Kukësi e cilësoi arbitrin Kola kamikaz, Josa preferon të mos komentojë! Duro: Laçi mori fitore të merituar (VIDEO)

4 Mars 2021, 11:45| Përditesimi: 4 Mars 2021, 14:03

  • Share

Problemi më i madh i Kukësit gjatë këtij sezoni duket se është vazhdimësia. Verilindorët të mërkurën humbën 1-2 kundër Laçit, por në përfundim të ndeshjes bënë akuza të forta për arbitrin. Ata e cilësuan si kamikaz Klajdi Kolën për penalltinë e dhënë në favor të Laçit, që rezultoi edhe vendimtare për rezultatin. Kukësi shkoi më tej duke deklaruar se FSHF dhe Liga Profesioniste e kanë zgjedhur qëllimisht për t’i dëmtuar. Gjithsesi në përfundim të takimit trajneri i Kukësit Mirel Josa zgjodhi të mos e komentonte këtë episode, duke deklaruar:

“Penalltia është kompetencë e njerzëve që drejtojnë ndeshjen, por edhe që gjykojnë ndeshjen, arbitrat.”

Ndërkohë në kampin kundërshtar trajneri i Laçit Shpëtim Duro shprehet tejet i lumtur për fitoren, që e ngjiti skuadrën e tij në vendin e dytë së bashku me Teutën, me 1 pikë më pak se Vllaznia.

Shpëtim Duro: “Shumë e rëndësishme, sepse ishte ndeshje që luhej jashtë fushës tonë dhe Kukësi është një kundërshtar me shumë kualitete pavarësisht pozicionit ku ndodhet.”

Më tej te Laçi presin që pjesa e mbetur e kampionatit të jetë tejet e luftuar.

Shpëtim Duro: “Tani jemi totalisht në valle me Vllazninë, Teutën dhe Partizanin. Jemi afër dhe kush do të menaxhojë më mirë deri në fund do t’ia dalë. Do jetë një luftë e ashpër.”

Regi Lushkja, futbollist i Laçit: “Ishim shumë pikë mbrapa Vllaznisë dhe tani e shohim vetën një pikë mbrapa. Mendoj se kampionati është më i hapur se kurrë.”

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?