Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun Durrës në zgjedhjet e 11 majit, Ilirjana Kuçana, nuk arriti të fitonte dot mandatin e deputetes pas certifikimit që ka bërë KQZ-ja, por e ka ankimuar në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor, pasi pretendon se i janë vjedhur votat preferenciale brenda subjektit.
Ajo ishte e ftuar sot në emisionin “Frontline” në Report Tv, nga moderatorja Marsela Karapanço, ku shpjegoi se lufta e saj bëhet për dinjitet dhe transparencë, pasi ka dyshime të forta që u kthyen në prova dhe ndodhet në betejën e saj juridike deri sa të bëhet drejtësi.
“Kam kërkuar në KAS rinumërimin e kutive dhe e kam çuar edhe në Kolegjin Zgjedhor. Kam seancë më 12 qershor, kam të drejtën kushtetuese ta kërkoj. Kodi Zgjedhor ka krijuar një garë të pabarabartë dhe si opozita ashtu edhe mazhoranca duhet të ndërhyjnë ta ndryshojnë këtë Kod, sepse mua dhe të tjerët na ka nxjerrë të dëmtuar në këtë garë. Madje të futet edhe votimi elektronik. Votat e mia nuk janë as të blera, as të vjedhura, janë vota zemre dhe jam krenare për fushatën. Unë thjesht dua që vota të mos feormohet apo trafikohet. Kam pasur indiciet e mia nga brenda se ka pasur probleme dhe dyshime, kurse tani i kam edhe me fakte, se është devijuar vota brenda partisë”, u shpreh Kuçana.
Ndërsa theksoi se tani po mbështetet edhe nga partia, kandidatja ngriti edhe shqetësimin se në Durrës zgjedhjet u zhvilluan edhe nën kërcënimin dhe presionin e bandave kriminale që kontrollojnë qytetin. Ajo kërkoi gjithashtu edhe lista me kandidatë të denjë dhe integritet, teka këmbënguli për transparencë dri në fund.
“Në Durrës bandat kriminale janë të fuqishme, bëhet fjalë për banda kriminale që dominojnë qytetin, ndërhyjnë në zgjedhje, emërojnë drejtorët. U bë fushata nën presionin e bandave kriminale në Durrës. Unë kam ankesa edhe për listat, edhe për ata që shkojnë në parlament, me figurat që përfaqësojnë, këtë nuk mund ta pranojmë. Aktualisht kam marrë pamjet filmike dhe po verifikoj ZAZ-të ku kam dyshime dhe që po i konstatojmë. E kam marrë mbështetjen e PD-së pas kësaj, edhe nga kreu i saj, e do i shkojmë deri në fund procesit. Shqiptarët duan transparencë, beteja bëhet për dinjitet dhe jo për mandat. Është betejë edhe për socialistët që nuk flasin”, u shpreh Kuçana.
Komente
