Kuçovë-Një person është arrestuar nga policia e Kuçovës dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen për kultivim të bimëve narkotike në vitin 2021.
Në pranga ka rënë Shaqir Helmi ndërsa në kërkim janë shpallur Bardhok Lleshi dhe Enver Muça.
"Komisariati i Policisë Kuçovë në bashkëpunim me DVP Berat nën drejtimin e Prokurorisë Berat, finalizuan pas një hetimi disa vjeçar operacionin "Kultivimi", ku si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Sh. H., 28 vjeç, banues në fshatin Mendrak, Kuçovë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Ll., 23 vjeç, banues në Lezhë dhe E. M., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Të tre këta shtetas dyshohet se në vitin 2021, kanë kultivuar në fshatin Mendrak, Kuçovë bimë narkotike kanabis, të cilat janë konstatuar dhe asgjësuar në atë kohë nga Policia", informoi sot policia.
Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohen edhe 4 persona. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e këtyre të fundit blutë gjetën armë gjahu, fishek arme gjahu, armë sportive dhe 16.980 paund britanik.
"Gjithashtu, në vijim të operacionit, në zbatim të urdhrave të kontrollit të lëshuar nga Gjykata Berat, u ushtruan kontrolle banesash, ku në përfundim të kontrolleve u proceduan penalisht 3 shtetas për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", si dhe 1 shtetas për veprën penale "Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" , konkretisht shtetasit:
-E. G., 29 vjeç, banues në fshatin Mendrak, Kuçovë, (i dënuar më parë nga autoritetet britanike për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike"), pasi në banesën e tij u gjetën 16.980 paund britanik, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga veprimtaria e kundërligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
-V. H., 51 vjeçe, banuese në fshatin Mendrak, Kuçovë, pasi në banesë iu gjetën 1 armë gjahu dhe fishekë të armës gjahut.
-R. G., 54 vjeç, banues në fshatin Mendrak, Kuçovë, pasi në banesë iu gjetën 1 armë sportive dhe disa fishekë luftarak.
-V. (Q). K., banues në fshatin Magjat, Kuçovë, pasi në banesë iu gjetën fishekë arme gjahu", thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Komente
