Pas negociatave të gjata me familjarë dhe efektivë të policisë, u vetëdorëzua në drejtorinë e Policisë së Tiranës, Saimir Sadiku, 40-vjeçari i akuzuar për vrasjen e një të riu në fshatin Rajë të Fierzës, ngjarje e ndodhur më 11 korrik në një lokal.
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim S. S., 40 vjeç, banues në Fierzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 14.07.2024, për veprën penale "Vrasja me dashje". Shtetasi S. S. akuzohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.’- njofton policia.
Adrian Pepkolaj 24 vjeç ndërroi jetë në spital, ndërsa nga përleshja me thika, mbetën të plagosur vëllai i tij 32 vjeç Valentini, dhe një 45-vjeçar, Shkëlzen Kukaj.
Autori që shkaktoi 1 të vdekur e 2 të plagosur, sipas policisë është Saimir Sadiku, sot i vetëdorëzuar, ndërsa në korrik u arrestuan 5 shokët e tij, të përfshirë në sherrin për motive banale, të akuzuar për përkrahjen e autorit dhe moskallëzim të krimit