Banorët e Lumasit kanë protestuar përpara bashkisë së Kuçovës, pasi kundërshtojnë ndërtimit e një ujësjellësi të ri në vendburimin e Sinecit.
Sipas tyre, bashkia pa kryer konsultime në komunitet ka filluar punën për ndërtimin e ujësjellësit. Ata kundërshtojnë pasi Sineci është i vetmi burim natyror që e shfrytëzojnë prej vitesh për të vaditur tokat bujqësore si dhe për ujë të pijshëm.
"Është një projekt për të marrë ujin e Sinecit për ujësjellësin, por kjo do të ndikonte në ekosistemin e zonës dhe e dyta ne jemi një komunitete atje që vetëm me këtë ujë mbijetojmë", tha një banor në protestë.
"Ne do mundohemi me çdo kusht ta mbrojmë, pasi duam të hamë, duan të hanë fëmijët. Ajo tokë që kemi ne po nuk u vadit nuk prodhon më", tha një tjetër.
"Po u mor dhe Sineci, siç jemi të na ngrenë se atje nuk jetohet më", u shpreh një banor tjetër në protestë.
Kryebashkiaku Kreshnik Hajdari ka pritur disa përfaqësues të protestës, por pa arritur t'i bindë ata për domosdoshmërinë e ujësjellësit të ri.
"Kemi mbledhur 300 firma për ta ndaluara këtë projekt, pasi është mbijetesa jonë. Pastaj është vend turistik që vijnë nga Çekia, Polonia etj. Të bëhet në një vend tjetër, jo të preket burimi", tha një banor pas takimit me kryebashkiakun e Kuçovës.
"Janë me qindra tokë që vaditem me atë ujë, nëse merren ato toka do të thahen", tha një tjetër.
Kjo është e disata herë që banorët protestojnë pasi uji i burimit të Sinecit përdoret si ujë komunal për 4 fshatra të komunës së Lumasit. Në vitin 2002 është shpallur “Monument Natyror” dhe gjithnjë e më shpesh po frekunetohet nga turistët.