Kujdes, jo të gjitha ritualet e fundvitit janë fatsjellëse! Flet teologu Miron Çako, nga magjia tek mallkimi dhe objektet fatsjellëse, si qëndron e vërteta

13 Dhjetor 2023, 15:13| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 17:13

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte Miron Çako përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai foli për simbolet, ritualet dhe bestytnitë e festave të fundvitit, duke rrëzuar disa mite të pavërteta.

“Ka shumë fiksime që bëhen supersticione, të cilat shpesh janë dhe qesharake pasi nuk vëmë logjikën në punë” e nis kështu bisedën teologu i njohur, duke shtuar se shumë simbolika vijnë nga paganizmi, si psh pema e vitit të ri dhe topat, që në thelb nuk ka të bëjë fare me besimin, por me rite pagane.

Tek ritet që njerëzit bëjnë shpesh janë dhe gatimi i thjerrëzave që i shohim si simbol të pjellorisë, por në fakt janë thjesht bestytni të lashta, siç është përdorimi i hudhrës, shega, monedha apo i patkojt e kalit, që nuk kanë asnjë kuptim sipas teologut.

”Kur u vu patkoi për herë të parë tek kuajt, u pa që kali punonte më mirë dhe u shtua prodhimi, e më pas nisi miti i fatit” tha Mironi në studio, duke shtuar se këto elemente dhe simbole mund të kthehen kundër, përçojnë energji si dhe përdoren edhe për të bërë magji. Sipas Mironit, i vetmi simbol që njihet nga besimtarët është kryqi, ndërsa të gjithë simbolet e tjera nuk kanë asnjë vlerë. I pyetur nga moderatorja sesi kuptohet kur dikush ka bërë magji, teologu u shpreh “Kur njeriu del nga normaliteti dhe kupton që diçka e mbisundon, e kontrollon, atëherë kemi të bëjmë me magji”.

Duke iu referuar mallkimit, teologu shtoi se mallkimi është të vrasësh dikë me fjalë dhe se forma më e rëndë e mallkimit është ajo që bën prindi ndaj fëmijës dhe se mallkimi nuk zë nëse është i padrejtë. Duke vazhduar me simbolet, Mironi shtoi se çelësi që përdoret për të hapur fatin, është një instrument okult nga ata që e përdorin, por falë Zotit që e mban në kontroll situatën, gjërat nuk dalin nga kontrolli. Më pas ai u ndal tek simboli i taoizmit, e mira dhe e keqja, që sipas tij është një koncept i gabuar jo fetar. Një tjetër simbol i përdorur është dhe ylli me pesë cepa që e përdorin dhe okultistët, por që nuk ka asnjë fuqi mbi fatin apo besimin. Në fund të bisedës Mironi foli dhe për “ditët e tersit”, që sipas tij nuk ekzistojnë, pasi të gjitha ditët janë ditët e Zotit dhe nuk ka ditë ku fati ynë mund të pengohet.

”Dita e martë është vendosur si ditë “tersi” pasi është pushtuar Kostandinopoli, e nuk ka lidhje me fatin” tha teologu, duke nënvizuar se fati është i njohur, por jo i shkruar dhe kur ne ndjekim besimin pa u larguar planeve të Zotit, fati ynë shkruhet i mbarë, sipas vullnetit të tij.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?