Kukës- Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në lagjen Myq-Mamëz të qytetit të Kukësit.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një perimetër të gjerë, ndërsa shtëllungat e tymit kanë mbuluar jo vetëm zonën përreth, por edhe vetë qytetin, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e ajrit.
Ekipet e zjarrfikësve kanë punuar dhe po punojnë pa ndërprerje për të përballuar situatën, duke përdorur mjete uji dhe forca të shtuara, por vatra e zjarrit vijon të jetë aktive.
Era dhe mbetjet e ndezshme e kanë bërë të vështirë vënien nën kontroll të flakëve. Ky është rasti i tretë brenda tre viteve që fusha e mbetjeve digjet, një fakt që ka ngritur dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme. Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar mbi shkaqet e zjarrit, por hetimet paraprake nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm.
Rasti ka rikthyer në vëmendje mungesën e një plani të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në Kukës, si dhe nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe investime në trajtimin e mbetjeve dhe sigurinë e ambienteve të depozitimit.
Qyteti i Kukësit është përfshirë nga një mjegull e dendur tymi, pas një zjarri të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Myq-Mamëz. Qytetarët që dalin shëtitje në orëte para të mëngjesit këtë herë janë përballur me një atmosferë të rënduar nga era e djegies dhe retë e tymit që kanë mbuluar horizontin.
Pamja e zakonshme e qytetit është zëvendësuar nga një perde e errët tymi, ndërsa banorët kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ajrit dhe ndikimin që kjo situatë mund të ketë në shëndetin e tyre.
“Nuk hap dot një dritare. Ai që i bën këto gjëra duhet të dënohet. Ndotja është shumë e madhe, është shumë e dëmshme. Është hera e dytë që përsëritet kjo punë”, tha një qytetar pas zjarrit në vendgrumbullimin e plehrave.
“Sot situata është shumë e keqe, kemi një ndotje të madhe në Kukës, dëmton fëmijët por edhe ne të tjerët. Çdo vit përsëritet e njëjta gjë. Besoj zjarri është i qëllimshëm”, tha një qytetar tjetër.
Komente
