Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia.
Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh.
Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
...
Një “alien” i pacipë
Një ndër detyrat e mia në Bashkinë e Durrësit, qe dhe përgatitja e programit për vizita të personaliteteve të ndryshme në qytetin tonë. Në muajin shtator ’96, bëra programin e punës për pritjen e ambasadorit gjerman në Durrës. Ndër të tjera, pata parashikuar edhe një vizitë të zotit ambasador në gjimnazin “Naim Frashëri”. Zgjodha “Naim Frashërin”, sepse ka qenë gjimnazi im. Fola paraprakisht me drejtoren e gjimnazit, e cila u tregua shumë entuziaste për këtë vizitë; caktuam edhe orarin dhe ramë dakord për të gjitha.
Për të shoqëruar zotin ambasador, pata ftuar edhe deputetët e qytetit tonë, mes të cilëve edhe zotin Bashkim Kopliku, që ishte njëkohësisht edhe zv/kryeministër. Rreth orës 11.00 paradite, i erdhi radha vizitës në gjimnaz; mjedisi i krijuar rreth z. ambasador, qe mjaft i ngrohtë e miqësor dhe ai e ndjente këtë gjë. Sillej mjaft shpenguar, me gjithë zonjën e tij.
Shkurt: ishte shumë i kënaqur nga kjo vizitë dhe pritja që iu rezervua kudo. Shpesh bëja edhe përkthyesin, nga gjuha engleze. Pasi vizituam mjediset e shkollës, drejtorja na ftoi në një sallë të madhe, të përgatitur dhe zbukuruar enkas edhe me shkrime të ndryshme në gjuhën gjermane, për nder të z. ambasador.
Zumë vendet që na pat caktuar drejtorja e shkollës. Unë u ula pranë ambasadorit dhe zonjës se tij, për t’i shërbyer edhe si përkthyes. Nxënësit patën përgatitur disa recitime poezish, në gjuhën gjermane, prej poetësh të shquar, si; Goethe, Heine, etj.
Ambasadori dhe zonja mbetën të befasuar dhe duartrokisnin fort çdo recitim dhe madje shpesh, i pashë të mallëngjeheshin nga arti i nxënësve. Ndërkaq, drejtorja e shkollës, m’u lut që t’i thosha ambasadorit të merrte në konsideratë dëshirën e gjimnazistëve durrsakë, për një binjakëzim me një gjimnaz gjerman. I thashë z. Bashkim Kopliku, që t’ia thoshte në gjermanisht, por ky u tërhoq: “Nuk mundem, Maks. Për vetë detyrën që mbuloj, asht edhe çështje protokolli, më kupto të lutem”.
Ia thashë vetë në gjuhën angleze ambasadorit, dëshirën e gjimnazistëve për një binjakëzim me moshatarët e tyre gjermanë. I bëra një hyrje të shkurtër, për simpatitë pro-gjermane në Durrës dhe kjo jo vetëm për futbollin gjerman dhe Bayernin e Münchenit. U bë menjëherë i ftohtë, i largët gjermani, njësoj sikur t’i kisha kërkuar para borxh…!
– “Aaa, kuptoj, drejtorja dhe nxënësit e shkollës, kërkojnë binjakëzim me një shkollë gjermane, pooo, kuptovaaa. Hëm… kjo më kujton mua vitet në Gjermaninë e pasluftës. Atëherë shkollarët gjermanë, kërkonin (njësoj si ju tani), binjakëzime me shkollat franceze, sepse shkonin atje dhe hanin më mirë, sillnin me vete kur ktheheshin, sallame, ushqime të ndryshme, ndonjë veshmbathje, pulovra, gjëra të tilla, kupton…eeeeh…?! Unë, personalisht, më kuptoni, unë jam kundër binjakëzimeve…por e kuptoj ç’fshihet pas tyre…”!?
Mbeta keq. Pashë me bisht të syrit nxënësit. Ishin të mërzitur, të fyer, i kishin kuptuar të gjitha ato ç’tha z. ambasador. Më duhej t’i jepja një përgjigje, por më duhej ta fshihja tërbimin, fyerjen…! Nuk e fsheh…pata qejf t’i përgjigjem me zhargonin e parapëlqyer dhe të pasur në fyerje, të detarëve, pa zënë n’gojë atë të burgut…!
Pashë nga Bashkim Kopliku, kuptova nga mimika e tij, që duhej të flisja, deputetët e tjerë, nuk ndjeheshin…?! Mora frymë thellë dhe i thashë:
– “Ju njoftoj, z. ambasador, se gjimnazi tjetër në Durrës, prej kohësh ka një binjakëzim të tillë dhe janë kënaqur më tepër anglezët, që kanë ardhur në Durrës nga ky binjakëzim. Ju siguroj se kështu do të ndodhë edhe me nxënësit gjermanë. Një gjë tjetër, që mendoj se duhet të mësoni, shkëlqesia juaj, është se gjermanishtja, nuk bën pjesë në programin mësimor të kësaj shkolle.
Këta nxënës, që ju emocionuan me gjermanishten e tyre, e kanë mësuar këtë gjuhë, me mësues private, me pagesë dhe së fundi ju them se; vërtet jemi një vend i varfër, por, gjithsesi, nuk jemi në nivelet që ishim në vitet ’90-91, as në nivelin e varfërisë gjermane të pasluftës, as në nivelin e Shqipërisë së pasluftës, të shkatërruar nga Gjermania juaj, z. ambasador. Të jeni i sigurt, që simpatitë pro-gjermane të këtyre nxënësve, nuk do të cënohen prej fjalëve tuaja të nxituara. Faleminderit për durimin që më dëgjuat, shkëlqesi”.
Disa “alienë” janë vërtet të pacipë…! Pas disa vitesh, u njoha me një të tillë. Njëherë m’u prezantua si amerikan dhe pas një viti, si duket nuk e mbante mend, që qemë prezantuar më parë, m’u prezantua si irlandez. Ky merrej me shoqatat joqeveritare, të famshmet OJQ. Kishte rreth tre vjet në Shqipëri. Kur po pinim me disa miq të përbashkët nga një kafe në qendër të Tiranës, befas ky anglez-irlandez-amerikan, tha:
– “A e dini ju, miqtë e mi, se dy vajzat e mia, janë regjistruar në universitet për të mësuar gjuhën shqipe”?!
– “Besoj se i ati, u ka folur mirë për Shqipërinë”, – i tha dikush.
– “Ahahahahah, jooo, e ke gabim. Po e mësojnë shqipen, sepse këtu në Shqipëri, bëhen parà…! Ahahaha, prandaj po e mësojnë”.
– “Mirë e ka ky miku, – më tha ai që ishte ulur afër meje. – Ky horri, merr 1000 $, për një biçim leksioni, përveç se i paguhet edhe udhëtimi, fjetja, transporti, ushqimi”!
– “Nga dalin gjithë këto parà”?
– “Nga ndihmat. Këshilli Europës, akordon disa milionë dollar çdo vit, si ndihmë për ne. Shumica shkon në xhepat e këtyre miqve, që thua ti, por në shtyp, deklarohen si ndihma për Shqipërinë”!
“Sa të zotët, që janë”?!
Shoah, përsiatje
Më datë 27 janar, në të gjithë botën përkujtohet ajo që izraelitët e quajnë Shoah. Është dita kur kudo në botë, përkujtohen viktimat e pafajshme të nazizmit. Ka dy ditë që TV Italian, jep filma me këtë temë. Filma që, përgjithësisht, kanë autorë me origjinë hebreje. Patjetër që edhe TV gjermane, engleze, franceze, ruse, amerikane, japin filma me të njëjtën temë.
Është brejtja e ndërgjegjes që ka bota, ndaj viktimave të pafajshme. Sepse ka pjesën e vet të fajit. Por nuk mjaftohet bota, vetëm me brerje ndërgjegjeje. Edhe sot vazhdon gjuetia, gjykimi dhe dënimi nëpër gjykata, i atyre njerëzve, ish-oficerë a zyrtarë, që kanë qenë përgjegjës, për ato krime ndaj njerëzimit, të kryera 60-70 vjet më parë.
MOSAD-i, shërbimi sekret izraelit, është ende mjaft i ndjeshëm dhe aktiv kundër atyre individëve. Arrestohen dhe dënohen autorët e atyre krimeve, sado që këta sot janë të moshuar 80-90 vjeçarë, apo të sëmurë. Dikush nga të njohurit e mi më thoshte se; kjo gjë ndodh, ngaqë një pjesë e mirë e pasurive të botës, është në duar milionerësh e miliarderësh, me origjinë hebreje. Nuk besoj se është vetëm kjo arsyeja, e gjithë këtij aktiviteti human.
Duhet të jetë dashuria për drejtësi, që e bën këtë, duhet të jetë urrejtja ndaj sistemeve totalitare dhe diktaturave, që duhen dënuar si të tilla. Dhe jo vetëm me libra e, me filma.
Pashë një film që tregonte jetën në një kamp përqendrimi nazist. M’u rrëqeth mishi, nuk munda ta shoh deri në fund. Mbeta me imazhin e atyre njerëzve-kufoma, veshur me ato uniforma me vija blu-bardhë. Uniformë e njëjtë, me atë që kam mbajtur unë dhe mijra si unë, në kohë paqeje, në kampet e përqendrimit të sistemit totalitar enverist. Me vija bardhë-blu. Me atë uniformë, më gjeti gjyshja ime nga nëna, kur më erdhi në Spaç më 1979-ën.
Binte shi dhe gjyshja, nëna, vëllai dridheshin nga të ftohtët. Shiu më maskonte mua lotët, që nuk munda t’i mbaj kur dëgjova klithmën e thekshme të gjyshes: “Zot, marrç hak!”… më mbushen sytë me lot edhe tani që e kujtoj.
Po nëna e Ylli Tabakut, çfarë duhet të thoshte, kur i arrestuan të birin, 6 muaj pas lirimit prej kampit të përqendrimit nr. 309 dhe pikërisht në ditën e dasmës së tij?! Edhe një kushëri të nënës sime, e kanë arrestuar ditën e dasmës. “Për atë të keqe! Djali si yll, avokat, dhëndër me kostum të zi, iu hodhën përsipër pesë-gjashtë policë dhe e muarrën zvarrë…! U kthye dasma në mort, nusja u vesh në të zeza…”!
Ishin vetëm ca meditime për ditën e Shoah-ut, terrorit të ushtruar prej gjermanëve, ndaj hebrejve, jo terrorit të kuq, të ushtruar nga shqiptarët, kundër shqiptarëve. Në kohë paqeje. Por në Shqipëri; “nuk ka ndodhur një gjë e tillë, si Shoah”. Një politikan me emër i ditëve tona, një demokrat i shquar, mendon se kemi qenë të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë! Si poeti i varur Havzi Nela, edhe prokurori i tij.
“Fundja…ka ‘dokumenta’! Havziu e ka ‘pranuar’ fajin vetë, në hetuesi”, – shkruan një palaço, biçim gazetari shqiptar, nga Amerika. Shteti nuk mbahet me llafe në hava. Pale, po ka edhe ca burgaxhinj, që dinë shkrim e këndim dhe vuuu, nxij karta. Le të shkruajnë, e kujt i plasi! Jemi në demokraci, le ta gëzojnë edhe ata të shkretët të drejtën e llafit… ahahaha…!?!
Ish – i dënuar politik
Jeta e kaluar në burg, nuk më egërsoi karakterin. Vetëm më shtoi urrejtjen ndaj padrejtësisë. Më mësoi të pranoj mendimin, ndryshe nga imi. Kam thënë edhe herë tjetër: në burg ne nuk ndanim të gjithë të njëjtat mendime për historinë, politikën, artin, por kjo gjë, nuk na ndante aspak nga njëri tjetri, përkundrazi, na bashkonte, për të ballafaquar mendimet, idetë tona me tjetrin. Na bënte të gjykonim me mendjen tonë, çka ishte e drejtë dhe çka jo.
Një gjë na bashkonte: urrejtja për diktaturën personale të Enver Hoxhës. Secili ishte i lirë të shprehte mendimin e tij, që ishte gati ta ndryshonte, kur dëgjonte një më të mençur se vetja dhe të mos i vinte rëndë, ta pranonte këtë. Edhe pas lirimit nga burgu dhe pas ndryshimeve të vitit ’92, kur punoja si kapiten vapori apo nëpunës bashkie, unë i kam pranuar mendimet e kundërta me të miat, pa e quajtur bashkëbiseduesin, armikun tim.
Por jo të gjithë ata më pranonin mua. Jo të gjithë pjestarëve të ekuipazhit të “Vlorës” i erdhi mirë, kur u bëra unë kapiten! Por unë dija ta ndaja politikën, nga detyra, ata jo. Janë munduar të më pengojnë në detyrën time, të më sabotojnë. Unë e dija cilët ishin dhe jam përpjekur t’i bind. Kur kam patur rebelim në anije, pata ofertën e agjencisë për të sjellë policinë e Jemenit, për të zbritur në tokë rebeluesit.
E kundërshtova. Nuk ma lejonte ndërgjegjja, që detarët e mi të vdisnin në burgjet e Jemenit. Shumë prej tyre, e braktisën anijen në muajin nëntor ’95, kur anija ndodhej në radën e Pireut dhe u dhashë të drejtë, ishte e vështirë të punoje në ato kushte. Por mbeta keq, kur mësova se kishin thënë njëqind të zezat kundër meje, në drejtori, ndërsa mua më kishin lënë me shkrim, se arsyeja e largimit, ishte te menaxhimi i keq nga drejtoria, vonesa e rrogave, etj.
Plot thashetheme qarkullonin kundër meje, para se ata të largoheshin: “Maksi e ka marrë pjesën nga grekët dhe ne po vuajmë si qenër këtu”! Kur isha punonjës në Bashkinë e Durrësit, shkoja shpesh në një bar përballë stacionit të autobuzave të plazhit. Më pëlqente kafja dhe shërbimi në atë lokal. Kamarierët më njihnin dhe ma sillnin kafen dhe fërnetin, edhe pa porositur.
Një ditë, pasi zura vend vetëm në një tryezë të atij lokali, kamarieri më solli kafen dhe një dopio fërnet. Shikimit tim pyetës; “pse dopio”? ai iu përgjigj:
– “E ke të qerasme nga ata çunat e asaj tavolinës. Ktheva kokën dhe pashë, katër ish – detarë të “Vlorës”: E.L., A.K., etj. U çova dhe u afrova te tryeza e tyre. U ngritën të katër në këmbë dhe njëri prej tyre foli:
– “E kemi qelb me ty, kapidon. Osht faji jonë, që jemi sjellë keq me ty dhe të kemi shkaktu shqetësime, pa të drejtë. Qerasja jonë, ishte një lloj ndjese nga ana jonë. Na fal, kapidon”.
E si të mos i falja? Sjellja e tyre, ishte një sjellje burrash.
– “Në rregull, çuna, në rregull. Kështu e pranoj qerasjen tuaj. Sot nuk kam kohë, por tjetër here, mund të ulemi në një tryezë”.
Punova disa vite në Bashkinë e Durrësit, pastaj rifillova në det si kapiten, nëpër anije të ndryshme, gjithnjë me shpresë se gjendja në Shqipëri, do të ndryshojë.
Kur kuptova se gjendja jo vetëm nuk do të ndryshonte për mirë, përkundrazi, po keqësohej, vendosa, zemërthyer, të shkoja në mërgim./Memorie.al