Kukës- Policia e Kukësit ka goditur dy raste të kultivimit të parcelave me kanabis në zonat malore.
Aksioni i koduar “Koordinata” u zhvillua sot (11 qershor) nga policia vendore në fshatin Mgullë. Gjithashtu u identifikuan edhe dy autorët e dyshuar, vëllezër mes tyre, ku njëri u arrestua dhe tjetri u shpall në kërkim.
Në gjendje të lirë u procedua edhe kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre, pasi nuk ka evidentuar dot aktivitetin e paligjshëm.
“Në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, kanë konstatuar në pronën e shtetasve Q. P. dhe P. P., në fshatin Mgullë, 29 kubikë me fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa”, thanë burime zyrtare.
Policia sqaroi se prangosën 60-vjeçarin Q. P., dhe shpallën në kërkim vëllanë e tij.
“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Mgullë, K. Ç., banues në këtë fshat, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, sqaroi policia.
Edhe gjatë kontrollit të territorit në fshatin Lugu i Zi, shërbimet gjetën dhe asgjësuan 28 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe disa kubikë me fidanë narkotikë.
Por për këtë rast nuk ka ende persona të identifikuar apo proceduar penalisht.
Komente
