'Kujdes municionet', Ndrea Prendi dhe 21 janari

8 Korrik, 21:31| Përditesimi: 8 Korrik, 21:33

  • Share

Ngjarjet e 21 janarit tani njihen në imtësitë e tyre. Procesi , pas sorollatjeve të shumta,  është në zyrat e SPAK, si shpresë e fundit për të pasur drejtësinë e munguar, që për shumë vite ishte e mbetet drejtësi e dhunuar, e përtallur, e keqpërdorur, e shëmtuar. Nga njëra anë e saj qëndronte shteti i nëpërkëmbur, që ishte mposhtur përfundimisht nga kryeministri i vendit, që, pasi kishte akuzuar gjithçka, deri në themelet e shtetit, presidentin e vendit dhe kryeprokuroren e republikës, dhe, nga ana tjetër familjet e të vrarëve, që kishin humbur jo vetëm të afërmit e tyre, por edhe besimin se diçka mund të zgjidhej një ditë. Arroganca e pushtetit ishte e kudoshme, deri mbi jetët e tyre.

Kohët e fundit , megjithëse dihej se ekzistonin, u bënë të njohura regjistrime të reja të urdhrave të dhënë nga komandanti i Gardës së republikës, Ndrea Prendi.

Është e pabesueshme të përfytyrosh një shtet që, në qetësinë më të madhe, pas një urdhri nga eprorët e lartë,  qëllon mbi shtetasit, pikërisht kur çdo gjë po përfundonte. Urdhrat e dhënë nga drejtuesi i operacionit janë qartësisht të sigurta, zëri i tij është i egërsuar, nuk ka asnjë merak se pas kësaj do të vriten njerëz, që nuk duan asgjë tjetër veçse ndëshkimin e së keqes, dhe, krejt qetësisht jep urdhrin për të qëlluar në trupat njerëzorë. E përsërit atë sikur bën ftesë për një ushtrim rutinë, dhe ka vetëm një moment kur ai është i trazuar dhe jep porosinë e çuditshme:

“Kujdes municionet”!

Ky ka qenë meraku i drejtuesit të operacionit, dhe, pasi ka qëlluar, nga arma e tij mendohet se janë vrarë dy njerëz, pasi ka bërë planin për të ndryshuar rrjedhën e hetimit, ka përgatitur mashtrimin me ndërrimin e tytës së armës me shoferin e tij, pasi është i kënaqur se më në fund ka zbatuar dëshirën e shefave të katin e tretë të godinës qeveritare, bën thirrjen për të pasur “ kujdes municionet”.

Nuk ka asnjë urdhër të tij  për të pasur kujdes se mos vriten njerëz të pafajshëm. Se mos vrasjet e planifikuara do të ndodhin në të vërtetë. Nuk i bën syri “ terr” për të vrarët. Janë shtrirë në rrugë. Ai ka merakun se mos kalohet gardhi i godinës qeveritare, brenda së cilës janë dy njerëz ende të pa ndëshkuar. Ai ka të vetmin merak , “ kujdes municionet”.

Nuk e di se si janë ndjerë familjarët e të vrarëve barbarisht, por e kuptoj kërkesën e tyre të vazhdueshme për drejtësi. Më shumë se 10 vite qeverisje e së majtës ka qenë më se e mjaftueshme për të zbardhur shumë rrethana dhe ndodhi të asaj dite fatkobe të pluralizmit shqiptar, që e shtyu demokratizimin e vendit edhe një dekadë të paktën.

Sa herë jam ndalur në këto regjistrime më është dukur e pabesueshme që një ushtarak i lartë, i stërvitur, i cili mendohet se , në mos tjetër, njeh rregullat e vendlindjes së tij, sipas të cilave gishtin e këmbëzës e tërheq një buall, sepse duhet menduar mirë për gjakun e derdhur, dhe merakun e ka se mos vartësit e tij po harxhojnë më shumë municione se sa duhet. Të vrarët nuk i interesojnë.

Në të vërtetë kjo është fytyra e pushtetit që ishte dhe mëton të vijë përsëri. Një njeri mund të çmendet, dëmi i i tij mund të jetë i përgjakshëm, por çmendja e një shteti është e përbindshme.

Përse një ushtarak i lartë i gardës së republikës u bë befas kaq cinik në mizorinë e tij? Megjithëse një ndarje që kaloi 13 vite, përse ajo është ende aktuale, e përditshme që risjell në vëmendjen njerëzore jo vetëm dhunën, por shumë më tepër se kaq?

Në Shqipëri, në 34 vite pluralizëm , nga dy partitë politike që janë alternuar në pushtet, është kultivuar ndjenja e paprekshmërisë. Të gjithë kanë besuar se janë të paprekshëm dhe mbi ligjin. Përjashtimet kanë qenë të pakta, vetëm sa për të vërtetuar rregullin e pashkruar.

Opozita, e cila synon të vijë në pushtet, megjithëse është e bindur se kjo është e pamundur të ndodhë, kultivon, edhe sot e kësaj dite, ndjenjën e forcës mbi drejtësinë, mbi pushtet e tjera. Kur nuk ia arrin përmes korruptimit, atëherë përdor forcën , ose, predikimin për dhunë.

Thuajse çdo natë, nga ballkoni i katit të tetë , në një rrugicë, që edhe vetë opozitarët nuk e dinë pse e quajnë “ rruga e shpresës”, është i njëjti predikim i dhunës, përplasjeve, forcës, dërrmimit dhe kohës për pushtetin e pa kontrolluar.  Është e njëjta retorikë si ajo e 21 janarit, i njëjti skenar dhe parashikim i njëjtë si do të mund të jetë pushteti i tyre i një kohe të ardhshme.

Nuk është se kjo gjuhë dhune e force nuk ka pasur ndikim. Mes akuzave të ngritura për ish ministrin Ilir Beqja, i cili është në arrest me burg, dhe, nga ana tjetër, akuzave të ngritura për Jamarbër Malltezin, ekziston një hendek i madh. Hetimi ndaj të dytit, që është dhëndër i familjes Berisha, për më tepër me lidhje të dyanshme të politikës financiare, përbën dyshime shumë më të mëdha se ajo që përfshin ish ministrin Beqja. Por, ndërsa i pari është në burg, tjetri është në shtëpi. Për më tepër, edhe pse në arrest shtëpiak, normat e këtij arresti thyhen sa herë që të ketë dëshirë. Një i vendosur në arrest shtëpiak duhet të shkojë në sallën e gjyqit i shoqëruar nga forcat policore, qoftë edhe një polic i vetëm, çka nuk ndodh me dhëndrin e Berishës.

Gjuha e dhunës, e forcës, kërcënimit shfaqet edhe në pinjollët më të rinj të opozitës, të cilët e dinë fare mirë se nuk mund të pranueshëm ndryshe, përveç kësaj paraqitje. Një humbës i madh në zgjedhjet bashkiake të Tiranës, duke djegur gomat e makinave , kërcënon policin në detyrë, “ prit sa të vij në pushtet”. Një riosh në politikë si Gazmend Bardhi nxjerr gjoksin para, si në një shfaqje teatrale dhe kërcënon deri në disa breza. Shan, bërtet, hedh xhaketën si një bos mafioz, përsëri kërcënon …dhe pret çastin e pushtetit. I njëjti që në zgjedhjet e fundit krijoi detashmentin e ruajtjes së votës, si forcë paraushtarake, e njëjtë me atë të Sheshelit apo të Arkanit. Drejtësia hesht.

A mund të dihet se cili ligj, cila Kushtetutë lejon krijimin e grupeve të armatosura  paralele, që lëvizin nëpër qytete, ndalojnë njerëz, mjete, kontrollojnë, përleshen, dhe , në fund vrasin? Cili ligj e ndalon drejtësinë e re të hetojë mënyrën se si u ngritën këto grupe të armatosura, mbi bazën e cilit vendim, kush ishte drejtuesi i tyre, kush i financoi, cili i siguroi mjetet, nga cilët përbëhej. Sepse është krejt e mundur që ata , të cilët vranë në 21 janar, apo që “ bënë kujdes municionet”, të jenë pjesë e tyre, jo larg, por pas një viti, në zgjedhjet e ardhshme politike. Nëse SPAK nuk heton, dërgon për gjykim grupet e armatosura kriminale dhe drejtuesit e tyre, që marrin jetë njerëzore dhe ndjellin krimin, atëherë çfarë do të hetojë dhe gjykojë?

Nuk e solla rastësisht shembullin në fillim të këtij shkrimi. Dhuna mbi drejtësinë është motiv i forcave të errëta. SPAK e ka më lehtë të hetojë pjesë të qeverisjes së sotme, pasi askush nuk i kërcënon, askush nuk ndjell krimin në jetën e tyre, përkundrazi, i mbështet, të paktën publikisht.

Por ende në vetëdijen e tyre, të pjesës dërmuese të SPAK, edhe sikur të vazhdojnë të jenë gjithnjë të mbështetur nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, është ndjenja e frikës, qoftë edhe e pa vullnetshme.

Dosje të mëdha që lidhen me figura të rëndësishme të opozitës presin në sirtarë, por që hapen fare pak, zvarriten, ose në fund mbyllen krejt.

Sepse është ende ai shembulli i pa skrupull,  i një drejtuesi të lartë ushtarak, që, ndërsa vriteshin njerëz të pafajshëm, lëshonte vëmendjen “ kujdes municionet”. /Dita

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • HAJDAR KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 09/07/2024 16:47

    Futini nē burg qelbēsirat sēbashku me kryekriminelin hajdut sali bajgēn.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?