Kukës, rritet numri i grave që bëjnë mamografinë! Mjeku: Kanceri i gjirit trajtohet kur kapet në kohë

9 Tetor 2023, 15:54| Përditesimi: 9 Tetor 2023, 16:11

  • Share

Të gjitha gratë mbi 50 vjeç dhe ato me historik sëmundje në familje po bëjnë mamografinë falas në spitalin e Kukësit. Interesi është rritur, tha mjeku, duke shtuar se kryhen çdo ditë 25 vizita.

Tetori, muaji rozë i ndërgjegjësimit në luftën ndaj kancerit të gjirit përmes ekzaminimeve ka sjellë një rritje të kontrolleve pranë Spitalit Rajonal të Kukësit.

Drejtori Sulejman Sokoli pohon se nga 10 raste ditore të bëra një vit më parë, aktualisht po bëhen 20 deri 25 ekzaminime të mamografisë falas.

“Kemi fluks në rritje të grave që kërkojnë të bëjnë mamografinë, që është falas. Kryesisht vijnë gjatë muajit tetor. Vitin e kaluar 10 vizita në ditë, këtë vit në të njëjtën periudhë 25 vizita në ditë”, tha Sulejman Sokoli Drejtor i Spitalit Rajonal Kukës.

Mjeku apelon gratë e vajzat të bëjnë kontrollet mjekësore në kohë, pasi kjo sëmundje  në fazat e para mund të shërohet.

“Vizitat bëhen sipas sistemit të referimit të mjekut. Kanceri i gjirit po të kapet në kohë mund të trajtohet. Por kemi dhe gra që na vijnë stad të avancuar dhe dërgohen direkt tek Onkologjiku në Tiranë”, tha më tej dr. Sulejman Sokoli.

Prej katër vitesh mamografia është e vendosur në spitalin e Kukësit dhe përgjatë këtyre viteve është vërejtur ndërgjegjësim i grave dhe vajzave për të kryer kontrolle të gjirit ndërkohë që vetëm në muajin tetor të vitit të kaluar janë bërë mbi 400 të tilla.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?