Dy aksidente me pasojë një të vdekur dhe të paktën tre të plagosur, mes të cilëve vajza e mitur e viktimës, kanë ndodhur ditën e sotme (10 Shtator) afër njëri-tjetrit në Kukës dhe Korçë.
Ngjarja më e rëndë ka qenë ajo e ndodhur rreth orës 09:20 të mëngjesit, në vendin e quajtur “Ura e Topojanit”, teksa 46-vjeçari me inicialet A,I., duke drejtuar mjetin e tij tip “Mitsubishi”, ka humbur kontrollin dhe për pasojë mjeti doli nga rruga. Policia njoftoi se për shkak të dëmtimeve, shoferi fatkeqësisht ka humbur jetën, teksa po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve.
“Nga aksidenti është dëmtuar edhe vajza e mitur e shtetasit A. I., pasagjere në automjet, e cila është jashtë rrezikut për jetën”, tha policia vendore.
Kurse aksidenti i dytë ndodhi në Korçë rreth orës 11:00, në afërsi të fshatit Dvoran. Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, mësohet se dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe raportohen të paktën dy të plagosur që janë dërguar me ambulancë në spital.
Gjithashtu morën lëndime të lehta disa pasagjerë, por që shkuan me mjetet e tyre për kontroll në spital. Një nga mjetet është përmbysur në rrugë
Siç shihet edhe nga pamjet, përplasja ka qenë aq e fortë, saqë njëri prej automjeteve është kthyer përmbys, raporton gazetari i REPORT TV, Armand Braho. Policia, ambulanca dhe zjarrfikësja shkuan drejt vendit të ngjarjes.
Paraprakisht policia bëri me dije se mjeti “Jeep” i ka prerë rrugën veturës tip “Benz” dhe kjo ka sjellë karambolimin e tyre.
S'i kuptoj keta njerez, pse me kaq ngut? Dhe me femije te vegjel ne makine. Ngushellime familjes.
Përgjigju