Frrok Çupi

Dosje

Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës: Frrok Çupin e hoqën nga ‘Zëri i popullit’ me porosi të Enverit dhe e dërguan me dënim në Mirditë

15 Nëntor 2021, 09:40| Përditesimi: 15 Nëntor 2021, 09:47

  • Share

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ .

(Vijon nga numrat e kaluar)
Ndarjen nga jeta të Vladimir Prelës, kryeministri Berisha e cilësoi një zi për diplomacinë shqiptare !

Në fillimet e demokracisë Ladi punoi disa kohë në gazetën “Koha Jonë”, e cila ishte mjaft kritike ndaj presidentit të kohës Sali Berisha. U befasova kur lexova fjalët që tha kryeministri Berisha me rastin e vdekjes së Vladimir Prelës. Kryeministri tha: “Është një zi e vërtetë për diplomacinë e Shqipërisë, e cila ka pasur te Vladimir Prela një nga përfaqësuesit e saj më dinjitozë, një intelektual dhe zyrtar të ndershëm, të përkushtuar, të mençur, një diplomat që ka dhënë kontribut të veçantë për vendin dhe kombin në tërësi, një prind, familjar, një qytetar dhe mik të shkëlqyer”. Më pas mendova se edhe Berisha, në fund të fundit, ka të drejtë të ndryshojë opinion! Vlerësime, madje publike, në kahje krejtësisht të kundërta, për persona të ndryshëm, ai kishte bërë edhe më parë. Kështu, p.sh., kundërshtarët e tij të dikurshëm, Fatos Nano e Ilir Meta, të quajtur prej tij si “kriminelë” e “padrino”, papritur u emëruan po prej tij, si “liderë historikë të së majtës”, si “paladinë të integrimit” europian. Një tjetër i cilësuar po prej tij si “gjeneral” puçist, u emërua po prej tij ministër i Mbrojtjes, etj.

Me largimin e Ajetit, Taqos, Fatmirit, Ilirit dhe Vladimirit, unë mbeta disa kohë vetëm me Qako Dangon në Sektorin e Jashtëm të gazetës. Më pas erdhën këtu Aleko Haxhi, Lulzim Çota, Sokol Gjoka dhe Shkëlqim Beqari. Me këta nuk punova për shumë kohë. Me Alekon dhe Lulzimin diçka më shumë. Aleko erdhi në Sektorin e Jashtëm, pasi kishte punuar prej disa vitesh në Sektorin Ekonomik të gazetës. Ai ishte një ekonomist mjaft i përgatitur, i disiplinuar dhe cilësor në punë, me një humor të pashteruar në shoqëri. Argëtohej kur citonte gruan e Mao Ce Dunit, Çian Çinin, e cila, sipas tij, kishte thënë se “kënaqësinë që të jep pushteti, nuk ta jep as seksi”! Aleko nuk i kursente komplimentet ndaj shoqeve. Për të si ekonomist komplimentet ishin “një investim gratis” prej të cilit, sidoqoftë, nuk kishe asnjë humbje. Kështu shprehej ai. Ruaj kujtimet më të mira për të tërë këta shokë dhe kolegë korrektë, që më ndihmuan deri në ditën e fundit të qëndrimit tim në “Zëri i popullit”, për ta bërë sa më mirë atë detyrë, që më ishte ngarkuar.

Nga “Zëri i popullit”, pas viteve ’90-të, dolëm pesë ambasadorë!

Megjithëse, sikurse kam përmendur në një rast, “Zëri i popullit” ishte deklaruar si “fidanishte e kuadrove të Partisë”, vetëm pas përmbysjes së diktaturës, nga kjo ish “fidanishte” u bë e mundur të dalin pesë ambasadorë; Vladimiri, Fatmiri, Shaban Murati, Sokoli dhe unë. Lulzimi, po ashtu, punoi disa kohë në fushën e diplomacisë, duke qenë zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. Më parë vetëm Ilir Boçkës i ishte dhënë mundësia të kalojë në diplomaci. Pasi qëndroi disa vite si ambasador në Bon të Republikës Federale Gjermane, ai u bë më pas zëvendësministër dhe ministër i Jashtëm, pastaj sërish ambasador. Jemi takuar së bashku në Bruksel si shokë e kolegë të vjetër.

Nga tërë gazetarët e Sektorit të Jashtëm të “Zërit të popullit”, po të përjashtojmë Qako Dangon, që doli në pension  dhe Taqo Zoton, që shkoi drejtor i Agjencisë Telegrafike, vetëm Shkëlqim Beqari dhe Aleko Haxhi nuk bënë karrierë diplomatike. Shkëlqimi emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleko ishte larguar prej disa vitesh nga “Zëri i popullit” dhe, në mos gaboj, kishte kaluar në Akademinë e Shkencave. Me fillimin  e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, ai erdhi e më takoi një ditë në redaksinë e “Rilindjes Demokratike”. Leko, sikurse e thërrisnim ne shokët e kolegët e tij të “Zërit të popullit”, më solli për botim një artikull. Në këtë artikull ai shkruante për diskriminimin, që i ishte bërë gjatë diktaturës minoritetit grek në Shqipëri. Të them të drejtën, nuk isha i bindur për vërtetësinë e atyre që shkruante Aleko. Nuk më është dukur se minoriteti grek ka qenë gjatë diktaturës në një pozitë më të pafavorshme apo të diskriminuar në raport me pjesën tjetër të popullsisë. Ia thashë këtë gjë edhe Alekos. Ai më kundërshtoi duke shtuar më pas se ky ishte takimi ynë i fundit dhe se ai do të largohej përgjithnjë në Greqi. Me gjithë rezervat e mia e botova artikullin e Alekos. Të nesërmen Aleko u largua përgjithnjë me familjen e tij për në Greqi.

Nga Sektori i Jashtëm i gazetës “Zëri i popullit”, me sa e njoh unë historikun e tij, përjashto rastin e Jusuf Alibalit dhe atë të Paskal Milos, nuk ka patur ndonjë shef apo gazetar tjetër që të jetë përjashtuar ose dëbuar nga gazeta si i padëshiruar apo të jetë internuar dikund nga diktatura. Nga sektorë të tjerë, për një arsye apo për një tjetër, madje edhe pa asnjë arsye, por thjesht me pretekste të ndryshme, edhe gjatë viteve që kam punuar në këtë gazetë, u goditën mjaft gazetarë.

Largimi i Fatos Pilkatit nga “Zëri i popullit”, pas burgosjes të atit!

Më kujtohet Fatos Pilkati. Ai punonte në Redaksinë e Informacionit. Si gazetar nuk shkëlqeu ndonjëherë, por e keqja nuk i erdhi dhe as kishte për t’i ardhur prej kësaj. Fatosi vetë e dinte këtë gjë, prandaj edhe nuk merakosej fort për punën. Ne në gazetë, përveç angazhimit tonë si gazetarë, bënim, pak a shumë, një herë në muaj  edhe detyrën e dezhurnit të gazetës. Ne qëndronim derisa të dilte numri i parë i ditës, e lexonim atë, vinim firmën dhe gazeta kalonte në rotativë për shumëfishim. Fatosi, kur kishte dezhurnin, në vend që të shqetësohej se mos kalonte ndonjë gabim për të cilin mund të përgjigjej tepër shtrenjtë, shtrihej mbi tavolinën e zyrës, mbulohej me disa faqe gazete dhe flinte thellë-thellë!

Fatosi ishte i ri në moshë dhe, siç i thërrasin në Tiranë djem si ai, “çun i bukur”, shtatlartë, me sy të mëdhenj, gjithnjë i qeshur, modest. Interesat e tij ishin vajzat dhe qitja me pistoletë. Shumë i ri, në moshën 21 vjeçare, ai së bashku me Afërdita Tushën, Ismail Ramën, Beqir Kosovën dhe Ymer Pampurin, përfaqësuan Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Munihut të vitit 1972. Në ekip bënte pjesë edhe “shoqëruesi” i Sigurimit të Shtetit, emri i të cilit nuk u përmend asnjëherë. Ishte hera e parë që Shqipëria merrte pjesë në garat Olimpike. Ekipi ynë sportiv konkurroi në garat e qitjes dhe ngritjes së peshës. Në garën e qitjes me pistoletë standard morën pjesë 64 përfaqësues nga vende të ndryshme. Fatos Pilkati zuri vendin e 24 duke mbledhur 546 pikë. Duke parë rezultatet e ekipit tonë, themi se ato ishin krejt normale, madje shifrat dhe renditja për Fatosin dhe Ismail Ramën ishin dinjitoze. Ymer Pampuri në peshëngritje ishte një sensacion i vërtetë. Ndërkaq, krerët e lartë të regjimit, sikurse u tha në atë kohë, kishin mbetur të zhgënjyer nga qitsat tanë. Në propagandën e saj Partia e Punës i jepte një rëndësi të veçantë sportit të qitjes, e reklamonte atë si sportin bazë. Rezultatet e tij duhet t’i tregonin armiqve të brendshëm e të jashtëm se në Shqipëri ishin “plumbat e gatshëm për çdo armik”! Fatosi dhe të tjerët nuk e kënaqën udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit, por ai nuk do të dënohej as për këtë.

Më 16 tetor të vitit 1980 diktatura arrestoi si “armiq të popullit”  disa kuadro të larta, midis tyre edhe Sabri Pilkatin, ish kryetar i Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit dhe babai i Fatos Pilkatit. Pak kohë më parë ai ishte internuar familjarisht në Buz të Tepelenës. Fatosin fillimisht e dërguan në malësinë e Tiranës. Nuk e di çu bë më pas me të, a u bashkua edhe ai me familjen në Buz apo jo. Ka mundësi të ketë qëndruar në malësinë e Tiranës, thjesht për të mos lejuar “armiqtë” që të ishin së bashku edhe në fatkeqësinë e tyre, për të mos lejuar që ata t’i drejtonin një fjalë të vakët shprese njëri-tjetrit, një pëshpëritje njerëzore, për të mos qenë pranë njëri-tjetrit as në frymën e fundit. Kjo ishte praktika, që ndiqej në raste të tilla.

E kam takuar Fatosin në fillimin e Lëvizjes Demokratike. Ai erdhi një ditë në “Rilindja Demokratike”. Ishte i gëzuar, tepër i gëzuar. Më pas nuk e di se si shkoi jeta e tij. Ndoshta u largua edhe ai nga Shqipëria përgjithnjë, për të harruar përgjithnjë vitet e çmendurisë diktatoriale, për të nisur, me vonesë, një jetë të re, dikund në një tokë të re, të panjohur, pranë njerëzve të panjohur! Në internet kam gjetur një adresë me emrin e Fatos Pilkatit në SHBA. Ndoshta është Fatosi, kolegu im i “Zërit të popullit”, i dënuar vetëm e vetëm sepse nuk kishte patur mundësinë të zgjidhte të mos ishte biri i babait të tij!

Pas Fatos Pilkatit, “radha” e goditjes te “Zëri i popullit”, për Frrok Çupin!

Pas Fatosit e pësuan edhe gazetarë të tjerë të “Zërit të popullit”. Lufta e klasave nuk njihte hapësira boshe në asnjë sektor të jetës dhe në asnjë skaj të vendit .Ajo, madje, zhvillohej e ashpër edhe në brendësinë e individit! “Zëri i popullit”, nuk mund të bënte përjashtim. Aty, që nga vitet e para të pasçlirimit, kishin dalë gjithnjë “armiq” e “tradhtar”. Kështu, pas Fatos Pilkatit, do të goditeshin gazetarët Frrok Çupi dhe Mitro Çela.

Në mos gaboj, nga fillimi i vitit 1984, Frroku botoi në “Zëri i popullit” artikullin me titull “Peshku kapet në Shëngjin dhe shpërndahet në Ulzë”. Ai kritikonte aty një sërë të metash të asaj, që quhej në atë kohë Ndërmarrje e Peshkimit në Ujërat e Ëmbla, rezultatin e saj financiar tepër të dobët. Pa u përmendur me emër, në artikull flitej edhe për përvetësimet e paligjshme të autoriteteve të disa dikastereve qendrore, që përdornin automjetet e shtetit për t’u furnizuar me “peshk të freskët”. Kjo ishte me pak fjalë përmbajtja e artikullit, që u bë shkas i një kalvari të vërtetë disavjeçar për Frrok Çupin, gruan dhe dy fëmijët e tij.

Atëherë u tha se artikullin e kishte lexuar vetë diktatori. Ai kishte lexuar më parë edhe shkrime të tjera nga Frrok Çupi dhe ishte shprehur me superlativa. Kështu kishte vlerësuar ai, p.sh., jo shumë kohë më parë një reportazh, që kishte shkruajtur Frroku kur vdiq ‘Heroi i Popullit’, Babë Myslymi. Nuk ndodhi e njëjta gjë me artikullin për peshkun. Ai dha porosi që të verifikohen të dhënat e trajtuara në artikull dhe të mbahej qëndrim ndaj autorit, nëse ato nuk do të rezultonin të vërteta. Si pasojë, Frrokut i thanë në Redaksi se duhej të paraqitej në Rrethin e Mirditës. Atje e priti Sekretarja e Parë e Partisë së Rrethit, Gjela Biba, me fjalët: “Ti je armik i Partisë, nuk e meriton të jesh gazetar i saj. Do të shkosh në Spaç, jo në burg, sepse Partia është zemërgjerë, por do të shkosh në Ndërmarrjen Gjeologjike, të punosh e të riedukohesh në gjirin e gjeologëve”.

Frrokut as që i kërkuan të shpjegohej. Ai filloi kështu punën në Ndërmarrjen Gjeologjike në Spaç, duke lënë në Tiranë familjen e tij të tronditur për sa kishte ndodhur, por më shumë për atë që mund të arrinte më pas e që askush nuk mund ta dinte se deri ku do të shkonte! Aty Frroku kaloi dy vjet plot vështirësi pranë sondës së shpimit, në të ftohtit e dimrit, larg familjes dhe shokëve të Redaksisë, që kur e shihnin në të rrallë në Tiranë, bënin sikur nuk e shihnin. “Ftohtësia e shokëve me të cilët punoja në gazetë, do të kujtojë vite më pas Frrok Çupi, u bë më e akullt se akulli dhe të ftohtit dimëror i Spaçit…! Dua të besoj se jo shumë pak prej tyre kishin frikë”.

Pas dy viteve Frrokut i bënë një “favor”, e kthyen në Tiranë, por jo në profesionin e tij si gazetar. Atë e dërguan të punojë në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”, në repartin e llullave. Më pas, kur diktatura po e ndjente fundin dhe po derdhte demagogji me bollëk për të treguar se po ndryshonte natyrë, atij i ofrojnë punë në Institutin e Folklorit. Fillimisht nuk i’u kthye e drejta e botimit. Më pas ai botoi sërish në “Zëri i popullit”.

Me nisjen e Lëvizjes, që përmbysi komunizmin në Shqipëri, Frroku u bë kryeredaktori i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës së parë opozitare ndaj regjimit. Në rrethana jo të qarta, atë do ta largojnë nga “Rilindja Demokratike”. Kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, në një takim ku ishim të pranishëm edhe unë e Mitro Çela, pothuaj e akuzoi hapur Frrokun si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. “Rilindja Demokratike”, disa herë në artikuj të ndryshëm të saj, më direkt, do të përsërisë këtë akuzë të Berishës. Frroku do të bëhet në atë kohë një nga kundërshtarët më të paepur të kryeministrit Berisha, për tu rikthyer, pas disa vitesh, në aleat i tij.

Dënimi i Mitro Çelës dhe largimi nga Tirana si korrespodent për Gramshin e Librazhdin!

Pas Frrokut, në nëntor të vitit 1985, e pësoi edhe Mitro Çela, ish shef i Sektorit Ekonomik të gazetës. Masa, që u mor ndaj tij ishte mjaft më e lehtë, po të krahasohet me atë, që i’u dha Frrokut. “Unë qëllova me fat, thotë Mitro me humor. Komiteti Qendror vuri dorën në zemër”.

Në atë kohë unë nuk punoja më në “Zëri i popullit”, por siç më ka thënë Mitro, atë e larguan nga Tirana dhe e dërguan korrespondent i gazetës “Bashkimi” për Elbasanin, Gramshin dhe Librazhdin. Disa muaj më parë Mitro ishte lavdëruar jo pak në Komitetin Qendror të Partisë për artikujt, që kishte botuar. Mjaftoi një artikull i diskutueshëm dhe ai u ndëshkua.

Në të vërtetë vetë Mitro, sa herë ka folur për masën që i është dhënë atij, nuk është shprehur mjaft qartë. Ai e ka kaluar këtë si me shaka duke thënë se: Frroku ishte ndëshkuar për disa kë peshk, ndërsa ai për disa kë reçel fiku për eksport. Mua, në një takim të rastit që pata me të ato ditë, më ka thënë se ishte kryeredaktori, Arshin Xhezo, ai që po e largonte nga gazeta. Ai më tha se ia kishte thënë këtë gjë edhe Miti Tonës, shefit të Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qendror të Partisë, duke shtuar madje, se Arshin Xhezo kështu po i largonte nga gazeta një nga një njerëzit, që nuk i donte, sikurse kishte vepruar edhe me mua.

Nuk e di saktësisht sa vite qëndroi Mitro Çela si korrespondent i “Bashkimit”. Atë, një ditë, e kthyen sërish në Tiranë dhe e emëruan shef në sektorin ekonomik të kësaj gazete. Sikurse shkruan ai në kujtimet e tij, në dhjetorin e vitit 1990, kur porsa kishte filluar Lëvizja Demokratike, Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit, kishte thënë se Partia e Punës e kishte projektuar Mitron si kandidat të sajin për deputet. Në zgjedhjet e rastit, Mitro bëhet deputet i Partisë Demokratike, partia e parë opozitare e regjimit. Një kolegut tonë të përbashkët, Mitro i ka thënë ato ditë, se e kishin propozuar madje edhe për Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Mitro u bë një nga anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike, por pa e dorëzuar kartën e anëtarësisë në Partinë e Punës. Ai thoshte me humor, si gjithnjë, se kartën i’a kishte dhënë atij Ramiz Alia, pasuesi i diktatorit, prandaj ai mund t’ia dorëzonte këtë kartë vetëm atij!

Me Mitron u takuam sërish si kolegë në “Rilindja Demokratike”. Nuk punuam për shumë kohë bashkë. Fillimisht, kur gazeta ishte në opozitë e në pushtet ishte Partia e Punës, Mitro u largua për disa kohë nga gazeta dhe u shtrua në spital. Nuk e morëm vesh kurrë se përse u shtrua! Ai vetë na thoshte se mjekët nuk i’a përcaktonin dot diagnozën. Më pas ai do të vazhdonte edhe pak kohë në gazetë, deri në zgjedhjet e dyta pluraliste, fillimi i vitit 1992.

Në zgjedhjet e dyta pluraliste, Mitro thoshte hapur në Redaksinë e “Rilindjes Demokratike”, se ai do të ishte kryeministri i pas zgjedhjeve. Në të vërtetë kryeministër u zgjodh Aleksandër Meksi. Mitro, siç tregon në kujtimet e tij, u bashkua me fraksionin e parë, që u krijua në Partinë Demokratike, të quajtur “Mocionist”. Pjesëtarë të këtij fraksioni u larguan nga Partia Demokratike dhe krijuan një parti tjetër politike. Mitro thotë se edhe ai ishte “mocionist”, por nuk u largua si të tjerët, qëndroi në Partinë Demokratike në këtë kohë në pushtet.

Duke jetuar në Belgjikë nuk e di mirë se si kanë kaluar vitet e mëtejshme të Mitros. Di se ai punon në një televizion privat kritik ndaj Partisë Demokratike dhe qeverisë së kryeministrit Berisha. Di edhe se boton kujtimet e tij, gjithnjë me njëlloj humori, që krijon një lloj konfuzioni midis të vërtetës dhe fantazisë. Vetë ka thënë se i boton ato “për të përfituar nga honoraret e shtypit”, pra për të kontribuar disi në financat e tij! Në shtypin elektronik kam lexuar të shkruhet për Mitron:  “Nga tipa të tillë politikanësh nuk mund të presësh kurrë një gjë serioze, të përkushtuar që të ketë kërkuar sakrificë, vetëmohim, privacion, vuajtje, dhimbje. Ata vetëm shkasin si ato larvat e vogla të bretkosave, me ca shakara të vakta, buzëqeshje sakate e një butësi fjale që ka raste të kall krupën…. dinjiteti është me vite drite larg nga ta”. Në shtypin e shkruar, në gazetën “Korrieri”, kam lexuar një artikull të analistit të njohur Fatos Lubonja, me titull: “Punë Batakçinjsh”.

Në artikull, botuar me 28 dhjetor 2009, përmenden me emër dy kryetarët e partive kryesore politike të Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si edhe dy emra anëtarësh të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, njëkohësisht gazetarë, midis tyre ai i Mitro Çelës. Të katër përmenden për privatizimin apo shitblerjen e parregullt të 1.300 metrave katrore tokë në qendër të kryeqytetit. “Si histori privatizimesh’, shkruan autori i artikullit, ‘ajo është aq e rëndomtë, sa ndoshta të vetmen vlerë që ka, për të marrë mundimin ta shkruash, është që t’u lihet një dëshmi më shumë nipërve dhe mbesave të këtyre batakçinjve, që një ditë të dinë se si janë pasuruar gjyshërit e tyre në kurriz të të gjithë shqiptarëve, se si gjyshërit e tyre politikanë punën publike e kanë pasur thjesht si mundësi për të marrë ryshfete dhe përfitime nga gjyshërit biznesmenë, që biznesin e tyre nuk mund ta ndërtonin pa ryshfete dhe se këto biznese mund të lulëzonin edhe më mirë me ndihmën e gjyshërve gazetarë, që në vend të punës së gazetarit, bënin punën e sekserit”! Do të dëshiroja shumë që mendimet e mësipërme të jenë të nxituara ose të gabuara. Sidoqoftë, për një gjë jam i sigurt, Mitro nuk preket shumë nga artikuj apo opinione.

“Radha” e Xhevahir Spahiut, për t’u dënuar nga “Zëri i popullit”!

Me rastin e 20 vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Mitro Çela , Frrok Çupi dhe disa të tjerë, që nxorën numërin e parë të saj, u dekoruan nga kryeministri Sali Berisha me “Medaljen e Mirënjohjes”. Me siguri as medaljet nuk e prekin shumë atë. Në vargun e gazetarëve, që u dëbuan nga “Zëri i popullit”, bën pjesë edhe Xhevair Spahiu. Me të u njoha kur nisa punën si gazetar në redaksinë e kësaj gazete në vitin 1975. Në mos gaboj, ai ishte gazetar i Sektorit Ideologjik. Më ka bërë përshtypje qëndrimi i tij në një nga mbledhjet e para të kolektivit të gazetës, në të cilën mora pjesë. Nuk jam i sigurt, më duket se ishte nga mbledhjet e zakonshme, që quheshin “kritika e javës”, pra një lloj analize vlerësuese dhe kritike lidhur me materialet e botuara gjatë javës në “Zëri i popullit”.

Xhevairi u ngrit të flasë. Në thelb ai kërkoi që të largohej nga gazeta sepse, sikurse thoshte, nuk ndjente t’i vlerësohej puna. Mua m’u duk tip pasionant. Kur isha student, kisha lexuar ndonjë poezi të tij. Kështu edhe kisha krijuar njëlloj simpatie për të. Fjalët që tha mu dukën si të nxjerra nga bota e tij poetike dhe jo reale. Sidoqoftë, unë isha i ri në gazetë dhe nuk i njihja as njerëzit dhe as raportet në punë, prandaj edhe nuk fola. Në mbarim të mbledhjes, e kam ndaluar Xhevair Spahiun dhe i kam thënë sinqerisht: “Përse flet kështu. Për artikujt e t’u është shprehur me fjalët më të mira vetë shoku Enver. Ç’vlerësim më të madh kërkon”?! Xhevairi më dha të drejtë, së paku kështu mu duk mua, por nuk e zgjati më tej bisedën, u largua së bashku me të tjerët.

Në të vërtetë Xhevairi  është lavdëruar nga diktatori për artikujt e tij, por edhe është kritikuar për ndonjë poezi të tij. Me sa mbaj mend, në dy raste Enver Hoxha e ka kritikuar Xhevairin duke thënë se ai është “orientuar nga filozofia antimarksiste e Sartrit, e ka kopjuar atë, e ka bërë të tijën, duke menduar se të tjerët nuk e dinë ç’është Sartri dhe filozofia e tij”! Më është dukur e pabesueshme që Xhevairi të njihte në atë kohë Sartrin dhe filozofinë ekzistencialiste. Askush nga brezi ynë nuk e njihte Sartrin dhe as kishim mundësi të njihnin atë apo edhe ndonjë filozof tjetër bashkëkohor. Në Shqipëri në atë kohë mbaheshin në doganë edhe qeset e zakonshme të ambalazhit, që vinin nga Perëndimi, nëse në to do të ishin shkruajtur edhe dy apo tri fjalë me karakter publicistik. Kjo bëhej për t’u mbrojtur nga ideologjia borgjeze! Kështu, as që mund të bëhet fjalë për Sartrin apo botime të tij.

Në fakt,nga poezia e kritikuar, janë cituar vargjet: “Unë jam ai që nuk kam qenë, unë do të jem ai që nuk jam”! Për mua edhe sot, vargjet e cituara, përçojnë një realitet dialektik, madje në përputhje me dialektikën marksiste. Fjala e diktatorit ishte, sidoqoftë, e padiskutueshme. Madje, duhet shtuar se  zakonisht, një kritikë e tillë mjaftonte për t’u harruar emri në fushën e botimeve dhe për t’u degdisur dikund shtatë male kaptuar, për t’u bërë shoqëri atyre. Me Xhevairin, fatmirësisht, nuk ndodhi kështu./Memorie.al/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?