Sociale

Kujdes me bërjen e thonjve, BE thotë se është e rrezikshme: Jo TPO në manikyrin xhel, ndikon në fertilitet

13 Shtator, 16:19| Përditesimi: 13 Shtator, 16:43

  • Share

Prej 1 Shtatorit 2025, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, është ndaluar përdorimi dhe tregtimi i përbërësit TPO në produktet kozmetike.

Ky përbërës gjendet kryesisht në xhelin e thonjve, i cili përdoret gjerësisht në sallonet e bukurisë. TPO është një substancë që aktivizohet në kontakt me rrezet UV ose LED dhe shërben për shpejtësinë në tharje të xhelit dhe qëndrueshmërinë e lartë, megjithatë është vërtetuar se sjelle probleme në shëndet.

“Atëherë manikyri xhel zgjat rreth 30 minuta. Xheli një orë, kurse tipsi një orë e gjysmë, varet, sepse disa goca kërkojnë dizajne të veçanta, me piktura, dhe këto marrin më shumë kohë. Ai ndihmon që xheli të thahet më shpejt në llampë, domethënë bën polarizimin më të shpejtë",- shprehet estetistja Viola Çela.

TPO është cilësuar nga Bashkimi Evropian si një substancë me toksicitet të lartë, se ka efekte të dëmshme në sistemin nervor dhe sistemin riprodhues. Pas studimeve dhe testeve te kafshët, ku është vënë re një lidhje midis ekspozimit ndaj TPO-së dhe uljes së fertilitetit, Bashkimi Evropian ka vendosur ta ndërpresë si masë parandaluese, për të shmangur rreziqet që mund të paraqiten edhe te njerëzit.

“Nuk është i gjithë xheli i rrezikshëm, por vetëm një përbërës i tij, ky TPO. Gocat vijnë një herë në tre deri katër javë për të bërë thonjtë, varet sa i duan të gjata ose sa shpesh i ndryshojnë",- thotë Çela.

Sipas estetistes grupmoshat që i bëjnë më shpesh thonjtë me xhel janë nga 18 deri 35 vjeç, mosha më aktive për riprodhim.


“Në sallonin tonë vijnë të gjitha moshat, por më së shumti 18 deri 35 vjeç. Xhelin zakonisht e kërkojnë edhe gratë mbi 40, sepse është më praktik për to. Ndërsa gocat më të reja, ku kemi pas edhe 16 vjeçare, duan dizajne të gjata me tipsa",- shprehet më tej estetistja.

TPO është zëvendësuar me një tjetër substancë, TMO, ndërsa që kjo të bëhet edhe në Shqipëri dhe domosdoshmëria për të ndërhyrë autoritetet mbetet ende një alternativë për t’u diskutuar. 

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, si e vlerësoni?