Dosje

'Unë fotografova kufomat e familjes Jashari, KFOR-i francez i mori si dëshmi! Xhevahire Izmaku në 'Esencë' tregon krimet serbe në Kosovë: Në Vushtri u masakruan 100 vetë

14 Shkurt, 21:38| Përditesimi: 14 Shkurt, 22:00

  • Share

Në këtë 17 vjetor të Pavarësisë së Kosovës Eljan Tanini bisedoi në 'Esencë' në Report Tv' me profesoreshën dhe ish deputeten e tre mandateve, Zonjën Xhevahire Izmaku e cila ka fotografuar dhe ka qenë dëshmitare e kufomave dhe e gjendjes së trishtë të masakrës së Familjes Jashari në Prekaz. Fotografitë dhe dëshmitë filmike të Izmakut, u morën direkt nga KFOR-i Francez. Emisioni Esencë shfaqet çdo të premte në ekranin e Report Tv, ora 21:00. 

Eljan Tanini: -Si ka jetuar një vajzë e re si ju në ato vite tmerri serbo dhune në Kosovë mes paqes dhe luftës?

Xhevahire Izmaku: Policia më ka arrestuar në rininë time, ishte viti 1990 kur bëhej pajtimi i gjaqeve. Jam rritur me fqinj serb. Ne ishim krahinë, jo republikë brenda në Jugosllavi. Mësimin e bënim nëpër familje, fakultetin unë e kam bërë vetëm vitin e parë, më pas nëpër shtëpi private! Mësuesit paguheshin nga paratë tona private, shumë shumë pak. Ne shkonim gjithmonë nëpër demonstrata. Në vitin e dytë të shkollës sime të mesme, bënim protesta të heshtura.

Lufta më gjeti në Vushtrri, isha arsimtare e muzikës pavarësisht se kisha mbaruar filologjikun. Komunat ishin më të qeta, fshatrat e kishin nisur aktivizmin më herët. Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të njeriut funksiononte mjaft mirë sepse mbanin shënim çdo gjë shkonte mirë ose jo, informacione për gjendjen e civile por edhe për ushtarët. Unë raportoja çdo natë në Radio 2. Më dridhej mishi kur shikoja luftëtarët e UÇK, Aty nisa me besu se po vinte dhe po mbrohej liria; ata i kishin marrë armët me vetëdije, kishin hy me vdek për vendin.

E kemi pa dhunën dhe vrasjen fizikisht. Një grua me një karrocë e kish marrë djalin e saj dhe e mbante prej ditësh në të që të mund ta shkonte në shtëpi. Unë të gjitha këto i kam raportuar, isha 26 vjeçe, policia nisi të më identifikonte; nisa të pres flokët, kisha humbur edhe nja 15 kg. Rrinim kudo, vajzën e kisha të vogël, luftën e vuajta në Vushtrri.

Janë masakruar 100 vetë, u vra burri i motrës sime, ajo ishte shtatëzanë me Afrimin. Ky është 2 Maj, i dëgjonim nga shtëpia vrasjet dhe torturat. U kap edhe im vëlla, ai shpëtoi se kapërceu murin ku ishte i rrethuar. 22 Maj, merren të gjithë dhe masakrohen, vriten të gjithë. 1998, të dy burrat e motrave të mia janë vrarë në luftë, Afrimi dhe Ferki Aliu. 

Eljan Tanini: -Është e vërtetë që gratë kanë një rol të madh në Luftën e UÇK-së?

Xhevahire Izmaku: -Familjet jetonin në presion, sidomos ato që kishin djemtë luftëtarë. Nëna e një komandanti kishte frikë të tregonte se çfarë e kishte ajo djalin e saj, pavarësisht se ata, luftëtarët, e pyetën për mire. Në qershor 2024 bëhen plot 25 vite që ka ndërhyrë NATO. Në ato ditë të vështira, duhet të gjeja një telefon, nuk kisha mundësi të raportoja për një javë. Kam hyrë shtrirë në shtëpi, ende pas 25 vitesh nuk jam e gatshme të flas për ato që kam parë. Serbët i kishin bërë muret me kryqe të kuqe, për të treguar se ata kanë qenë këtu. Lufta për ne ka qenë e vështirë, kishim edhe rezerva për ushqime. Ka qenë një humanitet i madh në popull, nëse i kishe thjeshtë 2 kg miell, 1 kg ia jepje tjetrit me e ndihmu. Kam raportu për njerëzit e vrarë që i njihnim

Ne kemi pasur ëndrra për Shqipërinë, i dinim përmendësh dialogjet e filmave shqiptarë. E kemi parë figurën e Enver Hoxhës si një person që ka bërë shumë gjëra të mira, filma, balet, art, ekonomi. Disa miq mes nesh edhe nuk i tregonin shumë gjëra që nuk shkonin mirë në Shqipëri, ne nuk ishim të gatshëm të besonim se në Shqipëri gjërat nuk shkonin mirë, zhgënjim i madh sa unë nuk e besoja për ato që më thoshte! Aq shumë zhgënjim pësoi ai shoku jonë për Shqipërinë sa ndenji dy javë në krevat

Viti 2000, me pushime në Shqipni, ishim të gjithë në Krujë për herë të parë. Pashë një kokë, figurë souvenir me kokën e Enver Hoxhës. E blej kokën e Enver Hoxhës për një shokun tim ushtar, aty ishte edhe një burrë para syve të mi që e pa të gjithë situatën. Tha: Hë e bleu kosovarja Enverin ëëë? Mirë, sa bëjnë këto? Aq para... Mirë tha, po ti blej të gjitha dhe thyej tani të gjitha. E kam ende në kokë atë zhurmë. Baba e pa të gjithën këtë, u prek shumë! Ti dhe ju na tha ai, nuk e dini se çfarë na ka bërë Enveri ne! Erdhi në restorant zotëria, na pagoi drekën! Ai na tregoi shumë, ne prapë nuk e besonim. Na tha detaje nga jeta dhe ne disi ndryshuam mendje por nuk e besonim.

Eljan Tanini: -Kjo ishte edhe një nga fytyrat e Enver Hoxhës, po për Tiranën çfarë mendimi keni pasur në ato vite?

Xhevahire Izmaku: -Unë shumë gjëra i kujtoj nga librat dhe filmat që kam pa e lexu. Vajza ime Delvina shpesh herë më thotë se hë, hyre në Kukës, po qan tani? Unë besoj se nuk ka familje në Kosovë që nuk e njeh ashtu siç duhet gjeografinë e Shqipërisë

Eljan Tanini: -Si i keni parë ju në çast atje, trupat e vrarë të familjes Jashari në Prekaz?

Xhevahire Izmaku: -Viti 1998, Vushtrria është në kufi me Drenicën, me një grup miqsh që e dëgjuam rastin shkuam atje më këmbë maleve, sepse rrugës kishte snajper që na kanë shti. Askush nuk e ka dit në Kosovë nëse do të shihej me tjetrin nesër

Eljan Tanini: -Si u gjende te kulla e tyre?

Xhevahire Izmaku: -Atje kanë ardh me qindra fshatarë që i kanë pa. Molla Osmani një hoxhë na ka udhëheq. Pashë plakun  e shtëpisë dhe zonjën e tij të shtrirë

Plaku i Jasharëve kishte bajonetën në gjoks, gropën. Kam qenë ca kohë, pata probleme me qetësinë. Në vitin 1998, unë kam qenë pjesë e zyrës së Këshillit për Mbrojtje Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në komunën e Vushtrrisë. Në atë kohë isha gazetare… si pjesë e stafit kemi shkuar nga pjesa e Drenicës. Hyri NATO, u çliruam. Erdhi KFOR, ata u ndanë nëpër Kosovë. Kemi shkuar në Prekaz, personalisht i kam parë kufomat e anëtarëve të familjes Jashari, i kam fotografuar secilin me radhë dhe ato fotografi kanë qenë në filmat e zi klasik që i kemi pasur në atë kohë. Kam marrë pjesë në veri, në zhvarrimin e kufomave me KFORIN, me këta të fundit ne ishim bashkë kudo. Për vite të tëra kemi mbledhur dëshmi, për kriminelë dhe të vrarë edhe për ata që jetojnë sot në Serbi. 

Xhevahire Izmaku: -Kam pas një film shumë të gjatë. Në ato ditë kam parë për herë të parë kufoma. Një burri i kishin vra katër djem. Më ra të fikët atje, baba i djemëve më dha ujë. I dinim me emra për rezistencën e tyre, Shaban Jasharin e kam pas student, i kam dhënë Shkrim Akademik. Ai shkruante shumë bukur, ngjante me babën e tij, ishte ndër studentët më të mirë. 

Eljan Tanini: -Si e sheh të ardhmen e Kosovës pranë Shqipërisë dhe anash saj?

Xhevahire Izmaku: -Si ajo që thotë Rexhep Qosja: Dy shtete një popull! Unë i shoh bashkë në bashkëpunim, duhet më shumë qëndrim i mirë institucional i qëndrueshëm. Ka vend për të bërë shumë punë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkëpunimet nuk duhet të jenë vetëm për kamera, nuk njihemi. Ka djem dhe çika nga të dyja anët që nuk dinë asgjë për njëri tjetrin.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?