Prej më shumë se 24 orësh vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në zonën e Myç-Mamëzit, në afërsi të qytetit të Kukësit. Edhe pse intensiteti i tymit që përhapej në drejtim të qytetit është zbehur, flakët ende nuk janë vënë plotësisht nën kontroll.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, si dhe një fadromë, një eskavator dhe katër kamionë të Drejtorisë së Shërbimeve të Bashkisë Kukës. Puna vijon pa ndërprerje, ndërsa vështirësitë lidhen kryesisht me terrenin dhe natyrën e materialeve të djegshme në këtë zonë mbetjesh.
Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shkakun e zjarrit, por burime nga hetimet paraprake nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm.
Ndërkohë, bashkia dhe strukturat përgjegjëse i bëjnë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre në asnjë rast, pasi ky veprim përbën vepër penale dhe ndëshkohet nga ligji. Po ashtu, ftohen të gjithë banorët që të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, për të mundësuar ndërhyrjen në kohë dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të mundshëm.
Lajmi kryesor:
Zjarri në Pilur të Himarës, rreth 650 hektarë të djegura! Situata drejt normalizimit, vijon ndërhyrja nga toka
Xh.D/SI.E./ReportTv.al