Kukës, rikthehet pas 15 vitesh sëmundja e plasjes tek bagëtitë! Nis fushata për shpëtimin e fermave, rrezik transmetimi tek njerëzit

9 Qershor 2023, 15:37| Përditesimi: 9 Qershor 2023, 15:48

  • Share

Në një fshat të Kukësit është shfaqur pas 15 vitesh sëmundja e Antraksit, ku kanë ngordhur disa bagëti. Ka nisur menjëherë fushata e vaksinimit për 450 krerë të imta, ndërsa veterineri tregon për rreziqet e kësaj sëmundje ngjitëse dhe të rrezikshme edhe për njerëzit.

Në fshatin Nangë të Kukësit është shfaqur pas 15 vitesh sëmundja e Antraksit,  njohur ndryshe si sëmundja e plasjes, që prek bagëtitë e imta dhe të gjedhit. Fermerët e zonës shprehen të shqetësuar dhe kanë kërkuar vaksinimin e bagëtive. Ekrem Onuzi, është njëri prej tyre që vaksinoi 120 bagëtitë dele të fermës së tij ndonëse asnjë prej tyre nuk është infektuar.

“Sa dëgjova se ka ndodhur plasja tek një bashkëfshatar i imi mora në telefon veterinerin dhe tani jam duke bërë vaksinimin e tufës sime. Vaksinimi duhet që të mos na ndodhë një përhapje e madhe sepse mishi e qumështi shkon tek konsumatorët në qytetin e Kukësit”, tha Ekrem Onuzi, fermer.

Përgjegjësi i Veterinarisë në Kukës Bajram Peposhi tha se pak ditë më parë janë njoftuar për dy raste, pra kafshë që kanë ngordhur brenda 24-orësh dhe nga analizat rezultoi se janë prekur nga Antraksi. Me shfaqjen e sëmundjes ka nisur menjëherë vaksinimi në të gjitha fermat e fshatit. Në total do të vaksinohen 300 krerë të imta dhe 150 krerë gjedhe.

“Është konfirmuar pozitive me Antraks një lopë në fermën e një fermeri. Kjo problematikë na bën të marrim masa për vaksinimin e të gjithë krerëve në fshatin Nangë të njësisë Bicaj. Kemi organizuar punë dhe kemi njoftuar fermerët për vaksinimin që kryhet falas. Për 15 ditë nuk duhet të dalë në treg mishi dhe as qumështi i bagëtive të vaksinuara. Njerëzit duhet të kenë kujdes. Pra për çdo ngordhje të papritur në tufa duhet të njoftojnë shërbimin veterinar”, tha Bajram Peposhi, Përgjegjës i Shërbimit Veterinar ne Kukës.

Pjesë e kësaj fushate do të jetë edhe sensibilizimi fermerëve të Kukësit pasi sëmundja e plasjes është e rrezikshme jo vetëm për kafshët por edhe për njerëzit, kryesisht për blegtorët e kasapët që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët. Plasja prek njeriun duke depërtuar nga një dëmtim ose gërvishtje të lëkurës pas kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara ose produktet e tyre. Njerëzit mund të infektohen edhe duke konsumuar mish të bagëtive të infektuara.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?