Kukës/ Historia e orës shekullore në xhaminë e Borjes, në komunizëm familja Dokle e shpëtoi nga shkatërrimi

2 Shkurt, 16:53| Përditesimi: 2 Shkurt, 17:05

  • Share

Historia dhe tradita ruhen me fanatizëm në Borje të Kukësit, fshatin e thellë malor të banuar nga goranët. Simbol i ekzistencës së tyre është ora e xhamisë.

“Ruajtur riparuar dhe rivënë në punë nga familja Dokle si kontribut për xhaminë e re të Borjes. Kjo orë i është dhuruar xhamisë së vjetër të Borjes në çerek shekullin e XIX”, shkruhet në përshkrimin e objektit.

Nuk ka një datë të saktë, por sipas gojëdhënave orën e ka sjellë nga Sarajeva Ali Bin Tahiri në shekullin e XIX. Tregtari boshnjak ishte me origjinë nga Borja ndaj ia bëri dhuratë xhamisë së vjetër. Ndërsa me instalimin e regjimit komunist, xhamia u kthye në kooperativë bujqësore. Për ta shpëtuar nga shkatërrimi, orën bashkë me librat fetare i ruajti në shtëpinë e tij, patrioti Sejdi Dokle.

Drejtori i shkollës 9-vjeçare të Borjes, Novruz Mehmeti shprehet se “Flitet se ora ka ardhur këtu në vitet 1780. E ka sjellë në atë kohë një tregtar me origjine nga Borja, quhej Ali Bin Tahiri. Ai ka qenë me dyqane në Bosje-Hercegovine dhe sot e kësaj dite ka fis me mbiemrin e tij, Tahirovsi në Bosje”.

Ndërsa imami i xhamisë, Fation Kamberi tha se “në kohën e kooperativës kanë dashur ta shkatërrojnë, por e ruajtjen në familjen Dokle. Ka qenë Sejdi Dokle i cili tani nuk jeton më, që e ka marrë këtë orë dhe e ka fshehur nëntokë”.

Me rënien e komunizmit, u rindërtua xhamia e re e Borjes dhe stërnipat e Sejdi Dokles e risollën orën në vendin që i takon.  

“Në vitin 2006 është vendosur në funksion të kësaj xhamie. Vetëm kasa është e rregulluar e ndërtuar e re, kurse ora aktuale është siç ka qenë, 250-300 vjeçare”, u shpreh imami.

Ora me numra arab është funksionale dhe punon me kurdisje.

“Këto janë numrat arabe, vetëm kasa është e rregulluar e re. Është orë e kurdisje, nëse 12 here, tregon sinjalin sa është ora”, shpjegon ai.

Historia e kësaj ore tregon mënyrën si goranët ruajnë jo vetëm gjuhën e traditat por dhe objektet e vjetra.

“Ne si fshat e kemi simbol nga e vjetra dhe jemi shumë krenarë që e gëzojmë këtë orën”, shprehet mësuesi Novruz Mehmeti.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?