Herë pas here kisha botuar ndonjë shkrim për ngjarje të shkëputura me hezitimin e përhershëm ndaj penave të njohura që e sillnin këtë kohë tragjike nëpërmjet librave të tyre. Edhe përshkrimi pasiv nuk shkon, prandaj m’u desh të bëhem komentator i kësaj periudhe, me qëllim paraqitjen jo vetëm të tragjikes, por në përgjithësi të asaj jetësores. Me këto shkimëza rrëfenjash, nuk pretendoj të sjell imazhe të gjalla, por një kontribut fare të vogël në memorialin për nder të kujtimit të tyre.
DITAR BURGU
Ecim me auto-burgun prej disa orësh. Me sa nuhasim, po udhëtojmë drejt jugut. Jam i lidhur me Patër Aleks Baqlin, At françeskan, i cili vinte në kampin e riedukimit për të plotësuar dekadën e tretë të burgosjes. Kishim biseduar gjatë gjithë rrugës për At Viktor Volajn, mikun tim prej të cilit ruaja kujtimet më të bukura.
E pyeta me merakun nëse e kishin arrestuar gjatë “fushatës” së fundit apo jo, po ai më tha se, deri ditën e fundit të lirisë së tij, nuk kishte dëgjuar gjë.
At Viktori bënte një jetë krejt të izoluar. Priftërinjtë katolikë, veçanërisht ata françeskanë, më kishin tërhequr gjithmonë me patriotizmin e tyre, me përkushtimin ndaj misionit që kishin, me dijet e tyre të thella dhe ndoshta të veshur me një lloj veli misterioz në organizimin e tyre.
Kjo e fundit, si rezultat i gjithë asaj propagande të fuqishme që ishte bërë kundër klerit në përgjithësi, por në veçanti ndaj atij Katolik, i cili kishte meritën si kultivues i patriotizmit dhe bartës i nacionalizmit shqiptar.
Kisha dëgjuar për gjyqin e organizuar në Shkodër kundër patër Ndue Meshkallës duke zgjedhur si dëgjues studentët e institutit pedagogjik. Ky gjyq ishte kthyer në bumerang ndaj organizatorëve të tij.
Megjithëse me agjentë të Sigurimit dhe injorantë të atij kallëpi që ulërinin “Crucifige”, gjyqi dështoi dhe pati jehonë në mbarë Shqipërinë. Pater Meshkalla, me një fizik sa një grusht, kishte bërë zë si një titan i mendimit e i kurajës. Me erudicionin e tij të spikatur, të cilin nuk e kishin llogaritur persekutorët, ai i kishte vënë në pozitë të papëlqyer së bashku, aktorë e regjisorë.
Patër Aleksin e kishin arrestuar në vendin e punës duke shtyrë karrocën e dorës ngarkuar me tulla. Punonte në ndërmarrjen Komunale, punë të rënda, megjithëse me fizik të dobët e invalid. Arrestimin i’a kishin bërë të bujshëm, ashtu si e kërkonte sëra e një “agjenti” të Vatikanit.
Ishim në mesin e kamionit auto-burg. Dora ime e djathtë ishte e lidhur me të majtën e tij. Për të ndezur shkrepësen, unë mbaja kutinë e ai fërkonte kunjin në të, ritual ky që përsëritej shpesh, ngaqë cigaren unë e mbaja si diçka për t’u eglendisur.
-“Mos kërko të falur, sepse kam qenë vetë zanatçi i këtij vesi”, – më thoshte duke qeshur. Kishte një të folur të ëmbël e të ngadaltë, një i kuq i purpuronte fytyrën dhe shpesh dora e tij e lirë i shoqëronte me lëvizje fjalët. Më dhimbsej pa masë. Më ngjante sikur e kisha parë diku, por më kot rrekesha ta sillja ndërmend.
Përherë kam patur një dukuri amnezie në kujtimin e emrave dhe fytyrave. Së fundi, m’u ndriçua në mendje. Ai më ngjante si shëmbëlltyra e dikujt nga piktura e famshme “Deposizione” e Van der Weyden, ku tregohej Krishti që hiqej nga kryqëzimi.
I gjori patër! Ishte mishërim i vuajtjes. Të ngjallte një ndjenjë të atillë që, gjithkush provon kur ndodhet para një viktime të pambrojtur. Por ai s’e ndiente vehten aspak të tillë!
Ai e ndjente pranë “Atë” në çdo çast. Aty ishte burimi i qëndresës së tij e i shokëve të vet. Sa të fortë ndiheshin këta njerëz! Ishte autori i dramës “Oso Kuka”, e shfaqur me sukses në kohën e pushtimit italian. Aludimi ishte mjaft i prekshëm. Autoritetet e ndaluan.
Patër Aleksi, së fundi, më rrëfeu një shqetësim. Komisari i burgut të Tiranës, kur i kishin dorëzuar sendet personale, i kishte dhënë në dorë rozaret që i kishin gjetur në momentin e arrestimit. Ishin rozare qelibari në sadef të bardhë. Në krye kishin një kryq afro tetë centimetra me statuetën e Krishtit të kryqëzuar.
Çdo kokërr ishte e veshur në gjysmën e saj me një punim filigrami. Ishin vërtet të bukura. Këto rozare ishte i porositur t’ia dorëzonte komisarit të burgut. Inskenime të tilla që kishin qëllim poshtërimin e fesë dhe predikuesve të saj, ishin të njohura sidomos në vitin 1967, gjatë “Revolucionit Kulturor”.
Poshtë, në mes të këmbëve të mia ndodhej një vrimë nga e cila hidhja jashtë bishtat e cigareve dhe derdhnim ndonjë qese plastmasi me të vjellat e atyre që i zinte makina. I thashë t’i hidhnim aty, duke e marrë fajin unë përsipër, sikur më kishin rënë padashur nga dora drejt e në vrimë. Patër Aleksi m’u përgjigj: – “Ruejna zot! Jo, mor patër, nuk due me qitë bela”!
I thashë se veç ndonjë jave izolimi, s’do më bënin gjë tjetër, sepse nuk isha katolik, kështu që nuk do të merrej si kundërvënie e organizuar. “Rri, or patër, – më tha,- se ti i njeh ata shejtanët jashtë, kurse këta të brendshmit i njoh vetë ma mire”.
Ndërkohë, mbas një sfilitjeje të gjatë mbërritëm. Dera së fundi u hap dhe thithëm ajër të pastër. Mbas një udhëtimi afro shtatë orësh, në një ambient ku nuk dalloje se çfarë lloj qelbësire kutërbonte, zbritëm ashtu si ishim, të lidhur dy e nga dy prej autoburgut, në një oborr, para një dere të madhe me zgarë hekurash. Kisha afro shtatë muaj që s’kisha parë natyrën. Ishte maj.
Sytë e uritur rrëshkitën nga gjelbërimi i pyllit tek kecat, tek lulet, tek gurët, te hardhucat dhe kuptova se jeta s’kish ndalur në vend, ashtu siç kishte ndodhur me ne në mes muresh të betonta, izoluar prej kaq kohësh.
Vëzhgoja. Të gjithë soditnin ato që njerëzve të zakonshëm s’u tërheqin vëmendjen. Në distancë prej dhjetë metrash, gjashtë ushtarë me automatikë në duar, na shikonin të vrenjtur, por jo pa kureshtje. Ne qëndruam në këmbë derisa shoqëruesi, i dorëzoi oficerit të rojës dokumentacionin përkatës.
Ai na verifikoi sipas kartelave shoqëruese. Patër Aleksi kishte pasur të drejtë, sepse shoqëruesi ynë nga Tirana, diçka foli duke parë në drejtim të tij, ndërsa oficeri i rojës, financier, një vllah nga Selenica, u drejtua nga ne dhe i kërkoi priftit rozaret. I mori në dorë dhe i kundroi gjatë.
Pastaj i lëshoi ngadalë në kutinë ku ishin kartelat dhe i vendosi mbi një bankë afër barakës së takimeve. Ndërkaq, te dera afrohej një skuadër të burgosurish që ktheheshin nga puna. Tek porta qëndronte nënoficeri, që e quanin Ali.
Ai me një shufër të gdhendur me brisk, rrihte çizmet e sapo porta u hap, filloi të numëronte të burgosurit, duke lëvizur thuprën për çdo çift, a thua se dirigjonte vazhdimisht me kohën 2/4. Nga zyrat e komandës u afrua komisari i burgut, një shtatmadh me fytyrë të vrenjtur. Ai qëndroi para nesh hijerëndë e duke na parë haptas me urrejtje.
– “Cili është prifti katolik prej jush”? – pyeti me ton.
– “Unë zoti oficer”, – u përgjigj patër Aleksi.
– “Hëm! U bënë dhjetë vjet që populli rrafshoi kisha, teqe e xhamira, kurse ti vazhdon t’i biesh legenit për t’u prishur mendjen njerëzve me atë propagandën tënde të poshtër.
Por sapo të kërkoni terren për atë veprimtarinë tuaj konseguente armiqësore, ta dini se këtu e kini vendin. Ju jeni të vendosur, por ne më shumë se ju dhe këtë besoj se deri më sot e ke marrë vesh. Çfarë i ke këto”?
– …
– “Fol, për çfarë i ke këto tespije”?
– “Për t’u lutur”.
– “Lutu sa të duash, këtu s’të bën dot derman as Zoti e as dreqi. Ali, merr një çekan dhe jepja këtij në dorë”.
Të burgosurit e kthyer nga puna qëndronin në një oborr me ne pa hyrë ende në kamp. Shfaqja e organizuar i kishte rezervuar atyre rolin e publikut. Qëllimi diskreditues i shfaqjes si duket bënte pjesë mbas punës së lodhshme, në procesin e riedukimit.
Aliu u kthye dhe pruri nga kovaçhana aty pranë një çekiç, të cilin i’a dha patër Aleksit në dorë. Komisari nxori rozaret nga sirtari dhe i vendosi mbi një sofa guri.
– “Bjeri”!
– …
– “Bjeri, të them, dëgjon? Thyeje”!
-…
Asgjë s’pipëtinte. Shikoja profilin e patër Aleksit. Veshët i ishin skuqur. Gjaku i kishte hipur në fytyrë. Ai njeri që dukej i frikësuar në atë çast, u tendos dhe shikonte komisarin drejt e në fytyrë pa i lëvizur qepallat e syve.
Ai dukej i prerë në qëndrimin e tij. Komisari me trup dy herë sa të priftit, papritur m’u duk si një liliput para tij, ndërsa patër Aleksi, mori një dimension të stërmadh. Isha në botën e priftit…! Sa përjetësisht realë janë David-i e Goliath-i.
Auditori u step i tensionuar. Komisari po vendoste se si do të reagonte…! Situatën e zhbllokoi nënoficer Aliu. Ai ia rrëmbeu nga dora çekiçin patër Aleksit dhe qëlloi mbi statuetën e Krishtit. Rruazat u shpërndanë, duke fluturuar në të gjitha drejtimet, ndërsa statueta e Krishtit u thye në copëra.
Aliu mori nishan dhe qëlloi me çekan përsëri, duke i ulëritur priftit: – “Hë more, ku është Krishti yt? Pse s’më vret dhe ai po të jetë vërtet Zot, si thua ti…”?!
Komisari u gajas bashkë me disa fytyra servile, më pas ktheu kurrizin e u drejtua për nga zyra. Trimi Ali, duke u ngërdheshur, flaku çekiçin drejt kovaçhanës. Shikoja profilin e patër Aleksit.
Shikoja buzët e tij që mërmërisnin…! Kërkonte mëshirë për ata që… dinin se ç’bënin. Disa ditë më pas më tha: – “Ati ynë nuk ka nevojë për ulërima. Ai na e ndjen nevojën që kemi kemi për të edhe përmes rrënqethjes së shpirtit…”!
Kuzhina personale, Agimi, Beqiri e Nasi
Kur udhëtonim me auto-burg, patër Aleksi më foli për at Zef Pllumin, si një prift françeskan me karakter të fortë. Më tregoi se ç’kishte hequr nëpër burgje që i ri, e deri më sot. Ai ishte më i ri se patër Aleks Baqli.
Siç ishte zakoni, At Zefi më ftoi dhe mua për kafe, meqë isha mysafir i ri e isha shoqëruar me mikun e kolegun e tij, për të cilin mbas mbërritjes në kamp, veç respektit për të, tashmë ndieja adhurim. Shkuam tek kuzhina personale, njëri prej vendeve më të këndshëm të kampit. Ky ishte prezantimi i parë me të.
Kuzhina ishte një hapësirë 6 x 8 m., e ndarë në mes prej një muri të trashë, të lartë një metër e, që në të dyja anët kishte njëzet furnela ku përdorej pluhur briketi i përzier me hi e baltë, i bërë sa një top tenisi, apo diçka më i madh, aq sa mund të formohej në mes të dy duarve.
Para çatisë ishte një hapësirë nja dy pëllëmbë dhe e zënë me tel gjembaç të thurur nga ana e rrethimit. Që nga muri i kuzhinës e deri tek “kloni”, ku ishin karakollet e rojave, ishin afro njëzet metra.
Pak përpara se të vinim ne, një i burgosur kishte tentuar të mbërrinte telat e klonit, por roja i kish gjuajtur me breshëri para këmbëve dhe e kishte detyruar të shtrihej pa lëvizur. Nuk ishte marrë vesh nëse ishte tentativë arratisjeje, apo vetëvrasje.
“Biznesin kulinar, e kanë bërë monopol disa vetë”, shpjegoi me ironi At Zefi, ndërsa po i afroheshim kuzhinës.
Ai iu afrua një mesoburri me mustaqe të holla mbi buzë që, i frynte zjarrit me një kompensatë të vogël të cilën, e mbante nga një bisht gome e që i lehtësonte lëvizjet e shpejta, pa lodhur kyçin e dorës./Memorie.al