KUKËS – Një sherr i ashpër që ka degraduar në përdorimin e sendeve të forta ka ndodhur në një lokal mes 4 personave ditën e sotme.
Blutë bëjnë me dije se sherri ka nisur për motive të dobëta mes të riut të identifikuar me inicialet E.S., 22 vjeç dhe A. B., 41 vjeç, vëllait e kushëririt të 41-vjeçarit, përkatësisht shtetasit N. B., 50 vjeç dhe B. B., 35 vjeç.
Gjatë sherrit është përdorur një shufër hekuri, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale.
Për këtë ngjarje janë vënë në pranga 22-vjeçari dhe 41-vjeçari, ndërsa të afërmit e këtij të fundit janë vënë nën hetim ë gjendje të lirë.
“Menjëherë pas njoftimit se mesditën e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali në qytetin e Kukësit, 4 shtetas ishin konfliktuar për motive të dobëta, fizikisht dhe me send të fortë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësin/t.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë konflikt, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. S., 22 vjeç dhe A. B., 41 vjeç, si dhe u proceduan në gjendje të lirë vëllai dhe kushëriri i 41-vjeçarit, përkatësisht shtetasit N. B., 50 vjeç dhe B. B., 35 vjeç, të tre banues në fshatin Shtiqen”,-njofton policia.
Për shkak të dëmtimeve gjatë konfliktit, A. B. po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, ku është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.