Rënia e gurëve dhe situata në një nga rrugët e Kukësit
I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë gjatë natës nga reshje shiu me intensitet të lartë. Aktualisht nuk ka reshje shiu dhe situata raportohet normale nga strukturat vendore.
Sipas të dhënave, në disa segmente rrugore ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. Më problematike situata ka qenë në rrugën Kukës-Qaf Mali-Pukë, ku nga segmenti Kolsh-Qaf Shllak, ka prezencë të gurëve e dherave në rrugë.
Subjekti kontraktor për mirëmbajtje ka punuar dhe po punon për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të këtij aksi. Sipas KMC-së, rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht, ndërsa nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë.
Gazetari i Report TV, Benet Beqiri, informon se të gjitha rrugët janë të kalueshme. Policia këshillon që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë.
Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç fshatit Gabricë, Njësia Administrative Bicaj, Bashkia Kukës dhe 12 abonentë të Fshatit Berishë, njësia Bytyç, në Bashkinë Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.
Lajmi kryesor:
Durrës/ 300 banesa të përmbytura, evakuohen 6 familje, akomodohen te Konvaleshenca! 40 ha tokë nën ujë! FOTOT ME DRON
A.Q/ReportTv.al