Në Borje dhe fshatrat e tjerë të Gorës të Kukësit u festua dita e Shën Gjergjit, festë kjo që kremton fundin e dimrit dhe ardhjen e pranverës.
Në aktivitetet e zhvilluara në Borje nga Bashkia Kukës me rastin e kësaj feste ishte i pranishëm edhe Ambasadori Bullgar në vendin tonë Ivalio Kyrov I cili uroi për festën e Shën Gjergjit minoritetin bullgar të Shqipërisë.
E kthyer në një festë tradicionale, në këtë ditë të rinjtë e këtij fshati zhvilluan gara me kuaj, ndeshje sportive, si dhe kërcyen vallet tradicionale të zonës.
Kjo festë aq e dashur për vendasit, përveç karakterit ritual, përtëritjes së natyrës, ka fituar edhe karakterin e festës së të rinjve, duke u bërë pjesë e jetës së tyre.
Shën Gjergji kremtohet më 6 maj sipas kalendarit gregorian dhe shënon ardhjen e pranverës në mënyrën më festive të mundshme.
Në fshatin Borje, kjo ditë festohet në natyrë, ku banorët shijojnë ushqimet në sofrat e përbashkëta në lëndinat afër vendbanimit. Dita e Shën Gjergjit, sipas kalendarit Gregorian festohet më 6 maj, ndërsa sipas kalendarit Julian festohet më 23 prill.