KUKËS - Një sherr i ndodhur mes të paktën tre adoleshentëve pranë “Kullës së Qendresës”, në qendër të qytetit të Kukësit, rreth orës 20:45 të së pemtes (16 Gusht), ka lënë të plagosur rëndë një të mitur 15-vjeçar.
Plagosja dyshohet se ndodhi me thikë pas një përplasjeje fillimisht verbale, motivet e të cilës janë ende nën hetim nga organet ligjzbatuese vendore. Njoftohet se janë identifikuar dhe shoqëruar dy të dyshuar, një 15-vjeçar që besohet se është autori i krimit dhe një 14-vjeçar që ka qenë bashkë me të.
Urgjenca e Kukësit, pasi i ka dhënë ndihmën e parë të riut, emri i të cilit nuk u publikua për shkak të moshës, e ka transportuar drejt Spitalit të Prizrenit, në Kosovë.
“Falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë Kukës, identifikuan dhe shoqëruan në Komisariat për veprime të mëtejshme, një 15-vjeçar që dyshohet si autor, si dhe një 14 vjeçar që është përfshirë në konflikt mes dy 15-vjeçarëve”, njoftoi policia vendore pas hetimeve paraprake të kryera.
Gjithashtu uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe mjetin prerës (thikë), që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit, ku mbeti i plagosur i mituri.
Për shkak të moshës së dy të dyshuarve, policia vendore sqaroi se “veprimet hetimore po kryhen në praninë e psikologut, Prokurorit dhe familjarëve të të miturve”. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes dhe po punohet për zbardhjen e tyre.