KUKËS- Një i ri në Kukës është shpallur në kërkim nga policia, pasi po tentonte që të kalonte 59 emigrantë të paligjshëm në pikën kufitare të Morinës, ndërsa është arrestuar babai i tij i cili po e ndihmonte.
Sipas policisë, në kuadër të operacionit Tentativa u vu në pranga shtetasi B. M., 53 vjeç dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi G. M., 18 vjeç, të dy banues në Kukës.
18-vjeçari transportonte me një automjet tip furgon, kundrejt fitimit, 59 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Ky shtetas ka mundur të largohet, duke përfituar nga errësira. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.
Ndërsa B. M., babai i 18-vjecarit, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar rreth 2000 euro, me qëllim që të mos kryenin veprime procedurale për këtë rast.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën 11460 euro dhe 5000 lekë, të dyshuar të përfituar në këtë veprimtari kriminale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M dhe shpallja në kërkim e djalit të tij, shtetasit G.M.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.