KUKËS - Një 38 vjeçar nga Bullgaria u arrestua në pikën kufitare të Morinës, teksa po hynte në Shqipëri dhe me vete kishte kokainë dhe kanabis sativa.
Sipas hetimeve rezultoi se shtetasi bullgar I.G., 38 vjeç ishte rezident në Angli.
Teksa po i bëhej kontroll automjetit të tij tip ‘Benz’ u gjetën dhe sekuestruan së bashku me automjetin sasi të dyshuara kokainë dhe kanabis sativa.
'Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin bullgar I. G.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dhe sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin bullgar I. G., 38 vjeç, rezident në Angli.', njofton policia.