Mbi 700 vepra origjinale, të prodhuara midis shekujve XIV dhe XIX, pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare dhe të ekspozura tashmë për publikun, nxjerrin në pah aspektet kryesore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Mesdheut.
E ndarë në seksione, në ekspozitë prezantohen disa nga botimet më të hershme evropiane të autorëve klasikë grekë dhe latinë, të botuara midis shekujve 15 dhe 17, si: Homeri, Aristofani, Aristoteli, Herodoti, Demosteni, Euripidi, Euklidi, Straboni, Plutarku dhe të tjerë.
Trashëgimia bizantine paraqitet përmes një përzgjedhjeje të veprave të rëndësishme bizantine që përbëjnë një gur themeli të zotërimeve të dorëshkrimeve dhe librave.
Ndërsa koleksioni venecian, që mbulon periudhën midis shekujve 15 dhe 18, pasqyron rolin jetik të Venecias si qendër e kulturës evropiane të Rilindjes. Ai përfshin vepra të rralla dhe të vlefshme të botuara nga printerë dhe botues të njohur venecianë, si: Paolo Manuzio, Bernardino Benali dhe Girolamo Albrizzi etj.
Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës është edhe ajo që i kushtohet Orientit në përgjithësi, botës arabe, Egjiptit, me theks të veçantë Perandorisë Osmane.
Kjo ekspozitë vjen pas hapjes vitin e kaluar të Koleksioneve veneciane në Bibliotekën Kombëtare, pjesë e një projekti afatgjatë, që do të vijojë me të tjera ekspozita madhore.
“Brenda vitit duam të bëjmë një ekspozitë të koleksioneve të biblave që janë në Bibliotekën Kombëtare. Në nëntor me koleksion arbëresh, me kuratorë dy nga personalitetet më të mëdhenj: Mandala dhe Altimari. Vitin tjetër kemi koleksionin bizantin, pastaj koleksionin oriental. Kështu që bëhet e njohur për publikun shqiptar ajo pasuri e madhe që është ruajtur në Bibliotekën Kombëtare dhe që njihet fare pak”, u shpreh Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
Ministri i kulturës, Blendi Gonxhja njoftoi se shumë shpejt do të jetë gati godina e re e Bibliotekës te Garda e Republikës. Kjo godinë do të ofrojë hapësira më të mëdha, kushte optimale për ruajtjen dhe arkivimin e fondit të Bibliotekës Kombëtare, duke mundësuar digjitalizimin e fondit dhe akses më të lartë të materialeve online.
“Mendojmë të jetë një infrastrukturë e librit, e bibliotekës së qytetit, e bibliotekës së librit të ri. Akoma nuk e kemi gjetur emrin përfundimtar. Do të jetë një godinë e re në dispozicion të Bibliotekës Kombëtare. Do të synojmë jo vetëm zgjerimin e kapaciteteve aktuale, por edhe krijimin e një qendre të re bashkëkohore të dijes dhe kërkimit shkencor. Hapësira ku ndodhemi do të vijojë të shërbejë si epiqendër, por do të marrë më shumë theks sa i takon anës muzeale dhe thesareve të vyera të librave dhe botimeve të hapura për publikun dhe për të mirëpritur ekspozita si kjo e sotmja”, u shpreh Gonxhja.
Prezantimi i këtyre koleksioneve bëhet në kuadër të shpalljes së Tiranës kryeqytet mesdhetar i kulturës dhe dialogut.
“Ky vend në glob ka qenë epiqendra jo vetëm e kulturës, e traditave, e rëndësisë që ka pasur botërisht, por vazhdon të jetë edhe sot, kur ka konflikte në Mesdhe dhe për Mesdheun, kur dialogu është më i rëndësishëm se asnjëherë”, tha Anuela Ristani.
“Kujtesa e Mesdheut- Nga Antikiteti në Kohët Moderne” do të qëndrojë e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare deri më 18 korrik.
Komente
