Kronikë

Kukës/ Përfshihet nga flakët vendgrumbullimi i mbetjeve urbane, tymi mbulon zonën (VIDEO)

23 Qershor, 08:09| Përditesimi: 23 Qershor, 13:47

  • Share

Kukës- Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në lagjen Myq-Mamëz të qytetit të Kukësit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një perimetër të gjerë, ndërsa shtëllungat e tymit kanë mbuluar jo vetëm zonën përreth, por edhe vetë qytetin, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e ajrit.

Ekipet e zjarrfikësve kanë punuar dhe po punojnë pa ndërprerje për të përballuar situatën, duke përdorur mjete uji dhe forca të shtuara, por vatra e zjarrit vijon të jetë aktive.

Era dhe mbetjet e ndezshme e kanë bërë të vështirë vënien nën kontroll të flakëve.

Qytetarët shprehen se kjo situatë përsëritet çdo vit, teksa theksojnë se ajri i ndotur dëmton shëndetin sidomos atë të fëmijëve dhe moshave të treta.

Ky është rasti i tretë brenda tre viteve që fusha e mbetjeve digjet, një fakt që ka ngritur dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme. Prefekti i qytetit thotë se zjarri është vendosur në kontroll dhe nuk ka rrezik që të përhapet në zonat pyjore. Megjithatë hetimet paraprake nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm.

Rasti ka rikthyer në vëmendje mungesën e një plani të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Kukës, si dhe nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe investime në trajtimin e mbetjeve dhe sigurinë e ambienteve të depozitimit.

Ora 13:39
Kukës/ Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, Prefekti: Nuk ka rrezik që të përhapet drejt zonave pyjore, është nën kontroll

Nga vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Myq-Mamëz, ku vatra e zjarrit mbetet ende aktive, prefekti i Kukësit, Dritan Baji, ka dhënë një deklaratë mbi situatën dhe masat që janë marrë nga autoritetet vendore.

“Vatra e zjarrit është aktivizuar mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30. Zjarri është nën kontroll, nuk ka rrezik që të përhapet drejt zonave pyjore. Mënyra më efikase për të shmangur renë e tymit është që të mbulohet me inerte dhe bashkia ka bërë një plan masash”, tha Dritan Baji.

Prefekti nënvizoi gjithashtu se ende është herët për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit, por prioritet mbetet menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë për qytetarët.

Ora 10:38
Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Kukës, banorët: Çdo vit e njëjta gjë! Është i qëllimshëm, nuk hap dot një dritare

 

Qyteti i Kukësit është përfshirë nga një mjegull e dendur tymi, pas një zjarri të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në  Myq-Mamëz. Qytetarët që dalin shëtitje në orëte para të mëngjesit këtë herë janë përballur me një atmosferë të rënduar nga era e djegies dhe retë e tymit që kanë mbuluar horizontin.

Pamja e zakonshme e qytetit është zëvendësuar nga një perde e errët tymi, ndërsa banorët kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ajrit dhe ndikimin që kjo situatë mund të ketë në shëndetin e tyre.

“Nuk hap dot një dritare. Ai që i bën këto gjëra duhet të dënohet. Ndotja është shumë e madhe, është shumë e dëmshme. Është hera e dytë që përsëritet kjo punë”, tha një qytetar pas zjarrit në vendgrumbullimin e plehrave.

“Sot situata është shumë e keqe, kemi një ndotje të madhe në Kukës, dëmton fëmijët por edhe ne të tjerët. Çdo vit përsëritet e njëjta gjë. Besoj zjarri është i qëllimshëm”, tha një qytetar tjetër.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?