Të enjten tre nga katër skuadrat shqiptare do të luajnë shanset e tyre në turin e dytë eliminator të Europa League. Përballë do të kenë ekipe tepër të vështira, por duke parë specifikat e ndeshjeve në periudhën e koronavirusit, sipas Mirel Josës shanset janë për të kaluar. Ish-trajneri i disa skuadrave në Superligë, për Wolsburgu-n, kundërshtarin e Kukësit në Air Albania thotë:
“Wolsburgu është një skuadër që shënon, por edhe pranon gola. Ndeshja është komplet e hapur. Me një takim është sfida dhe gol në fushë kundërshtare nuk ka dhe unë them se Kukësi është i favorizuar. Kjo sepse do të bëj lojën e saj, por duhet të jetë edhe shumë i përqendruar. Duke parë edhe mënyrën se si luan Gega Wolsburgu nuk do ta ketë aspak të lehtë,”-tha ai.
Mirel Josa thotë se Teuta do ta ketë më të vështirë me Granada-n, megjithëse ajo kohët e fundit është shfaqur me dy fytyra.
“E para punës duhet të dimë që luhet në orën 16:00 dhe kjo e favorizon Teutën. Rastësisht e pashë Granadën me Bilbaon në fundjavë dhe ishte me dy tablo. Në pjesën e parë nuk ishte e përqendruar në lojë, ndërsa në të dytën po,”-deklaroi ai.
Sipas Josës ekipi më i favorizuar për të kaluar në turin e tretë është Laçi, që përballë do të ketë Hapoel Beer-Sheva-n, një skuadër e cila e eliminoi sezonin e kaluar.
“Laçi ka një skuadër më të mirë, më solide nga sezoni i shkuar. Laçin nga ekipet shqiptare e shoh më të favorizuar sepse e njeh këtë kundërshtar edhe më para,”-u shpreh ai.