Kukës/ Banorët i rikthehen blegtorisë, Sabri Hutra: E hoqa tufën para një dekade, sot kam 40 dele, sebep djali që u kthye nga Anglia

21 Janar, 15:25| Përditesimi: 21 Janar, 15:36

  • Share

Pas braktisjes masive të mbarështimit të bagëtive nga banorët e zonave malore në Kukës ka edhe blegtorë që po përpiqen ta ringjallin këtë sektor jetik. I tillë është Sabri Hutra nga fshati Kalimash. Po i afrohet të shtatëdhjetave dhe del çdo ditë në kullotë me tufën e deleve.

Sabriu rrëfen për mikrofonin e Report TV se blegtoria ka qenë traditë e zonës, por vitet e fundit tufat u pakësuan. “Ishte pune pa leverdi”, thotë ai, derisa i biri i kthyer nga emigrimi e ia ndryshoi mendimin. Bleu 40 krerë dele dhe sot janë shtuar 18 qengja.

““Kam një 40 copë. Një dash, një lopë edhe një kal. Qingja janë bërë nja 18. U bë një vit, se më parë i hiqja, se është lodhje madhe, u bë sebep ky djali se unë nuk merresha më”,- është shprehur Sabriu.

Sabri Hutra,  cili para viteve 90-të ka punuar në minierë shprehet se të merresh me blegtori është punë e bukur por e vështirë, pasi mungojnë subvencionet nga shteti. Qengjat dhe qumështin i shet në Kukës, ku çmimet nuk janë shumë të favorshme.

“Blegtoria do tagji, dushk, bar, drithë. Po nuk pati drithë delja, del në ‘kanatjere’ në pranverë, mbetet pa lesh. Për familjarë i kam marrë. Kur të shumohen edhe shesim. Qeveria nuk na ka ndihmuar",- ka deklaruar ai.

Kalimashi i Kukësit me kullota të gjelbra, liqen dhe kodra dikur mbante peshën kryesore në blegtori e pemëtari. Po kështu njihej për minierën e kromit, e cila u mbyll pas viteve ’90.  Dikur këtu banonin 261 familje, sot kanë mbetur gjysma e tyre.

“Shumë bukur është bërë, por nuk ka njerëz, kanë ikur. 40 banorë janë nga liqeni deri aty. Tre vetë jemi që kemi blektori, të tjerët nuk kanë",-shtoi Sabriu.

Por rikthimi i djalit të Sabriut dhe investimi i tij në blegtori e rikthen shpresën se fshati piktoresk mund të popullohet sërish.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?