokrate.
Një tjetër kandidat që ka ankimuar dhe kërkon rinumërimin në të gjithë qarkun Durrës, është Aulon Kalaja, i cili thotë se ka prova se vota brenda PD-së u devijua nga komisionerët. Ai dhe Kuçana nuk arritën dot të fitonin vendin nga lista e hapur për deputet, që ua mori ish-prokurori i shkarkuar nga Vettingu, Arjan Ndoja, në favor të të cilit pretendojnë se janë devijuar votat.
Dy kandidatët mendojnë se po të rinumërohen të gjitha kutitë për votën preferenciale,jo vetëm do gjenden provat e një trafikimi vote, por mund të ndryshojë edhe rezultati i 11 majit për qarkun.
Komente
