Kukës- Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kukësit pasi tentoi të trafikonte një armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.
I riu është identifikuar si Ardit Saramati nga Prizreni.
Gjatë kontrolleve të kryera nga Policia kufitare në Morinë blutë gjetën në 'Benz-in' që po lëvizte i riu edhe një municion luftarak.
Arma e zjarrit, municioni luftarak dhe automjeti u sekuestruan si provë materiale.
"Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. S.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 28 vjeç, banues në Prizren, për veprën penale "Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Komente
