Dy shqiptarë të Kosovës u arrestuan për trafik armësh në vendin e quajtur “Ura e Hasit” nga blutë e Kukësit.
Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki banues në Prizren i trafikonin armët nëpërmjet kufirit jeshil me Kosovën, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Pas kontrolleve të kryera efektivët gjetën dhe sekuestruan 8 armë zjarri në bagazhin e makinës - secila të vendosura në çanta të ndara.
Paraprakisht dyshohet se ata do t'ia shisnin 2 personave të tjerë të cilët u larguan sapo panë Shërbimet e Policisë.
Ky nuk është rasti i parë që policia ka shkatërruar grupe kriminale që merren me trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri. Rasti i fundit ishte ai më 30 maj ku pas një hetimi pesë mujor policia arrestoi 10 persona që merreshin me këtë aktivitet kriminal. Pistoletat e kapura shiteshin në disa qytete, përfshirë Tiranën, Shkodrën dhe me gjerë me 1500-2500 euro copë. Njëra prej tyre, me silenciator, do të shitej të paktën 3000 euro.
"Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren.
Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarrri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar. Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre", njoftoi sot policia.
Komente
