Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve hedh një hap të rëndësishëm për të ndihmuar të dënuarit e qarkut Kukës që të riintegrohen në shoqëri, duke i mbështetur për të gjetur punë dhe për të kontribuar si për familjet e tyre, ashtu edhe për komunitetin.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, dhe Nënkryetarja e Bashkisë Tropojë, Rinisa Osmanaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon krijimin e mundësive për punësim pas përfundimit të vuajtjes së dënimit dhe minimizimin e rikthimit në krim.
Përmes saj do të sigurohet referimi i rasteve në nevojë për ndërhyrje nga Shërbimet Sociale të bashkive përkatëse dhe partnerëve strategjikë, duke u ofruar mbështetje dhe lehtësuar përfshirjen e tyre në shoqëri.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe përmirësimit të shërbimeve për individët që kërkojnë mbështetje për t’u integruar në komunitet.
Gjithashtu drejtori i Burgjeve bëri të ditur se sëshpejti do të nisë puna për ndërtimin e godinës së re, paraburgim në fshatin Bicaj. "Fondi është 6 milione euro, është hedhur në prokurime publike dhe së shpejti do të shpallet fituesi dhe të nisë ndërtimi i infrastruktures se re me kapacitet 150 të paraburgosur", u shpreh Qose për mikrofonin e "Report tv".
Komente
