Dosje

Kujtimet e ish-ministrit: Në Konferencën e Tiranës u arrestuan 27 delegatë! Gjendja u acarua shumë, sa një batalion i tankeve të rrinte në gatishmëri

14 Nëntor 2021, 07:46| Përditesimi: 14 Nëntor 2021, 07:49

  • Share

Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit nga fshati Lin dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.

Kujtimet e ish-ministrit pa portofol, gjeneral-major, Panajot Plaku, të shkruara në Beograd në vitet 1957-1966

Arrestimi i 27 delegatëve të Konferencës së Tiranës!

Me rastin e përgatitjes së listës së kandidatëve, prapa dyerve të mbyllur në regjistrin e delegatëve e në Kongresin e III-të të Partisë, nuk hyri asnjë nga ata pjesëmarrës në diskutim, të cilët gjatë tri ditëve të para të Konferencës, i kritikuan dobësitë e udhëheqjes së Partisë. Fill pas Konferencës u arrestuan 27 delegatët, të gjithë ata që kishin folur për gabimet e udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë. Nuk mbetën një kohë të gjatë në burg. Kur u liruan, të gjithë u përjashtuan nga Partia dhe u shkarkuan nga funksionet. Mirëpo, disa ditë më vonë, të gjithë u arrestuan përsëri.

Por me atë rast, bashkë me ta u burgosën edhe shumë delegatë të tjerë të Konferencës së Tiranës, si dhe një numër i madh komunistësh të tjerë, të cilët nuk kishin marrë pjesë aspak në punën e saj. Në rradhët e të burgosurve ishin zëvendës-ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-major, Tahir Kadareja, komandanti i Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare, gjeneral-major, Hulusi Spahiu, gjeneral-major, Nexhip Vinçani, kompozitorja, Dhora Leka, Pëllumb Dishnica e shumë të tjerë. Të gjithë të arrestuarit ishin komunistë të njohur dhe luftëtarë aktivë të lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Sa për ilustrim do të japim disa të dhëna elementare biografike për dy gjeneralët e arrestuar: Tahir Kadareja, ka qenë anëtar i Partisë që nga viti 1941. Para Luftës ka marrë pjesë në të ashtuquajturin ‘Grup Komunist’ të oficerëve. Ka marrë pjesë në kryengritjen e njohur përparimtare të Fierit, në vitin 1936. Ka qenë themelues dhe komandant i çetës së parë partizane në rrethin e Gjirokastrës. Gjatë Luftës, ka qenë një nga komandantët më të dashur të njësive të Prapavijës. Ka qenë zv/komandant i Brigadës së I-rë Sulmuese që nga themelimi i saj, më vonë komandant i Brigadës së VI-të dhe komandant i Divizionit të VI-të.

Pas çlirimit ka qenë komandant i Korpusit të II-të. Në vitin 1955, ka kryer me sukses Akademinë “Voroshillov” në Moskë. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik ka qenë zëvendës i parë i Ministrit të Mbrojtjes Popullore. Mund të thuhet, se ka qenë udhëheqësi ushtarak më i aftë që ka pasur Ushtria Shqiptare.

Dënimi i katër gjeneralëve!

Hulusi Spahiu është komunist i njohur shqiptar. Ka marrë pjesë në ‘Luftën Civile’ të Spanjës. Në Brigadat Internacionaliste ka qenë komandant i baterisë, pas kësaj komandant i Divizionit të Artilerisë dhe në fund komandant i Regjimentit. Pasi u kthye në Shqipëri në fillim të vitit 1943, u pranua në Parti dhe u emërua komandant i brigadës së III-të të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nën komandën e tij u organizua një nga aksionet më të shkëlqyera të partizanëve shqiptarë. Ishte komandant i Artilerisë, e cila në vitin 1943, e sulmoi dhe qëlloi me top ish-Pallatin Mbretëror në Tiranë (sot ‘Pallati i Brigadave’), ku zhvillohej një mbledhje e Parlamentit tradhtar të asaj kohe. Data e këtij aksioni është marrë më vonë si ‘Dita e Artilerisë’ së Ushtrisë Shqiptare. Pas çlirimit, ka kryer detyra të ndryshme me përgjegjësi në Ushtri dhe në fund, ka qenë zv/ministër i Mbrojtjes Popullore dhe komandant i Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare.

Shtypi në atë kohë heshti në lidhje me të gjitha ngjarjet në Konferencën e Partisë në Tiranë. Jo më parë se në Kongresin e III-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, u fol për këtë. Kundërshtimin e organizatës më të fortë të Partisë në Shqipëri, u detyrua që ta shpjegojë vetë sekretari i Partisë, njeriu, të cilit i ishte drejtuar pjesa më e madhe e akuzave të shprehur në Konferencën e Tiranës. Enver Hoxha deklaroi se: në këtë konferencë ishte shprehur kundërshtimi i disa elementëve me origjinë nga shtresat borgjeze dhe të ashtuquajtura intelektuale, jo të shëndosha. Duke mos e përfill faktin se ata që kishin diskutuar në Konferencën e Tiranës, ishin komunistë të spikatur, me biografi të mirë si revolucionarë, Enver Hoxha i sulmoi si “tradhtar dhe aventurier ordinerë”!

Ky fjalim i Enver Hoxhës ishte edhe kërcënim për të tjerët, meqenëse disponimi në Parti nuk i përgjigj as përafërsisht udhëheqjes. Në stil të vet, tipik, Enver Hoxha shkoi aq larg, sa deklaroi se: është me interes të miqësisë mes Jugosllavisë, eliminimi i dukurive të ngjashme në Parti. Duke e paralajmëruar vazhdimin e terrorit dhe të presionit masiv, Enver Hoxha vuri në dukje se: Partia ka për t’i shkelur pa mëshirë të gjithë armiqtë, pa marrë parasysh, se dikush do të mendojë se është cënuar demokracia, se është cënuar liria e të folurit etj. Të gjitha këto masa, do të jenë në interesin maksimal të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Në kuadër të reprezaljeve pas Konferencës së Tiranës, kaloi gjysma e vitit 1956 dhe u arrestuan pas një procesi gjyqësor të shpejtë e të shkurtër, e u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, revolucionarët e vjetër, Liri Gega dhe Dali Ndreu. Liri Gega ishte kooptuar në Komitetin Qendror të përkohshëm në prill të vitit 1942. Më vonë u zgjodh dhe anëtare e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSH-së. Ishte zëvendëse e komisarit të Divizionit të I-të Sulmues, kurse, me rastin e kalimit të njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nga Shqipëria e Jugut në atë të Veriut, ishte funksionare e Partisë për mbarë Shqipërinë e Veriut.

Ishte e para kryetare e Frontit Antifashiste të Grave të Shqipërisë. Nuk ka dyshim se Liri Gega, ishte jo vetëm komunistja më e vjetër në radhët e femrave të Shqipërisë, por edhe një nga intelektualet me të shquara në vend. Dali Ndreu i takonte në periudhën e paraluftës, “Grupit të Oficerëve” përparimtarë bashkë me Bedri Spahiun, Tahir Kadarenë, Shefqet Peçin etj. Është pjesëmarrës i kryengritjes së Fierit në vitin 1936. Anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë që nga themelimi i saj dhe në mars 1943, në Konferencën e I-rë kombëtare të vendit, është zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror të PKSH-së. Ka qenë udhëheqës, kryetar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe familja e tij, ka qenë një nga mbështetjet më të mëdha të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Peshkopi!

Është një nga gjeneralët e parë të Ushtrisë Shqiptare. Ka qenë komandanti i i të parit Divizion partizan, kurse me rastin e kalimit të njësive ushtarake partizane nga Jugu në Veri, i’u besua përgjegjësia për çështjet ushtarake në Shqipërinë e Veriut. Pas Luftës ka qenë krye-shef i Shërbimit të Prapavijave në Shtatmadhorinë Shqiptare. Pas eliminimit të Liri Gegës dhe Dali Ndreut, u njoftuan zyrtarisht se: u dënuan me vdekje si tradhtarë të Partisë dhe të popullit dhe se, gjoja ishin zënë diku në afërsi të Kukësit, ku gjoja kishin ndërmend të iknin përtej kufirit! Në të vërtetë, ata u arrestuan, u torturuan, u dënuan dhe u pushkatuan në Tiranë!

Kush e organizoi Konferencën e Tiranës?

Konferenca e Partisë së Tiranës krijoi një përshtypje jashtëzakonisht të rëndë, jo vetëm tek komunistët e kryeqytetit, por edhe në mbarë Partinë, përkundër faktit se anëtarët e partisë, nuk ishin të informuar objektivisht për të. Pikërisht për këtë arsye, udhëheqja e Partisë nuk mund të heshtte edhe më tej, për këtë ngjarje të rëndësishme. Aty nga fundi i vitit 1957, udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë, shpalli se Konferenca e Tiranës është “vepër e revizionistëve jugosllavë dhe e agjentit të tyre, Panajot Plakut”, e kjo do të thotë edhe vepër e imja!

Më duhet të them në këtë rast, se kam shumë argumente se nuk kam marrë pjesë në organizimin e Konferencës së Partisë së Tiranës. Është plotësisht e qartë se duke ma veshur mua këtë rol, në të vërtetë kanë pasur si qëllim që të largojnë vëmendjen prej motiveve të vërteta të kësaj proteste masive, kundër udhëheqjes së Partisë, prej pakënaqësisë së anëtarëve dhe të kuadrove udhëheqëse, me politikën e udhëheqësve më të lartë partiakë dhe shtetërorë. Para se të mbahej Konferenca e Tiranës, unë u nisa nga Shqipëria për në Korenë e Veriut. U ndala disa ditë në Moskë. Një ditë më ftuan urgjentisht në ambasadën e Shqipërisë. Atje i gjeta tejet të shqetësuar anëtarët e Byrosë Politike, e Komitetit Qendror, Spiro Kolekën e kandidaten për anëtare të Komitetit Qendror, Vito Kapon.

Prej brengosjes së tyre, krijova përshtypjen se në vendin tim kishte shpërthyer revolucioni. Më thanë se në Konferencën e Tiranës, gati të gjithë delegatët kishin kritikuar udhëheqjen, se ishin ngritur energjikisht kundër saj dhe kundërt vijës së deriatëhershme  të partisë. Më thanës se është posaçërisht brengosëse, faktin se sulmet kundër udhëheqjes, nuk pushuan as atëherë kur në Konferencë erdhën Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, e se situate ishte aq e acaruar, sa që ishin urdhëruar Lir Shurdhi dhe Adnan Qatipi, që të largoheshin nga Konferenca dhe të mbanin në gatishmëri një batalion të tankeve për të ndërhyrë sa më pare, në rast se do të ishte e nevojshme.

Me këtë rast unë dëgjova për herë të parë për ngjarjet në Konferencën e Tiranës, ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë. Sa ishte absurd akuza se Konferenca e Tiranës ishte “vepër e imja”, dëshmon edhe fakti se Kongresi i III-të i Partisë së Punës së Shqipërisë, është mbajtur pas hetimeve intensive dhe pas eliminimit të një numri të madh funksionarësh të lartë të Partisë dhe të Shtetit. Kjo është dëshmi e qartë se ajo, në të vërtetë, ishte shprehje e rezistencës spontane të komunistëve  të Shqipërisë, kundër burokratizimit dhe terrorit, të cilin e aplikonte grupi i udhëheqjes më të ngushtë.

Në Kongresin e III-të të PPSh-së, Enver Hoxha duke më propozuar anëtar të Komitetit Qendror, foli me superlative për kualitetet e mija. Madje tha se, unë jam i vetmi njeri në Shqipëri, i cili ka lexuar të gjitha veprat ve Leninit. Akuzat i përgënjeshtron edhe fakti se në Kongres, në të cilin kanë votuar të gjithë udhëheqësit më të lartë, e kjo do të thotë edhe të gjithë ata që ishin të informuar mirë për Konferencën e Tiranës dhe për prapavijën e saj, unë kam fituar qind përqind të votimeve. Më në fund e dhëna e fundit që e hedh poshtë pohimin e përmendur, është fakti se Enver Hixha dhe Mehmet Shehu, nuk më kanë dëbuar nga Shqipëria, por vetë, me dëshirën time, kam vendosur që të arratisem në Jugosllavi.

Këtë arratisje e publikuan në shtyp pas më shumë se dhjetë ditëve, e kjo padyshim është karakteristike sepse, kur u largova isha ministër i qeverisë së Shqipërisë. E konsiderova të domosdoshme që me këto argumente, t’i përgënjeshtroj akuzat për rolin tim, si “organizator” në Konferencën e Tiranës, pikërisht për shkak të se po shoh se ato i kanë për qëllim, që me gjoja tradhtinë time, në të vërtetë, të maskohet disponimi i vërtetë i bashkëluftëtarëve të mi i komunistëve dhe i patriotëve të Shqipërisë. Të gjitha arrestimet dhe eliminimet pas Konferencës së Tiranës, ishin sipas mendimit tim, në të vërtetë, masa preventive. Sa i përket situatës së brendshme, ato ishin reagime ndaj dukurisë së pakënaqësisë së hapët masive, të kuadrove të vjetra të sprovuara dhe të të gjithë njerëzve, të cilët mendonin me kokat e tyre.

Sa u përket faktorëve të jashtëm, udhëheqësit e Shqipërisë i kishte kapluar paniku që të mos shpërthejë edhe në Shqipëri aksioni i hapur kundër stalinizmit, sikurse kishte ndodhur në disa vende socialiste (në Republikën Demokratike të Gjermanisë, në Poloni dhe Hungari). Pas vdekjes së Stalinit, në radhët e Partisë dominoi një atmosferë e re. Duke e duruar vite me radhë despotizmin e Enver Hoxhës, anëtarët e Partisë konsideronin se kishte ardhur koha që t’i qërojnë hesapet me dukuritë e rënda të burokratizmit dhe që demokratizimi të aplikohet përsëri si metodë kryesore e jetës dhe veprimit të partisë së Punës së Shqipërisë. Mirëpo një atmosferë e tillë nuk i shkonte për shtat Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Këta druanin me të drejtë se vala e qërimit të hesapeve, me burokratizimin dhe me dhunën, do t’i fshijë në mënyrë të paevitueshme dhe ata vetë./Memorie.al 

Komento

Komente

  • Ceco me bicak: 14/11/2021 09:09

    Po keto gjera behen edhe sot sidomos nga Partia Demokratike e cila pretendon se eshte Parti antikomuniste parti qe ne qender ka lirine e fjales dhe te gjitha te derjtat e njeriut. Eliminimi fizik i Azem Hajdarit liderit te levizjes studentore dhe me vone i Sokol Olldashit e shprehin qarte se Partia Demokratike eshte pjelle e PPSH dhe nuk shkeputet dot nga mentaliteti komunist.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?