Gasper Curcia

Dosje

Kujtimet e ish-gazetarit: Si u ekzekutua nga regjimi dirigjenti Çurçia më 1985. Fati tragjik i piktorëve Gjergo dhe Hila, si dhe redaktorit të teksteve Sadik Bejko

5 Nëntor 2021, 07:43| Përditesimi: 5 Nëntor 2021, 07:46

  • Share

Pjesa e tetëmbëdhjetë

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al

“Armiqtë e popullit”

Largimi nga RTSH-ja, i drejtuesit të orkestrës simfonike, mjeshtrit Gaspër Çurçia!

Në sektorin e muzikës në Radio Tirana, goditja do të jetë me pasoja edhe më tragjike për trombetistin Gaspër Çurçia. Personalisht nuk kam patur ndonjë miqësi apo shoqëri me Gaspër Çurçinë. E kam njohur gjatë viteve që punoja në Radio-Televizionin Shqiptar, përshëndeteshim kur ndesheshim në korridoret e Radios apo në kafenë e vogël tek Sulltania, një grua e shkathët, e gatshme për t’i kthyer përgjigje kujtdo, në çdo moment, teksa përgatiste filxhanët e kafesë apo pjatat e vogla me një gjysmë panine dhe një salçiçe.

Për Gasprin dëgjoja opinione të ndryshme, që bashkoheshin në një vlerësim unanim të tij si instrumentist «brilant». Një gjë tjetër për të cilën nuk gabon kur flet për Gaspër Çurçinë, është humori i tij i zhurmshëm, i kudondodhur si edhe i kurdo ndodhur.

Kolegët dhe ne që e njohëm e mbajmë mend Gasprin si njeri pasionant, si njeri i ndërmarrjeve të guximshme për kohën. Ishte ai që krijoi për herë të parë një formacion Big-Band (orkestër prej 12-25 muzikantësh që u bien veglave, si: saksofoni, trumbeta, trombona, pianoforte, etj.) të përbërë prej 10- 15 muzikantësh. Me këtë formacion ai regjistroi rreth 30-40 pjesë që ruhen edhe sot në fonotekën e Radio-Tiranës. Me këtë formacion Çurçia do të dalë për herë të parë për publikun në fundin e dhjetorit të vitit 1972,në Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion. Fundi i Festivalit do të jetë edhe fundi i shkëlqimit të Gaspër Çurçisë. Ai u godit rëndë, për të mos ngritur krye kurrë më, si liberal, si përhapës i muzikës borgjeze e dekadente etj., etj. Ai u pushua nga puna në Radio dhe u urdhërua të degdiset në Peshkopi, një qytezë malore në veri-lindje të vendit. Gaspri nuk pranon të shkojë në Peshkopi, nuk pranon të ndahet nga familja.

“Kujtoj se nisi punë si roje tek Mjetet Mësimore dhe se rrogën e merrte aty ku e merrnin hamejtë, por nuk dorëzohej”, ka rrëfyer vite më pas në një intervistë për shtypin, shoku i Gasprit, kompozitori i njohur, Aleksandër Lalo. Gaspri arrin sërish të formojë një formacion muzikor të tijin, të justifikuar këtë radhë si orkestër me instrumente popullore. Kështu ndoshta ai mendoi t’i tregonte pushtetit se po mbështetej në popull, se kishte gjetur frymëzimin në popull, se ishte larguar nga e kaluara e dëmshme borgjezo-dekadente! Ndoshta kjo ishte e vetmja rrugë nëpërmjet të cilës ai e shihte veten sërish në skenë, sërish para publikut, sërish i adhuruar, sidomos nga rinia. Me formacionin e ri ai dha edhe një shfaqje në Pallatin e Kulturës të kryeqytetit.

E kishte më kot Gaspri. Projekti i tij u rrëzua, ai u akuzua se muzika e formacionit të ri nuk tingëllonte shqiptare. “Perënditë” e vendit të vetëm ateist në botë, siç ishte deklaruar me Kushtetutën e saj Shqipëria, e kishin marrë vendimin e tyre për të. Gaspri duhej të vuante, të shkonte e të merrte rrogën atje me hamejtë, të përçmohej, të harrohej, madje të ishte edhe mirënjohës sepse kishte më keq!

Dënimi i Gasprit me vdekje dhe pushkatimi i tij!

Për Gasprin do të kishte me të vërtetë edhe më keq. Përpara vështirësive të mëdha që i’u krijuan, me një perspektivë të humbur përgjithnjë, i dëshpëruar ai bën gabimin që do t’i kushtonte jetën. I ndodhur në nevojë financiare, Gaspri pranon të bashkëpunojë me një shitëse biletash treni, të bëjë bileta fallco dhe të përfitojë një pjesë nga shitja e tyre. Ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga trupi gjykues. Përpara gjykatës, Gaspri nuk e mohoi atë që kishte bërë. Ai e pranoi falsifikimin, por shtoi se ajo që kishte fituar prej tij ishte “një pjesë fare e vogël, në krahasim me atë që shteti u kishte sekuestruar prindërve” të tij si tregtarë. Ky ishte Gaspri. Aty luhej me jetën e tij, ai tallej me vdekjen. Gaspri u dënua nga gjykata me vdekje.

Një natë, në prillin e vitit 1985, Gasprin, Shkëlzen Doçin, inxhinier 35 vjeçar, edhe ai i dënuar me vdekje për falsifikim të biletave të trenit, dhe një vrasës ordiner, i nisën për në vendin e ekzekutimit, në Linzë të malit të Dajtit, pranë kryeqytetit. Ata i vendosën pranë një grope të madhe të hapur gjatë ditës, i ulën në buzë të saj me duart e lidhura me tela dhe me këmbët e varura, që shihnin poshtë drejt thellësisë që do t’i përpinte.

Procedura e ekzekutimit kërkonte edhe në atë kohë që i dënuari të shprehte dëshirën e tij të fundit. Shkëlzen Doçi, duke shpresuar deri në fund se edhe mund të falej, përsëriti mekanikisht lavdet e zakonshme për Partinë e Enver Hoxhën dhe marksizëm-leninizmin! Ai shfaqi shumë mall për nënën e tij, të cilën nuk e kishte parë prej një kohe të gjatë, që kur ishte dënuar me vdekje dhe e kishin izoluar në një qeli të sigurisë së lartë, me kaskë në kokë dhe lidhur këmbë e duar për t’i penguar vetëvrasjen. Në fund kërkoi një cigare. E tymosi atë sikur donte të përfitonte nga grimcat e fundit të jetës, që pas pak çastesh do të shndërrohej në hiç, si tymi i cigares.

Gaspër Çurçia nuk përmendi as Enverin dhe as Partinë e Punës. Ai tha se po pushkatohej pa të drejtë, sepse Kodi Penal nuk e parashihte këtë dënim për shumën e të hollave që ai kishte përvetësuar, një shumë prej 20.000 lekësh, si të thuash një pagë e mirë për dy muaj punë. Ai ruajti qetësinë dhe me dinjitet la amanet fëmijët. E dinte se fëmijët e të pushkatuarit do të ishin edhe ata «të pushkatuar» gjatë tërë jetës, të diskriminuar në çdo hap të saj, «të prekur» të pashpresë. Për ta, ndoshta bëri edhe gabimin fatal. Nuk mund të mos mendonte për ta edhe në çastet e fundit, në mesazhin e fundit para se të ndahej e të shkonte përgjithnjë.

Ne të gjithë e parafytyrojmë pushkatimin si nëpër filma, një togë e rreshtuar njëshkolonë me armët drejtuar nga të dënuarit me sy e duar të lidhura, një oficer gati për të dhënë komandën. Nuk u ekzekutua kështu Gaspër Çurçia dhe dy të tjerët pranë tij. Ishin tre policë që pasi mbushën pistoletat, ua puthitën ato të dënuarve në rrëzë të veshit dhe qëlluan në mënyrë që plumbi të përshkonte dy hemisferat e trurit të tyre. Menjëherë pas kësaj ata i shtynë trupat në gropë.Një natë pas ekzekutimit të Gaspër Çurçisë vdiq edhe diktatori Enver Hoxha. Gaspri është fleta e fundit e kapitullit të krimeve të tij të përbindshme, por jo e politikës së tij të krimit, të cilën do ta ndjekin pasuesit e tij edhe për disa vite të tjera, aq sa ishin në pushtet, deri në grahmën e tyre të fundit.

Pas përmbysjes së komunizmit familja, fëmijët e Gasprit, arritën të mësojnë vendin ku ishte pushkatuar babai i tyre. Në vitin 1992, ata e hapën gropën e përbashkët ku gjetën trupat e tre të pushkatuarve dhe telat që kishin lidhur duart e tyre. Shumë familje shqiptare shpejtuan pas përmbysjes së komunizmit të kërkojnë eshtrat e të afërmve edhe pa praninë e specialistëve, edhe pa të dhëna të sakta mbi vendndodhjen e varrit apo të varreve. Shumë prej tyre morën eshtra të paidentifikuara, duke i konsideruar si eshtra të babait, nënës, vëllait apo motrës. Nuk ndodhi kështu me dy djemtë e Gasprit. Sikurse do të shprehen, ata patën «fat», siguruan paraprakisht të dhëna të sakta, por jo vetëm kaq.

Përbërja e tokës kishte bërë të mundur konservimin e mirë të tre të pushkatuarve edhe pas shtatë vitesh. Fëmijët e njohën trupin e babait, që nuk i thanë dot lamtumirën e fundit. Ata njohën xhaketën, pulovrin, këpucët e tij. Ata morën ç’kishte mbetur nga Gaspër Çurçia, një grusht eshtrash, një skelet për ta nderuar ashtu siç e meriton çdo prind, çdo njeri i mirë edhe pse i detyruar mund të bëjë edhe ndonjë gabim, madje edhe faj, në jetë.

Gaspër Çurçia nuk ka mbetur në mendjen e shqiptarëve si i dënuari për falsifikimin e biletave të trenit. Bashkëkohësit e kujtojnë me respekt shkëlqimin e tij si muzikant, interpretimin dhe krijimtarinë, prej të cilave u privua jo vetëm Gaspri dhe admiruesit e tij, por edhe muzika shqiptare.

Largimi i poetit Sadik Bejko nga Radio-Tirana, si minator në Memaliaj!

Përpos muzikantëve, në Radio-Televizionin Shqiptar janë goditur rëndë edhe të tjerë, si Sadik Bejko redaktor për poezinë apo Edi Hila, piktor. Regjimi kishte frikë nga njerëzit e artit, nga e vërteta, që arti përcjell me forcë në jetë, vetë jetën ashtu siç është, me të gjitha ngjyrat e saj, me dhimbjet, sakrificat, me hipokrizinë dhe besën, miqësinë dhe tradhtinë, njerëzoren dhe demoniaken. Ai i terrorizoi ata për të thënë vetëm të «vërtetën» e tij, për të na bërë të shohim vetëm një ngjyrë, të kuqen, që të dëgjojmë vetëm një poemë, atë kushtuar Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës, të «shijojmë» një jetë, atë që na ishte mohuar.

Sadikun e mbaj mend kur filloi punë në Radio. Pothuajse si të gjithë ne të tjerët edhe ai i ardhur rishtas ishte disi i tërhequr, pothuajse i ndrojtur e mjaft i sjellshëm, fliste me një zë prej baritoni, radiofonik. Ndoshta nuk do ta kisha vënë re atë nëse një shoqe e Redaksisë sonë, Natasha Cerga, nuk do të shkruante poezi apo tekste këngësh për festivalet e këngës në Radio-Televizion. Ata takoheshin dhe diskutonin shpesh për poezinë, për vargjet. Takoheshin edhe në zyrën tonë apo në korridorin e katit tonë dhe ne qeshnim me botën e tyre prej poeti, me shqetësimet e tyre, që i vlerësonim sepse na bënin të qeshnim. Për humor provova edhe unë njëherë të shkruaj vargjet e një kënge. E titullova “S’jam xheloz”. Ia dhashë për ta parë edhe Natashës. Tani ishte radha e saj të qeshte, jo thjesht për titullin, për «provën» time, por edhe për vargjet e gjata një kilometër që s’kishte mushkëri këngëtari apo trombetisti t’i çonte deri në fund. Unë e pranova dështimin.

Ndërsa ne qeshnim për të qeshur ashtu kot me Sadikun, regjimi u zemërua keq, në mënyrë të pafalshme me të. Në Festivalin e XI të këngës në Radio Televizion, nga këngëtari Tonin Tërshana u interpretua kënga “Erdh pranvera” e kompozitorit të mirënjohur Pjetër Gaci. Nuk më kujtohet cili ishte autor i tekstit të kësaj kënge. Gjithsesi Sadik Bejko ishte redaktori letrar i teksteve të këngëve të Festivalit të XI. Kënga që i kushtohej pranverës kishte edhe vargun: “dikush tha erdh pranvera, por unë nuk e besova”. Kaq duhej që kënga të trajtohej si një pamflet kundër “pranverës socialiste”, si një thirrje për të mos u mashtruar nga një pranverë iluzive, e akullt, pa lule dhe pa ngjyra. Sadik Bejko në vitin 1972 botoi edhe vëllimin me poezi “Rrënjët”.

Pas këtij botimi kupa ishte mbushur, ai nuk mund të tolerohej më. Në moshën 28 vjeçare u dënua të zhduket në një horizont nëntokësor në minierën e qymyrgurit të Memaliajt në jug të Shqipërisë, të mbulohej me pluhurin e harresës, që ishte më i rëndë se pluhuri i zi i qymyrit. Ai u detyrua të marrë në Memaliaj edhe familjen, gruan dhe fëmijën e porsalindur. Partia i shtriu kështu atij dorën e saj të “ngrohtë”, i dha mundësinë që të «riedukohej» në gjirin e klasës punëtore! Atij i’u ndalua të botojë, iu ndalua, edhe pasi u “riabilitua”, të kthehet e të jetojë sërish në Tiranë. Pas 8 vjetëve në Memaliaj Sadiku dhe familja e tij zhvendosen edhe më në jug, në Gjirokastër.

Duke kujtuar atë kohë, shumë vite me pas, në fjalën e falenderimit që mbajti kur i’u dha “Skeptri i letërsisë 2010” në Shkup të Maqedonisë, Sadik Bejko thotë se ishte “i degdisur dhe në punë që mund të humbësh dhe kokën”, se ai mbante veten mbi këmbët e tij, lëkundej por nuk rrëzohej, kyçte buzët duke mbajtur “peshën e dramës drejt e mbi kockat” e tij.Në një ceremoni të zhvilluar në prillin e vitit 2003 në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit, drejtori i institucionit, Shaban Sinani, ish sekretar apo këshilltar i Ramiz Alisë, pasuesit të Enver Hoxhës, kishte ftuar me këtë rast edhe disa personalitete, emrat e të cilëve lidheshin me Festivalin e XI të Këngës në Radio-Televizion. Shaban Sinani nuk kishte harruar të ftonte gjithashtu edhe të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxhën, si edhe të renë e tij Teutën, gruaja e djalit të madh të tij, Ilirit. Në sallë ishte edhe Sadik Bejko, i cili në një moment qetësie, pasi mbaruan diskutimet e të tjerëve, merr fjalën dhe thotë: “Nuk e kuptoj përse janë bashkuar në këtë sallë persekutorët me të persekutuarit! Ne që u shfarosëm për atë të shkretë Festival, tani na duhet të rrimë bashkë me shfarosësen. Ç’do Nexhmije Hoxha këtu”?! Ai nuk shprehu asnjë ndjenjë hakmarrje, vetëm kërkoi që fantazmat e të kaluarës së zezë të qëndrojnë në errësirën e tyre. Askush nuk i shqetëson, le të mos shqetësojnë të tjerët”!

‘Fatin’ e Sadik Bejkos, e pati edhe piktori, Edi Hila!

Pothuajse të njëjtin fat me Sadikun pati edhe bashkëmoshatari i tij, piktori i Radio-Televizionit Shqiptar, Edi Hila. Edin, njëlloj si Sadikun, e kam njohur shumë pak. Ai u diplomua si piktor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në vitin 1967. Besoj se po këtë vit, në mos gabohem, ka filluar punën në Radio-Televizionin Shqiptar si skenograf. Sidoqoftë, unë e mbaj mend fare të ri, një djalë i edukuar, me një zë të qetë, pothuaj pëshpëritës, me një buzëqeshje si prej fëmije dhe një portret mjaft tërheqës si në pikturat mesjetare apo të Rilindjes. Ndonjëherë, në mbledhjet e kolektivit, rrinim së bashku nga fundi i sallës së orkestrës, ku edhe zhvilloheshin ato. Nuk e dëgjova asnjëherë të diskutojë, të shfaqë një mendim miratues apo kundërshtues. Kur më pyeste për diçka, ishte mëse i kujdesshëm, disi i humbur, sikur kërkonte të zbulonte një planet të ri, por nuk guxonte. Ndoshta me të vërtetë jetonte në një botë tjetër dhe ato që diskutoheshin në kolektiv ose nuk i kuptonte, ose ishin krejtësisht të huaja për të. Artistët janë shpesh në një pozicion të tillë dhe Edi ishte një artist i vërtetë në shpirt dhe në krijimtari. Ai që në punimet e para të tij arriti të shpalosë një art tepër individual, të pasur në vlera e ide, të freskët e të sinqertë.

“Mbjellja e pemëve”, dërgoi Hilën në pulari, kurse “Epika e yjeve të mëngjesit, Gjergon në Spaç!Në nëntorin e vitit 1971, Edi Hila ekspozoi tablonë “Mbjellja e pemëve”, ndërsa përkrah tij, një piktor tjetër, Edison Gjergo, u përfaqësua me “Epikën e yjeve të mëngjesit”. Me këto punime, të dy këta krijues, kishin guxuar shumë. Ngjyrat e tyre ndezën disa shkëndija, që i prishën qetësinë errësirës së regjimit. Jeta dhe dinamizmi, thyerja jo e zakonshme e figurave dhe objekteve, dukej sikur sfidonin erën mbytëse të mykut apo të kalbëzimit të sistemit politik ekzistues. Freskia e ajrit që sollën pikturat e Edi Hilës dhe Edison Gjergos, nuk ishin për mushkëritë e sfilitura prej dekompozimit të shoqërisë totalitare shqiptare. Ndjesitë dhe konceptet që transmetonin ato ishin si thirrje për të ëndërruar diellin, përbënin herezi, krim, prandaj duheshin vrarë që në qelizë. Paradoksi është se fillimisht të dy piktorët u përgëzuan zyrtarisht për punimet e tyre, të cilat u pëlqyen nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nga Komiteti i Partisë i Tiranës. “Mbjellja e pemëve”, sikurse tregon Edi Hila, u ble, madje menjëherë, nga Galeria e Arteve Kombëtare, por gëzimi i piktorit të ri nuk do të vazhdonte gjatë.

Makina e përbindshme e luftës së klasave, me një shpejtësi marramendëse, u vu në lëvizje me të gjitha ingranazhet e saj; Plenumi i IV, Ministria e Punëve të Brendshme, Sigurimi i Shtetit, sekretari i Partisë, mbledhja e dirigjuar e kolektivit, kritika denigruese…! Edison Gjergo përfundoi në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Edi Hila në pulari. I pari për t’u riedukuar midis kriminelëve të rremë, por edhe të vërtetë, dhe i dyti për t’u bërë pulë midis pulave, për të gjetur aty frymëzimin për veprat e tij të ardhshme!

Duke kujtuar atë kohë, Edi Hila thotë: «Ishte një periudhë e tmerrshme arrestimesh dhe dënimesh. Kujtoj, një ditë të bukur, një burrë me biçikletë që më thotë: Ju jeni Edi Hila? Hajdeni pas meje. Nuk duhet t’i flisni asnjë njeriu gjatë rrugës. Dhe më çoi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pas 40 ditë presionesh e shantazhesh, (ime shoqe, Joana, ishte shtatzënë, prisnim Klodin), më kërkojnë të bashkëpunoj me Sigurimin e Shtetit. Nuk pranova. Të nesërmen e kësaj kërkese jam thirrur nga sekretari i Partisë në Televizion. Po vinte momenti kur, meqë nuk pranova bashkëpunimin, ata do të merrnin masa. Me kujtohet edhe diçka. Në vitin 1973, shkova në Firence për një specializim nga ana e Televizionit Shqiptar. Atje na shoqëruan miqtë e Partisë së Punës dhe, siç duket, ishim nën kontrollin dhe kujdesin e tyre, pasi një nga akuzat që u ngrit ndaj meje, dhe kjo është shumë qesharake, ishte: “Ti ke hipur në makinë me italianë”. U bë një mbledhje në Televizion, ku folën të gjithë ata që ishin anëtarë partie, komunistë…! Mbas kësaj më mori shefja e kuadrit, më çoi në pulari, më veshi grykësen dhe aty punova për tre vjet e gjysëm.”

Nuk jemi shumë larg inkuizicionit dhe El Grekos në këto vite edhe pse kishin kaluar shekuj, edhe pse mendonim se po ndërtonim shoqërinë më të drejtë, më të lumtur.

Edison Gjergo u lirua nga burgu i Spaçit aty nga viti 1982 dhe filloi punën si bojaxhi në ndërmarrjen e “Mjeteve Mësimore”. Ai nuk arriti të shohë vajzën e tij të vetme, që do të lindë tre muaj pas vdekjes së tij, në vitin 1989.

Edi Hila, pasi kreu dënimin në pulari, u emërua në punë në dekorin e qytetit ku duhej t’i shërbente propagandës së asaj kohe. Ai këmbënguli që të largohej nga kjo punë që, sikurse ka thënë vetë, i shkaktonte njëlloj deformacioni dhe i harxhonte kënaqësinë e të vizatuarit.

Pas vitit ’90-të, Edi Hila hap ekspozita pikture nëpër botë!

Edi u rikthye aty ku i takonte më 1991. Në këtë vit, ata që mohuan Zotin për t’i zënë vendin atij, kishin përfunduar në ferr ose po shpejtonin të kërkonin azil politik në dyert e tij. Në këtë vit ai nis të japë mësim në Fakultetin e Arteve Vizuale dhe dy vjet më pas u bë dekan i tij. Duket sikur ai nxiton të arrijë vitet e humbura, të gjejë hapësirën dhe vlerësimin që iu mohuan. Edi do të hapë kështu njërën ekspozitë personale pas tjetrës në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Aud Galleri në Berlin, në Karlsruhe, në Paris, në Bruksel, në Firence etj. Punimet e tij janë vlerësuar disa herë me çmime të para apo të dyta në edicionet e konkursit ndërkombëtar “Onufri”.

Rastësisht ndesha së fundi me një fotografi të Edi Hilës në internet. Vitet kishin lënë gjurmët e tyre. Kur sheh bashkëmoshatarët ose ata të përafërt pas afro një gjysëm shekulli, kur sheh se si ka ndryshuar portreti i tyre, kupton ndryshimet që kanë ndodhur ndërkohë edhe tek vetja jote. Edi me flokë të zinj, të krehur bukur, ishte tani Edi me flokë të thinjura, madje edhe pa flokë sepse ishte qethur në zero. Ishte me të njëjtën buzëqeshje, si dikur, por disi më të trishtuar. Syzet tregonin se edhe shikimi i tij nuk ishte ai i dikurshmi, i rinisë së mbyllur në kafaz si pulat e pularisë. Në shtypin shqiptar lexon se “tashmë personazhet e Hilës, nuk kanë karakteristika konkrete, janë të largët, të përhumbur, të lodhur, të shtrirë, pa energji. Një turmë e rraskapitur, e përgjumur, pasive. Ngjyrat janë fikur dhe grija ka pushtuar botën…”! Reflekton vepra e tij vetë Edin?

Edi Hila, si dikur në diktaturë, vazhdon të na flasë sot me pikturën e tij, pavarësisht ngjyrave dhe mjeteve që zgjedh. Ashtu si foli dje, ai flet edhe për Shqipërinë e ditëve të sotme. Punimet e tij na thonë se fantazmat e totalitarizmit janë ngulur thellë në ndërgjegjen dhe në jetën tonë, se trauma psikike dhe morale që i shkaktoi komunizmi vendit është e pranishme, jeton midis nesh, se jeta shqiptare me çoroditjen e saj konkurron mjaft suksesshëm me fragmentet më absurde të filmave të Kosturicës. Edi sot kërkon t’u kujtojë shqiptarëve se jetojnë në një realitet, ku demonët e të shkuarës janë ende si gjyle të rënda në këmbët tona për të na plogështuar, për të na lodhur.

Diktatura godi rëndë edhe piktorin Çlirim Ceka!

Një tjetër piktor, që u godit rëndë në këtë kohë nga diktatura, ishte edhe Çlirim Ceka. Me të jam njohur gjatë stërvitjeve ushtarake që bënim së bashku në repartin 1105 pranë Urës së Beshirit në të dalë të Tiranës, mesatarisht 2 ditë çdo muaj. Çlirimi kishte mbaruar studimet në Institutin e Lartë të Arteve për pikturë dhe kishte nisur punë fillimisht si specialist figurativ në Shtëpinë e vetme Botuese “Naim Frashëri”. Më pas, deri në vitin 1975 ai punoi si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.

Jashtë ditëve të zborit apo shërbimit ushtarak, me Çlirimin shiheshim rrallë. Më kujtohet një takim i rastit në rrugën “Qemal Stafa”, pranë shkollës 8-vjeçare “Fan Noli”. Ai po shkonte drejt një dyqani që riparonte këpucë. Kërkoi që ta shoqëroja. Gjatë atyre metrove, që bëmë së bashku më tregoi se në këtë dyqan do t’i lutej ndonjë këpucëtari që t’i shiste atij disa thumba të vegjël, që i duheshin për kornizat e pikturave. Në treg nuk gjendeshin në shitje thumba të tillë. Vetëm këpucaritë furnizoheshin me to, por jo për t’i shitur. Kur hymë në këpucari, pashë se Çlirimi ndruhej të pyeste nëse dikush mund t’i shiste një grusht me thumba. E çlirova atë nga ky «hall» dhe e bëra unë pyetjen. Këpucari, pasi i shpjeguam edhe përse na duheshin thumbat, nuk e zgjati, mbushi një grusht me to, na i dha e as pranoi të merrte të hollat që i propozuam. Kur dolëm në rrugë, Çlirimi më tha: “Për një tjetër edhe unë do ta kisha bërë, por për vete nuk mundem, më vjen zor”. “Edhe unë’, i thashë duke qeshur, ‘nuk do ta kisha bërë për vete, por e bëra për ty, megjithëse këpucari nuk e din që unë nuk e bëra për vete”. Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Scutari: 08/02/2022 14:59

    Çurçia është dënuar më shumë se sa e parashikonte Kodi Penal i atëhershëm dhe është pushkatuar për terror ndaj të tjerëve që do të guxonin. Teknika që përdorte për falsifikimin e biletave të trenit, që në fakt nuk kishin ndonjë element sigurie, ishte shumë e përparuar për kohën. Ai dështoi tek letra që përdorte, e cila nuk ishte e njëjtë apo ngjasonte me letrën e biletave. Gabimi i dytë ishte tek realizimi i të ardhurave, ai nuk mbylli ciklin e prodhim-shitjes, prandaj një fatorino e dalloi letrën me prekje dhe e denoncoi sepse nuk kishte dijeni se dispeçeri i kishte dhënë për shitje bllokun e falsifikuar!

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 05/11/2021 16:09

    Shume e drejte se po shohim komente me fjale nga me te uleta qe eshte turp qe ti thuash

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?