Izolohet plotësisht vatra e zjarrit që ra në fshatin Bratë të Njësisë Bicaj në Kukës dhe që rrezikonte malin e Gjallicës dhe Parkun Kombëtar të Korab-Kortnikut.
Sipas njoftimit nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Bashkinë Kukës, vatra e zjarrit që ra mesditën e sotme është izoluar plotësisht dhe nuk përbën më rrezik përhapjeje, teksa po vijon monitorimi për të mos u riaktivizuar.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan 15 efektivë të MZSH-së, të mbështetur nga 1 automjet zjarrfikës, 10 punonjës të bashkisë, si dhe forca vullnetare të zonës.
Zjarri ra në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të fshatit, duke rrezikuar përhapjen edhe në sipërfaqe të tjera te malit te Gjallices.
Dyshohet se shkaku i zjarrit mund të jetë i qëllimshëm ose i shkaktuar nga pakujdesia njerëzore. Autoritetet vendore kanë nisur verifikimet për rrethanat e ngjarjes.
Lajmi kryesor:
Situata e zjarreve, 14 vatra në 24 orë, 2 janë ende aktive në Vlorë dhe Korçë, 3 nën monitorim!
A.Q/ReportTv.al