Dosje

Kujtimet e Regjisorit Piro Milkani për 'Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur'! Intervista e dhënë për 'Esencë' në Report Tv

24 Maj, 22:51| Përditesimi: 24 Maj, 23:00

  • Share

Regjisori i ndjerë Piro Milkani, që u nda nga jeta sot (24 maj), ka rrëfyer në emisionin Esencë, më 22 Dhjetor 2023, edhe për historinë e filmit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, tentativën e një prodhimi të huaj që do të realizohej edhe në Shqipëri me shqiptarët dhe Report Tv e Shqiptarja.com po e risjellin.

Botimi në Francë në vitin 1970 i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pati një pritje shumë të mirë, jo vetëm nga publiku dhe kritika franceze, por edhe nga shtëpitë e mëdha kinematografike atje. Ky interes bëri që të paraqiteshin disa oferta për ekranizimin e këtij romani të Ismail Kadaresë.

Në fillim, një grup skenaristësh të lidhur me shtëpinë botuese Albin Michel në Ambasadën shqiptare në Paris paraqitën ofertën e tyre, por peripecitë mes tyre vazhduan për vite me akuza e kundërakuza, derisa në skenë u shfaq regjisori dhe drejtori i fotografisë italian Luciano Tovoli.

Milkani tregon se Tovoli, i cili kishte punuar me regjisorë të njohur si Mikelanxhelo Antonioni dhe Etore Skola, e kishte dëgjuar një këshillë të rëndësishme nga Sergej Leone, regjisori i famshëm i filmave Western:

“Ai më tha se nëse dua të marr çmimin Oscar si regjisor, duhet të realizoj një roman të shkëlqyer të Ismail Kadaresë.” Kjo fjali e la pa mend Tovolin dhe kështu filloi gjithë aventura.

Tovoli u bashkua me aktorin e shquar francez Michel Piccoli dhe pasi organizuan montazhin financiar, filluan përgatitjet për të angazhuar emra të njohur të kinemasë europiane. Marcelo Mastrojani u dakordua të luante rolin e gjeneralit, Michel Piccoli rolin e priftit, ndërsa aktorë të tjerë si Anuk Eme dhe Serxhio Kasteliti u përfshinë në kastin e filmit.

Në këtë periudhë, Piro Milkani kishte transkriptuar “Gjeneralin” dhe e kishte vendosur me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa Vladimir Prifti kishte realizuar një film televiziv me të njëjtët aktorë në vitin 1978.

Midis viteve 1979 dhe 1982, Luciano Tovoli dhe Michel Piccoli bënë disa udhëtime në Shqipëri për të përcaktuar vendet dhe kalendarin e xhirimeve. Milkani kujton një nga këto udhëtime në Korçë dhe Dardhë, ku për shkak të dëborës rruga ishte e bllokuar dhe ata u detyruan të vazhdonin në këmbë, duke ngjitur një lartësi prej 1600 metrash. Ai veçoi habinë dhe përkushtimin e Piccolit, i cili ishte më i moshuar dhe me shëndet të dobët, por nuk u ankua.

Kur Piccoli pyeti nëse ushtritë gjermane dhe italiane kishin arritur deri në atë humbëtirë, Milkani i konfirmoi dhe aktori u shpreh: “O Zot, sa botë e çmendur!”

Por, kur gjithçka dukej gati për të nisur xhirimet, erdhi një urdhër i papritur nga Komiteti Qendror i Partisë që ndaloi realizimin e filmit në Shqipëri. Kjo gjë shkaktoi habi dhe turp te të gjithë ata që kishin punuar për tre vjet në këtë projekt. Për shkak të kësaj ndalese, producentët duhej të paguanin dëmshpërblime dhe filmi u zhvendos me ngut në Itali. Aty u realizuan xhirimet në periferi të Romës dhe në Kalabri, duke humbur kështu atmosferën autentike shqiptare që ishte pjesë thelbësore e rrëfimit.

“Në atë kohë kishte një entuziazëm të madh, sepse kinemaja franceze po kthehej drejt nesh dhe do të trajtonte një temë shqiptare,” shtoi ai.

Por, fatkeqësisht, marrëveshja me kinostudion “Shqipëria e Re” për xhirimin e filmit në Shqipëri u prish, kjo u shkaktua nga dyshimet që lidhen me vdekjen misterioze të kryeministrit Mehmet Shehu.

“Një marrëveshje ishte nënshkruar më parë midis kinostudios shqiptare dhe palës franceze, që parashikonte xhirime të pjesshme në Shqipëri me pjesëmarrjen e disa artistëve tanë. U anulua çdo marrëveshje dhe artistëve francezë iu refuzua ardhja në Shqipëri dhe lejet për filmime në territorin tonë.”

Megjithatë, filmi u realizua, pavarësisht këtyre pengesave dhe arsyeve absurde që sollën prishjen e kontratës për xhirimet në Shqipëri.

Ky rrëfim i Piro Milkanit tregon qartë jo vetëm entuziazmin e madh dhe përkushtimin e aktorëve dhe kineastëve europianë për të sjellë këtë film në jetë, por edhe pengesat politike dhe burokratike që penguan realizimin e plotë të këtij projekti të rëndësishëm kulturor në vendin e origjinës së tij.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?